E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbysja e traditës

Nga Lorenz Konrad, (Çmimi Nobel për Fiziologji ose Medicinë, 1973)

Zhvillimi i një kulture shfaq disa ngjashmëri interesante me zhvillimin filogjenetik të specieve. Tradita e grumbulluar e cila qëndron në bazë të çdo kulture, nis nga arritje të reja në thelbin e tyre, të cilat nuk shfaqen në asnjë specie kafshe, dhe në radhë të parë nga mendimi i thelluar dhe nga gjuha e folur, e cila falë aftësisë së formimit të lirë të simboleve, i hap njeriut mundësi të pa ndeshura në zgjerim dhe përcjellje njohurish të fituara individualisht. Kjo "trashëgimi e zotërimeve të fituara" e cila duket në mënyrën e shpjeguar më lart, tregon nga ana e saj se pse evolucioni historik i një kulture ecën shumë më shpejt se filogjeneza e një specieje, madhësia e raportit mbi këto dy shpejtësi kap shifra të fuqisë të së dhjetërave.

Ashtu si mënyra me të cilën një kulturë arrin një dije të re e cila të çojë në ruajtjen e sistemit, po ashtu edhe ato me të cilat kjo e mirëmban këtë njohuri ndryshon nga mënyrat e transformimit të specieve. Metoda me anë të së cilës bëhet zgjedhja midis shumëllojshmërisë së ofruar se cila ia vlen të mbahet mend, është në përgjithësi e njëjta në evolucionin e specieve dhe në kulturë, dhe pikërisht ajo e një verifikimi tërësor. Sigurisht përzgjedhja që vendos strukturat dhe funksionet e një kulture nuk është po aq e rreptë sa edhe ajo që vepron në rastin e shndërrimit të një specieje, për shkak se nëpërmjet fuqisë për të nënshtruar natyrën përreth, vazhdimisht në rritje, njeriu tërhiqet nga shumë faktorë përzgjedhës. Kështu që në rastin e kulturave gjendet shpesh ajo që tek speciet nuk para haset: të ashtuquajturat struktura luksi, e me fjalë të tjera, struktura, forma e të cilave nuk rrjedh nga ndonjë arritje me aftësi në mbijetesën e species. Thjesht njeriu ia lejon vetes të tërheqë nga pas më tepër barrë të panevojshme se një kafshë e egër.

Çuditërisht përzgjedhja duket të jete i vetmi kusht vendimtar se çfarë pikërisht duhet të hyjë në thesarin e çmuar të një kulture si zakon dhe "e shenjtë". Me sa duket edhe shpikjet e zbulimet, të cilat i detyrohen botëkuptimit dhe kërkimit racional, marrin një karakter fetar rituali, nëse janë përcjellë me anë tradite për shumë kohë. Tek kjo pikë do të kthehem në kapitullin pasardhës. Nëse shohim normat tradicionale të mirësjelljes popullore në një kulturë, ashtu siç shfaqen ato në vështrimin e parë, nuk mundemi dot që pa ndihmën e historisë së krahasuar të bëjmë ndryshimin midis atyre që kanë lindur nga një "besëtytni", rastësi, dhe atyre me burimin në një zbulim të vërtetë e shpikje. Duke e tepruar, mund të thuhet se gjithçka që përcillet mbi intervale të mëdha kohore me anë tradite kulturore merr me kalimin e kohës formën e një "besëtytnie" ose një "doktrine".

Në dukje ky fakt mund të shfaqë një "gabim ndërtimor" të mekanizmit përgjegjës për grumbullimin dhe depozitimin e njohurive në kulturat njerëzore. Sidoqoftë, në një analizë më të thellë do të shihet se një konservatorizëm sa është më i fortë një nga vetitë jetike të aparatit të cilit i bie një peshë e ngjashme me atë të gjenomit në transformimin e specieve. Ruajtja e të dhënave nuk është aq e rëndësishme, përkundrazi është shumë më e rëndësishme se sa përfitimi i të dhënave të reja, dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm se në mungesën e kërkimeve të specializuara nuk do të kishim asnjë mundësi të kuptonim se cili nga zakonet dhe traditat që kultura jonë na i ka përcjellë paraqet një supersticion të vjetërsuar, prej të cilit ia vlen të çlirohemi, e cila të jetë një e mirë kulturore tepër e vlefshme. Edhe në rastin e normave kulturore efekti i dëmshëm dhe pa vlerë i të cilave duket se është i qartë, p.sh. gjuetia e kokave e bërë nga disa fise në Borneo dhe Guinenë e Re, nuk është aspak e qartë se cilat do të ishin pasojat e shfarosjes tërësore të sajë, mbi sistemin e normave të sjelljes së shoqërisë që mban të bashkuar grupin kulturor në fjalë. Në njëfarë mënyre, një sistem i tillë përfaqëson skeletin e çfarëdo lloj kulture, skelet nga i cili është shumë e rrezikshme të largosh me detyrim një element pa marrë parasysh shumëllojshmërinë e marrëdhënieve të tij.

