E Shtunë, 31 Tetor 2026

Populli shqiptar, ky humbës i madh

Nga Besar Likmeta

Këtë prag feste për ndërrimin e vitit, ndryshe nga çka ndodhur në vitet që shkoi, (sh)përfaqësuesit tanë në parlament janë bashkuar, për të na bërë dhuratë, jo më lëmoshën e kahershme për të mbushur barkun, por një sistem të ri politik.

Për ato që nuk kanë qenë shumë të vëmendshëm me lajmet, dhe që nuk mund tu vihet faj, sepse edhe ne që paguhemi për t’i parë dhe raportuar, krijojmë shpesh një shije neverie nga ajo që shohim, të hënën në parlament do të votohet i shumë përfoluri draft-ligj për prokurorinë.

Megjithatë surpriza nuk është ky ligj, por diçka më e rëndësishme që lidhet ngushtë me të dhe që kulmon me aprovimin e tij, dhe që sigurisht ato breza që do të na vinë pas do ta kujtojnë sigurisht si një moment historik, pak rëndësi se kush do ta shkruajë këtë të fundit.

Pas 17-vjetësh ku elitat tona flirtuan zbehtasi dhe të themi të drejtën me shumë pak virilitet me demokracinë, ato po i rikthehen dashurisë së tyre të vjetër, partisë-shtet, dhe kultit të personalitetit.

Në retrospektivë, nuk është se një gjë e tillë nuk duhet të na bëjë shumë përshtypje, se në fund të fundit, edhe në këto dy dekada të zhurmshme, nuk është se u mbajtën ndonjëherë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Kurrë nuk u ndërtua një media e pavarur që përfaqësonte interesat, dhe kumbiste zërin e qytetarëve, dhe si rrjedhim këta të fundit mbetën veçse një maxhorancë e heshtur, e shurdhët dhe pa verdiktin e votës.

Megjithatë, deri tani edhe mund ta gënjenim veten se pushtetin si popull e kishim të paktën në letër, mirë a keq, ndonjë mikut tonë të huaj mund t’ia hidhnim me modesti idenë e një progresi të avashtë, por në rritje, sa herë që sedra e atdhedashurisë fyhej.

Po çfarë është më e rëndësishmja, mund të gënjenim vetveten duke sharë pa fund nëpër kafene, duke u shtirur të qytetëruar nëpër gazeta me artikuj si ky, dhe mbi të gjitha mund të shpresonim për një të ardhme më të mirë.

Por fatkeqësisht qorrfermani i këtyre dy sulltanëve trashëgimtarë qe ne kemi tani, ndryshe nga ai i mëparshmi, të hënën po arrin ta ndërtojë “një pallat të ri ëndrrash” ku dhe shpresa jonë për drejtësi do të kontrollohet, analizohet, zbutet dhe menaxhohet.

Duhet të jemi të paktën të sinqertë me vetveten se këta dy kopje të këqija të Enver Hoxhës të hënën, siç kishte bërë dhe ai më parë, do të na heqin dhe të drejtën për drejtësi, atë që dhe bajraktarët tanë mesjetarë e kishin shenjtëruar nëpërmjet një kanuni, që sado primitiv, paska qenë edhe vizionar.

Sigurisht nuk jemi më një komunitet skllevërish të leckosur si më parë, ta paktën jo të gjithë. Ata më me fat nga ne janë skllevër modernë, që vishen me tesha të shtrenjta, me një mirëqenie që çdo ditë e më shumë ndahet në proporcion me servilizmin që tregojmë ndaj pushtetit.

Sigurisht shumë syresh nga ne, më shumë se një milion, kanë vendosur dhe të arratisen nga skllavëria, dhe ta krijojnë të ardhmen e tyre në vendet e lira.

Por disa fatzi, si Flavio Deliu, ai katërvjeçari nga Gërdeci, që hyri në histori me jo pak, por me një shpërthim prej shtatëqind tonësh eksploziv, nuk kishin aq fat të mirë sa ne të tjerët.

Ne demokracinë e presim nga ambasadat e huaja, dhe nuk duam ta kuptojmë që këta të fundit kanë derdhur gjak për t’i shporrur shtypësit e tyre.

Dikur dikush mendonte se shteti i së drejtës vinte në formën e çekut të bardhë, kurse tani në atë blu dhe rozë. Mbase një ditë, druaj shumë vonë, do ta kuptojmë që shteti i së drejtës, nuk blihet as dhurohet.

Dhe në qoftë se historia mund të na mësojë diçka, është që fatkeqësisht u përsëritka me të vërtetë, sepse të hënën të gjithë do të kthehemi, edhe një herë, në bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, për krimet e sistemit tonë të ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›