"E ndriçuar shkencërisht", rinia arrin të shpërfillë pasurinë kulturore

Bindja e gabuar se vetëm ajo që mund të kuptohet me rrugë logjike, madje ca më shumë që vetëm ajo që mund të vërtetohet me rrugë shkencore duhet të bëjë pjesë ne thesarin e qëndrueshëm të dijeve të njerëzimit, çon në pasoja shkatërrimtare. "E ndriçuar shkencërisht", rinia arrin të shpërfillë pasurinë e paçmueshme të përmbajtur në zakonet e çfarëdo kulture të moçme si edhe në mësimet e besimeve të mëdha të botës. Ai i cili beson se gjithë këto janë të pavlefshme, bie në të njëjtën kohë në një tjetër gabim, jo më pak të rrezikshëm se kur jeton me përshtypjen se shkenca ka mundësi të nxjerrë në mënyrë logjike një kulturë të tërë, me gjithë sa i përkasin. Kjo përshtypje përfaqëson një gjë jo më shumë të pamend se ideja që shkenca jonë do të ishte e mjaftueshme për të "përmirësuar" njeriun në mënyrë të detyrueshme me anë të ndërhyrjeve në gjenomin njerëzor. Një kulturë përmban po aq kulturë "të rritur", të përfituar si rrjedhojë e përzgjedhjes si dhe një lloj kafshe, e cila, siç edhe dihet tani për tani nuk mund të "bëhet".

Nënvleftësimi i fuqishëm ndaj thesarit të njohurive joracionale, dhe mbivlerësimi i asaj që njeriu si homo faber arrin të mbledhë falë mendimit të vet, nuk mund të jenë aspak të vetmit elementë të cilët rrezikojnë të na shkatërrojnë kulturën, dhe për më tepër as ata më vendimtarët. Një mendim arrogant nuk do të kishte shkak ta shikonte në një mënyre armiqësore traditën e trashëguar. Ndoshta do ta shikonte ashtu si një biolog sheh një fshatare në moshë e cila po e siguron se pleshtat lindin atëherë kur urina bie në kontakt me tallashin. Sjellja e një pjese të madhe të rinisë së sotme karakterizohet nga një arrogancë nënvleftësuese e konsiderueshme, në të cilën nuk gjendet asnjë grimë dhembshuri. Revolucioni i rinisë së sotme ushqehet me urrejtje, dhe që të jemi më të shkoqur, me një urrejtje të lidhur ngushtë me tipin më të qëndrueshëm dhe më të rrezikshëm të urrejtjes: me urrejtjen kombëtare. Me fjalë të tjera, rinia e dëshpëruar vepron ndaj gjeneratës më të moshuar në të njëjtën mënyrë në të cilën një grup kulturor apo "etnik" vepron ndaj një grupi të huaj dhe armiqësor.



Zhvillimi i grupeve etnike të pavarura nga historia e kulturës

Erik Erikson ishte i pari që tregoi se në çfarë mase të vlerësueshme zhvillimi i ndryshëm i grupeve etnike të pavarura nga historia e kulturës, shpaloset në mënyrë të ngjashme me atë të nënllojeve, specieve dhe llojeve në rrjedhën e historisë së tyre filogjenetike. Ai fliste për pseudo-specien, për një "pseudo-formim të specieve". Njësitë kulturore më të mëdha apo më të vogla qëndrojnë bashkë e në të njëjtën kohë dallohen nga njëra-tjetra me anë të riteve dhe rregullave të sjelljes në shoqëri që kanë lindur gjatë historisë së kulturës. Një lloj "sjelljeje", një dialekt i veçantë i një grupi të veçantë, një mënyrë të veshuri etj. mund të bëhen simbole të një kolektivi dhe të duhen e ruhen nga secili ashtu si edhe vetë ky grup të njohurish. Ashtu siç kam treguar dikur (1967), ky vlerësim i lartë i gjithë simboleve të grupit shoqërohet me një zhvlerësim e përbuzje të krahasueshme ndaj çfarëdo njësie kulturore të ngjashme. Sa më shumë që dy grupe kulturore janë zhvilluar të pavarura nga njëri-tjetri, aq më shumë shtohen ndryshimet midis tyre, të cilat janë të ngjashme me shumëllojshmërinë e ndryshimeve të karakteristikave të kafshëve në rrjedhën e evolucionit të tyre. Në të dyja rastet mund të thuhet se ato karakteristika që janë më të përhapura, pra që i përkasin grupeve më të mëdha, janë edhe më të vjetra.

Çdo grup kulturor i dallueshëm, ka me të vërtetë shtytjen që të shihet në vetvete si një specie e veçantë, duke vlerësuar se anëtarët e njësive të tjera të krahasueshme nuk janë tamam njerëz. Në shumë gjuhë të fiseve të veçuara fjala e përdorur për të vetëemëruar fisin është thjesht "njeri". Pra të vrasësh një njeri të fisit fqinj nuk është me të vërtetë krim! Kjo rrjedhojë e pseudoformimit të specieve është mjaft e rrezikshme, për shkak se me anë të saj mënjanohet në një masë të madhe ndjenja e të mos vrarit të një anëtari tjetër të species, në një kohë kur agresioni brenda species vazhdon të jetë në veprim. Kundër "armikut" derdhet një egërsi e pamëshirë, ashtu siç njeriu nuk mund ta ndiejë as kundër kafshës mishngrënëse më mëkatare, por vetëm kundër njeriut. Mund t’i vrasësh i qetë armiqtë duke menduar se nuk është fjala për njerëz të vërtetë. Është e qartë që ky mendim ushqehet nga të gjithë ata që kërkojnë luftë, duke qenë një mënyrë e përdorur shpesh prej tyre.

Fakti që brezi i ri fillon padyshim të vlerësojë më të vjetërit si një subspecie të huaj, ngre njëfarë shqetësimi. Kjo gjë shprehet me anë të më shumë shenjave. Grupet etnike konkurrente dhe ato në armiqësi kanë zakonin të krijojnë veshjet e tyre popullore në mënyre shumë të dukshme. Në Evropën Qendrore, në veshjet fshatare, shenja të zonave janë zhdukur prej shumë kohësh, por vazhdojnë të mbahen me kujdes vetëm në Hungari, dhe pikërisht në ato vende ku fshatrat hungareze dhe ato sllovake janë shumë pranë. Atje veshjet popullore mbahen me krenari, dhe qëllimi i secilit grup është të mërzisë anëtarët e grupit tjetër etnik. Të njëjtën gjë bëjnë edhe shumë grupe të rinjsh kryengritës, të vetëformuara, të cilat - me gjithë pretendimin e urrejtjes së tyre ndaj çdo elementi ushtarak - shprehin në një mënyrë të habitshme një shtytje të dukshme për t’u dalluar me anë të një uniforme. Me anë të mënyrës se si vishen, "specialisti" mund të dallojë nën grupet e ndryshme në gjirin e grupeve hipi, rok, metal, rap etj. Me të njëjtën lehtësi si edhe një herë e një kohë njiheshin regjimentet e ndryshme të ushtrisë austro-hungareze.

Me anë zakonesh e traditash, rinia kryengritëse përpiqet, në të njëjtën kohë që të largohet sa më shumë që ka mundësi nga brezi i prindërve, që nuk do të thotë thjesht mospërfillja e sjelljes tradicionale të këtyre, por vëzhgimi edhe i hollësive më të vogla për të bërë pikërisht të kundërtën. Kjo, p.sh. përfaqëson një nga shpjegimet e shfaqjes se eksesit seksual brenda disa prej grupeve njerëzore, ku duket qartë që fuqia seksuale është e zvogëluar dukshëm. Po kështu nga dëshira e madhe për të kapërcyer kufizimet e prindërve shpjegohet edhe rasti që disa studentë i kryejnë nevojat në mënyrë publike, siç edhe ndodhi në Universitetin e Vjenës.

Të rinjtë në fjalë nuk e kuptojnë në asnjë mënyrë shkakun e këtyre mënyrave të çuditshme të sjelljes, madje të padëgjuara, duke gjetur pseudo-analiza nga më të ndryshmet, të cilat nganjëherë janë shumë bindëse, për të shpjeguar sjelljen: ata kundërshtojnë mungesën e interesit të përgjithshëm të prindërve të tyre të pasur ndaj të varfërve dhe të uriturve, ndaj luftës në Vietnam, ndaj shpërdorimeve për të cilat fajësohet drejtoria e Universitetit, ndaj gjithçkaje që është kushtëzuar në të gjitha drejtimet, por rrallë ndaj abuzimit të Çekosllovakisë prej Bashkimit Sovjetik. Megjithatë sulmi i tyre drejtohet në mënyrë të pagabuar ndaj atyre më në moshë, pa asnjë lidhje me vijën politike me të cilën janë të lidhur këta të fundit. Profesorët e krahut të djathtë nuk vëngërohen më pak nga studentët e krahut të djathtë, se sa profesorët e krahut të majtë: një profesor i krahut të djathtë u fye njëherë në mënyrën më trashanike nga ana e studentëve komunistë të drejtuar nga Cron-Bendit, duke iu hedhur akuza tërësisht të paqena, sikur ky ishte i paguar nga C.I.A.-as. Sulmi nuk u justifikua me faktin që ai i përkiste një vije tjetër politike, por tërësisht nga ideja se ai i përkiste një brezi tjetër.

Urrejtja midis brezave

Të drejtuara drejt tij, brezi në moshë kupton, madje pa e pasur të qartë në mënyrë të vetëdijshme, që këto protesta në fjalë janë në të vërtetë shpallje lufte dhe fyerje plot urrejtje. Kështu, urrejtja midis brezave, e cila - siç shpjegohet më lart - lidhet në bazat e saj me urrejtjen midis grupeve të ndryshme etnike, me fjalë të tjera urrejtjen kombëtare, arrin shumë kollaj në shkallë të rrezikshme. Megjithëse kam përvojë në fushën e etologjisë e kam të vështirë të mos inatosem kur shoh bluzën e bukur të kaltër të kunistit të mirënjohur Cron-Bendit, dhe nuk duhet veçse të vëzhgosh shprehjen e fytyrës të këtyre lloj njerëzve për të kuptuar se pikërisht ky është efekti që dëshirojnë. E ardhmja e një mirëkuptimi është në këtë mënyrë shumë e pashpresë.

Si në librin tim mbi agresionin (1963) dhe në përmbledhjet publike (1968, 1969) kam diskutuar mbi shkaqet e mundshme etologjike të luftës midis gjeneratave, kështu që tani do të kufizohem vetëm tek më të rëndësishmet. I gjithë rrethi i këtyre dukurive bazohet mbi një turbullim funksional të procesit të zhvillimit tek njeriu në adoleshencë. Në këtë kohë i riu fillon të shkëputet nga zakonet e shtëpisë prindërore, duke i parë me dyshim, dhe duke u drejtuar nga ideale të tjera, nga grupime në cilat mund të aderojë, duke u huazuar në të njëjtën kohë edhe qëllimet. Dëshira instiktive e mundësisë për të luftuar për një qëllim të mirë, ka një rol vendimtar në zgjedhjen e drejtimit, veçanërisht tek të rinjtë. Në këtë kohë gjithçka që vjen nga thellësia e kohës duket e mërzitshme, kurse gjithë të rejat bëhen tërheqëse, pra mund të flasim për një neofili fiziologjike.

Pa dyshim ky proces ka një rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e species, dhe pikërisht kjo është arsyeja për të cilën është përfshirë në programin e zhvilluar filogjenetikisht të species për mënyrat e sjelljes njerëzore. Qëllimi i tij është të ndihmojë në formimin e një aftësie të veçantë përshtatjeje brenda përcjelljes shumë të ngurtë të rregullave kulturore të sjelljes, proces ky që mund të krahasohet me zhveshjen e gaforres e cila braktis guaskën e vet të fortë me qëllim që të rritet. Si në të gjitha strukturat e qëndrueshme, edhe në rastin e përcjelljes së rregullave kulturore të sjelljes, zhvillimi duhet të paguhet në një farë mënyre me mungesën e disa të drejtave, heqja dorë nga disa të drejta, gjendje kjo e parashikuar për çdo rikonstruktim, por jo pa rreziqe, sepse koha e rindërtimit paraqet një mungesë ngrohtësie e mbrojtjeje. Kjo gjë është e vlefshme si për gaforren e zhveshur ashtu edhe për njeriun në adoleshencë.

Si rregull, koha e neofilisë fiziologjike pasohet nga një rigjallërim i dashurisë ndaj gjithë asaj që është tradicionale. Ndryshimi i mendimit bëhet në kohë, shumica jonë, pak më në moshë mund të vërtetojnë se vlerësimi i njeriut për mendimet e të atit është shumë më i madh se në 18 vjeç. A. Mitscherlich e quan këtë ngjasi "bindje e vonuar". Neofilia fiziologjike dhe "bindja e vonuar" përbëjnë së bashku një sistem që zhduk ato elemente të kulturës së përcjellë, të cilat janë qartë jashtë mode dhe pengojnë zhvillimin në vazhdimësi, por duke u siguruar për qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e strukturës së kulturës. Duke qenë se është nën varësinë e bashkëveprimit midis shumë elementesh të brendshëm e të jashtëm, qëllimi i këtij sistemi mund të turbullohet kollaj.

Pengesat në zhvillim të cilat mund të shkaktohen nga shumë kushte të mjedisit rrethues, por me siguri edhe nga faktorët gjenetikë, kanë, në varësi të kohës në të cilën shfaqen, rrjedhoja të ndryshme. Bllokimi në një fazë fëmijërore mund të çojë në lidhje të përhershme me prindërit dhe në një ngërç të plotë në zakonet e brezit të moshuar. Njerëz të tillë nuk dinë se si të sillen me ata të brezit të tyre, dhe shpesh bëhen të çuditshëm e të vetmuar. Bllokimi jo fiziologjik në fazën e neofilisë çon në shpërthimin e vonët të disa rivlerësimeve karakteristike kundrejt prindërve, shpesh të larguar nga kjo botë prej kohësh, si dhe në izolim. Psikiatrit i njohin fare mirë këto probleme.

Turbullimet të cilat çojnë në urrejtje dhe luftë midis brezave, dallohen në raport me shkakun në dy drejtime me sa u tha më lart. Në radhë të parë, shndërrimet të cilave u nënshtrohen, si rrjedhojë e nevojës për t’u përshtatur, e bën trashëgiminë e përcjellë kulturore gjithnjë e më të madhe nga brezi në brez. Në kohën e Abrahamit, biri i bënte ndryshime me të vërtetë të pa konsiderueshme, rregullave të të atit, aq sa - ashtu siç tregon Thomas Mann në një mënyrë kaq bindëse në romanin e vet psikologjik Josifi dhe bijtë e tij - shumë njerëz në atë kohë nuk mundeshin të bënin dallimin midis vetvetes dhe personit të babait, gjë që është me të vërtetë një formë dallimi. Hapi i zhvillimit me të cilin teknologjia e sotme detyron kulturën të ecë bën që me të drejtë një pjesë e zakoneve të quhen nga brezi i ri, të vjetra. Mendimi i gabuar, se njeriu mund të krijojë në mënyrë të llogaritur e të menduar një kulturë, për të cilën kemi folur më lart, çon në përfundimin tërësisht të gabuar se zgjidhja më e mirë do të ishte shkatërrimi i plotë i kulturës së të parëve për t'i bërë vend një rindërtimi "krijues". Ai që e mendon seriozisht këtë, do të jetë i detyruar të kthehet tek njeriu Prekromagnon!

Rrugaçëritë e shumë të rinjve kudo "për të derdhur nga kazani edhe prindërit njëherësh me ujin" kanë edhe shkaqe të tjera. Ndryshimet ndaj të cilave nënshtrohet ndërtesa e familjes në rrjedhën e teknologjizimit të vazhdueshëm që po njeh njerëzimi, e çojnë atë gjithnjë më shumë drejt dobësimit të kontaktit midis prindërve e fëmijëve. Kjo fillon që nga koha e foshnjërisë. Për arsye se në ditët tona nëna nuk mund t’i falë gjithë kohën fëmijës së vogël, lindin gati gjithnjë ca më pak apo më shumë, dukuri të cilat Rene Spitz i ka quajtur Spitalizim. Shenja e saj më e keqe është një dobësim shpesh i pakthyeshëm i aftësisë për të pasur lidhje njerëzore. Ky përfundim mblidhet në mënyrë të rrezikshme me një tjetër turbullim të përmendur në veprat e mia të mëparshme, me implikimin njerëzor.

Në një moshë disi më të madhe veçanërisht në rastin e djemve, shfaqet, shqetësueshëm, mungesa e modelit atësor. Me përjashtim të fshatit dhe të bizneseve të vogla, djemtë nuk i shohin asnjëherë baballarët duke punuar, duke mos pasur kështu asnjë ndihmë për t’u bindur për epërsinë e të rriturve. Po kështu, në të voglën familje moderne, mungon hierarkia, falë të cilës "njeriu plak" dukej sikur frymëzonte respekt. Një fëmijë pesë vjeçar nuk mund të kuptojë i pavarur epërsinë e babait dyzet vjeçar, por në anën tjetër është i mrekulluar në të njëjtën kohë me forcën e një fëmije dhjetë vjeçar dhe duke kuptuar respektin me të cilin ky i fundit sheh vëllain e tij të madh pesëmbëdhjetë vjeçar, kështu i bazuar mbi ndjenjat e tija do të nxjerrë mësime të drejta duke parë pesëmbëdhjetë vjeçarin, boll i zgjuar tashmë për të kuptuar epërsinë shpirtërore të Plakut, dhe kështu do të dijë të respektojë moshën.

Njohja e një epërsie me anë të hierarkisë nuk është pengesë në rrugën e dashurisë. Të gjithë duhet të kujtojnë kohën kur ishin fëmijë dhe të vërtetën se nuk i donin më pak ata që i kishin sipër e duhet t’u bindeshin, por përkundrazi i donin më tepër se ata që ishin në të njëjtën shkallë hierarkike ose më të ulët. Më kujtohet fare mirë se çfarë ndieja në fëmijëri për shokun tim Emmanuel Roche, i cili na la shumë herët. Ishte katër vjet më i madh se unë dhe ushtronte me drejtësi e rreptësi autoritetin mbi bandën tonë fëmijërore me fëmijë dhjetë deri katërmbëdhjetë vjeç. Jo vetëm që e respektoja dhe përpiqesha të lija përshtypje të mira përpara tij me anë veprash trimërore, por edhe e di i sigurt se ndieja për të një dashuri të vërtetë, aspak të ndryshme nga ajo që do të ndieja më vonë për shokë më në moshë ose profesorë shumë të respektuar. Një nga krimet më të mëdha të doktrinës pseudodemokratike është se ajo e vlerëson hierarkinë natyrale midis dy njerëzve si një pengesë që do të shqetësonte çdo ndjenjë më të ngrohtë. Por pa këtë hierarki nuk do të kishim as formën më natyrale të dashurisë njerëzore, ajo që i lidh në mënyre normale anëtarët e një familjeje; edukata e njohur "non frustration" ka kthyer mijëra fëmijë në ca të mjerë me neuroza.

Në një grup pa strukturë hierarkike, gjendja e fëmijës është tejet larg natyrales

Ashtu siç shpjegova tashmë në shkrimet e përmendura, në një grup pa strukturë hierarkike gjendja e fëmijës është tejet larg natyrales. Në pamundësi për të kontrolluar tendencën e programuar instinktivisht për të hipur në një pozitë superiore dhe duke tiranizuar dukshëm prindërit të cilët nuk e kundërshtojnë aspak, fëmija është i detyruar të vihet në vendin e shefit të grupit që në fakt nuk i intereson. Në një botë thellësisht të egër, ai do të ndihet pa mbrojtje pa një "epror" më të fortë, sepse fëmijët që kanë për fat edukatën "non frustration" nuk janë të dashur askund. Atëherë kur, me të drejtë ky fëmijë do të jetë i ngacmuar, do të përpiqet të provokojë prindërit, "duke kërkuar pëllëmbë", ai nuk ka për të ngjallur kundërsulmin e pritur instiktiv dhe të mirëpritur prej nëndijes së tij, por përkundrazi do të përplaset me muret e buta të një shprehjeje të qetë pseudo-racionale.

Por asnjë nuk do të identifikohet ndonjëherë me një servil anemik, asnjë nuk do të jetë gati të presë nga ai recetën e normave të sjelljes, dhe aq më pak ka për t’u gjendur ndonjë që do të pranojë rregullat e tij si të kulturuara. Vetëm atëherë kur e do një njeri nga thellësia e shpirtit dhe njëherësh ngrin sytë drejt tij, mund të jesh në gjendje të pranosh traditën e tij kulturore si tënden. Me të drejtë, një numër i frikshëm të rinjsh vuajnë në ditët e sotme për një figurë të tillë, "figurë babai". Në shumicën e rasteve, babai i vërtetë nuk arrin ta përballojë detyrën, kurse popullimi i madh i shkollave dhe universiteteve e bën të pamundur që ndonjë mësues i respektuar t'i zërë vendin.

Në rastin e shumë të rinjve me të vërtetë inteligjentë, së bashku me këto arsye thjesht etologjike, të shtytjes ndaj kulturës së prindërve shtohen dhe arsyet me të vërtetë etike. Me dendjet e veta, me shkatërrimin e natyrës dhe me garën me vetveten të një njerëzimi të pangopur në pasuri dhe të pandjeshëm ndaj vlerave të vërteta, me varfërinë e tmerrshme të ndjenjave dhe me budallallëkun e doktrinave, kultura e sotme perëndimore ka kaq shumë gjëra të cilat nuk ia vlen t’i ndjekësh, sa të bën që të harrosh kollaj përmbajtjen e vet të vërtetë në dije. Rinia ka me të vërtetë të drejtë t’u shpalli luftë të ashtu quajturave "stabilimente". Përsëri është e vështirë të kuptojmë se sa të rinj të revoltuar - përfshirë edhe studentët - veprojnë me të vërtetë të shtyrë nga këto arsye. Ajo që ndodh në grindjet popullore e ka me siguri bazën në arsye komplet të ndryshme, që në vetëdije janë etologjike, midis të cilave urrejtja etnike qëndron në vendin e parë. Për fat të keq, të rinjtë e pjekur dhe që veprojnë për arsye të matura janë më pak të dhunshëm, kështu pamja e madhe e kryengritjes mbizotërohet në masën më të madhe nga shenjat e një regresioni neurotik. Siç duket, të rinjtë e pjekur shprehin një farë besnikërie të keqkuptuar, duke mos qenë në gjendje të shmangen prej atyre që veprojnë në bazë të shtytjeve të momentit. Pas bisedave me studentët kuptova se numri i atyre me të cilët mund të kuptohesh nuk është aspak aq i vogël sa duket kur sheh pamjen e jashtme të manifestimeve.

Agresioni kolektiv dhe braktisja e plotë e traditave prindërore

Nuk duhet gjithsesi të harrohet fakti që përherë arsyet racionale kanë një shtytje shumë më të dobët se sa forca fillestare, instiktive dhe elementare e agresionit e cila në të vërtetë gjendet përgjatë gjithë fenomenit të mësipërm. Një tjetër gjë e cila nuk duhet harruar është se braktisja e plotë e traditave prindërore bie mbi vetë të rinjtë. Pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Në kohën e "neofilisë fiziologjike", i riu adoleshent ndjen një dëshirë sunduese për t'iu bashkuar një grupi etnik dhe për të marrë pjesë në radhë të parë në agresionin kolektiv. Kjo dëshirë është po aq e fortë sa çfarëdo ndjenje e programuar filogjenetikisht, duke qenë e krahasueshme me urinë apo seksualitetin. Me anë të botëkuptimit të thelluar dhe proceseve mësimore, të gjitha këto do të jenë në rastin më të mirë të përqendruara mbi një objekt, por pa arritur ndonjëherë që mendimi i thelluar t'i drejtojë tërësisht apo t'i zhdukë. Atje ku në dukje arrihet kjo gjë, ekziston rreziku i neurozimit.

Ashtu siç është treguar më parë, procesi "normal" në këtë stad ontogjenetik, me fjalë të tjera procesi rrjedhues në interes të ruajtjes së sistemit të një kulture, qëndron në atë që të rinjtë e një grupi etnik ribashkohen nën shenjën e idealeve të reja dhe riformojnë në mënyrë të përqendruar rregullat tradicionale të sjelljes, pa u shkëputur në tërësi nga të mirat kulturore prindërore. Kështu i riu identifikohet pa u vënë shenja e barazisë, me grupin e ri të një kulture plakë. Duke qenë në natyrën e vet një krijesë kulturore, njeriu nuk mund të gjejë një identitet tërësisht të kënaqshëm përveçse në një kulturë dhe nëpërmjet një kulture. Nëse pengesat e përmendura tashmë e bëjnë të pamundur këtë gjë, atëherë ai do të kënaqë nevojën e identifikimit dhe të pamjes në një grup tjetër me një objekt kompensues, njësoj si në rastin e oreksit seksual të pakënaqur. Në kërkimet e bëra mbi instinktet është parë prej kohësh se me sa lehtësi instinktet e pakënaqura kompensohen me ndihmën e disa objekteve tmerrësisht të papërshtatshme, por vështirë të gjendet një shembull më mbresëlënës se mënyra me të cilën të rinjtë që "vuajnë" për përkatësinë në një grup jo rrallë e gjejnë objektin. Ata nuk mund të mendojnë gjë më të keqe sesa të mos bëjnë pjesë në një grup, duke qenë gati kështu të bëjnë pjesë edhe në më fatkeqen midis bashkësive, atë të të droguarve. Aristide Esser, ekspert në këtë fushë, tregon se përveç mërzisë, për të cilën kam folur në vepra të miat të mëparshme, dëshira për të bërë pjesë në një grup është ajo që çon një numër gjithnjë në rritje të rinjsh drejt drogës.

Atje ku nuk ka një grup të cilit mund t’i bashkëngjitësh, gjithnjë është mundësia të bësh një tjetër "në lartësinë e duhur". Banda të rinjsh pjesërisht apo tërësisht kriminele, të sojit të atyre të përshkruar aq me vërtetësi në të njohurin film muzikor West Side Story, tregojnë një thjeshtim me të vërtetë skematik të programit filogjenetik të grupit etnik, të cilit i mungon për fat të keq përcjellja kulturore, karakteristikë vetëm e grupeve të krijuara në mënyrë natyrale, jo dhe atyre të sëmura. Si edhe në muzikorin e sipër përmendur, shpesh dy banda krijohen në të njëjtën kohë, me të vetmin qëllim për të ofruar objekte të përshtatshme për agresione kolektive. Grupet angleze të "Rocks and Mods" janë, nëse ka akoma, një shembull tipik. Këto çifte grupesh agresive janë sidoqoftë më të lehta për t'u përballuar se sa rokerët e Hamburgut, për shembull, të cilët e kanë gjetur si qëllimin e jetës së tyre të keqtrajtojnë çdo plak pa mbrojtje.

Nxitja emocionale ul aktivitetin mendor, hipotalamusi bllokon korteksin. Më shumë se për çdo ndjenjë tjetër kjo është e vërtetë në rastin e urrejtjes etnike, kolektive, të cilën e njohim fare mirë në formën e urrejtjes kombëtare. Duhet ta kemi të qartë çështjen se urrejtja e brezit më të ri për të vjetrin e ka burimin në të njëjtin vend. Duke falsifikuar çdo lajm të përcjellë dhe duke e zëvendësuar me të kundërtën e tij, urrejtja është më e keqe se shurdhësia apo verbimi i plotë. Çfarëdo që t’iu thuhet të rinjve të revoltuar për të shmangur shkatërrimin e të mirave të tyre fillestare, ka për t’u shndërruar në mënyrë të parashikueshme sikur është një përpjekje e maskuar në mbështetje të sistemit. Urrejtja nuk të bën vetëm të verbër dhe të shurdhër, por mund të të bëjë jashtëzakonisht budalla. Është e vështirë të bindim në interes të tyre ata që na urrejnë. Do të jetë e vështirë t'iu shpjegojmë se gjithçka lindur në rrjedhën e evolucionit kulturor është po aq e pazëvendësueshme dhe e denjë për t’u adhuruar sa edhe përfundimi i evolucionit filogjenetik, do të jetë e vështirë t'iu shpjegojmë se një kulturë mund të shuhet porsi flaka e qiririt.

Përktheu: Luan Topçiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›