Ina Rama, sot në Kuvend përballë PS dhe PD për ligjin e prokurorisë
Kryeprokurorja, Ina Rama, do jetë sot në Kuvendin e Shqipërisë në Komisionin e Ligjeve për të debatuar me ligjvënësit e majtë dhe të djathtë rreth draftit të ligjit për prokurorinë. Historia e miratimit të ligjit është e gjatë dhe fillon me muajin korrik, kur qeveria shqiptare futi me urgjencë në Kuvend një projekt, i cili ishte tepër i dyshimtë. Pas acarimit të kryetares së Kuvendit, Topalli dhe zonjës Rama lidhur me imunitetin e deputetit Fatmir Mediu, qeveria çoi në Kuvend me urgjencë një draft provokues. Drafti nuk u bë kurrë zyrtar, por ai acaroi ndjeshëm faktorin ndërkombëtar. Në fund të muajit korrik diplomatët amerikanë në Tiranë kërcënuan me mos-ratifikimin e protokollit për NATO-n, nëse ky provokim vazhdonte. Berisha u tërhoq menjëherë publikisht dhe deklaroi se ende nuk ka një draft. Në fillim të gushtit ministri Alibeaj hartoi një draft më të zbutur, por përsëri me probleme. Dhe ai filloi të qarkullonte ilegalisht dhe shërbente si provokim për prokuroren, e cila kishte nisur hetimin e Gërdecit dhe rrugës Rrëshen- Kalimash.
Në fund të muajit shtator qeveria e bëri publik draftin dhe ia çoi për shqyrtim prokurorisë. U ngrit një grup pune nga prokuroria dhe nga misionet e ndihmës ligjore EURALIUS dhe Update, të cilët dhanë vërejtjet e tyre. Ligji u modifikua dhe thuajse u arrit në një version të pranueshëm.
Pas kësaj ligji iu rikthye qeverisë dhe ajo do të çojë sot versionin në Komisionin e Ligjeve.
Dyshimet e prokurorisë janë se ligji mund të ketë pësuar redaktime në Kryeministri dhe mund të jetë bërë pjesë e ndonjë pazari mes PS dhe PD për shkak të Kodit Elektoral.
Ina Rama do të jetë sot aty për të debatuar rreth draftit përfundimtar, i cili pritet të miratohet të hënën në Kuvend pas Kodit Elektoral.
Më poshtë vijojnë pjesë nga ky projektligj. Prokurorët kanë shprehur vërejtje pikërisht për dy prej këtyre neneve, për nenin 17 dhe nenin 28.
Neni 17 thotë se: “Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t’i japë prokurorit, nëse është e nevojshme, një shpërblim të drejtë.”
Por prokurorët thonë se problemi qëndron tek rikthimi në punë.
Ndërsa në nenin 28 thuhet se Ministria e Drejtësisë dërgon në Kuvend një raport me inspektimet e bëra në prokurori. Kjo mund të bëhet shkak që Kuvendi të ngrejë komision hetimor dhe të konkludojë me largimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Më përpara thuhej se raporti i paraqitet presidentit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Dhe neni 13 mbetet i dyshimtë për prokurorët, pasi i lë ata të pambrojtur nga proceset penale duke iu hequr imunitetin.
Pjesë nga projektligji për prokurorinë
Neni 3
Pas pikës 1 të nenit 7, shtohen pikat 1/1, 1/2 e 1/3, me këtë përmbajtje:
“1/1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve me përvojë pune jo më pak se 10 vjet në sistemin e drejtësisë dhe shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale.
1/2. Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë për 5 vjet, me të drejtë riemërimi.
1/3. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet kur shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të rëndë të ligjit ose për akte dhe sjellje, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit të Përgjithshëm”.
Neni 4
Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Prokurori i Përgjithshëm ka këto detyra kryesore:
a) Përfaqëson prokurorinë në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese.
b) I propozon Presidentit të Republikës numrin e përgjithshëm të prokurorëve, pasi të ketë marrë mendimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe përcakton numrin e prokurorëve, për çdo prokurori, përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme.
c) I propozon Presidentit të Republikës emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve.
ç) Cakton drejtuesit e prokurorive dhe zëvendësit e tyre në prokuroritë pranë gjykatave, sipas kritereve dhe procedurave, të përcaktuara në këtë ligj.
d) Miraton strukturën, organikën dhe rregulloret e funksionimit të prokurorive pranë gjykatave dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
dh) Urdhëron komandimin e prokurorëve, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
e) Emëron dhe shkarkon sekretarin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kancelarët e prokurorive.
ë) Përfaqëson prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët, në nivel qendror.
f) Kujdeset për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorisë.
g) Drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e Prokurorisë dhe të policisë gjyqësore.
gj) Nxjerr akte normative (rregullore, urdhra dhe udhëzime), për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga ky ligj ose nga ligje të veçanta, të cilat janë të detyrueshme për prokurorët dhe policinë gjyqësore.
h) Urdhëron kryerjen e inspektimeve, fillon procedimin disiplinor dhe vendos për marrjen e masave disiplinore, si dhe urdhëron fillimin e procedimit penal kundër prokurorëve.
i) Fillon procedimin disiplinor dhe urdhëron procedimin penal të policisë gjyqësore, në përputhje me ligjin e veçantë.
j) Mbikëqyr drejtpërdrejt shërbimin e inspektimit të prokurorisë dhe miraton planin vjetor të inspektimeve të përgjithshme në prokurori.
k) Thërret mbledhjen e këshillit të prokurorisë dhe mund të drejtojë mbledhjet e tij.
l) I delegon me shkrim kompetenca drejtorëve, përgjegjësve të sektorëve ose prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas parashikimeve në këtë ligj ose në ligje të veçanta, me përjashtim të atyre që parashikojnë shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d”, “e”, “h”, “i”, të kësaj pike.
ll) I dërgon Ministrisë së Drejtësisë të dhënat statistikore të ndjekjes penale, për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë.
m) Kryen detyra të tjera, të parashikuara në ligj”.
Neni 13
Pas pikës 1, të nenit 26, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Prokurori pezullohet nga ushtrimi i detyrës, kur ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se pesë vjet”.
Neni 17
Paragrafi i dytë, i nenit 34, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kundër masës disiplinore “shkarkim nga detyra’, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit, Tiranë, ndërsa prokurori pranë kësaj gjykate, në gjykatën e apelit më të afërt. Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t’i japë prokurorit, nëse është e nevojshme, një shpërblim të drejtë.”
Neni 26
Në pikën 1, të nenit 53, fjalët “informon Kuvendin” zëvendësohen me “raporton në Kuvend” dhe fjala “Njoftimi” me “Raportimi”.
Neni 27
Në pikën 1, të nenit 55, shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:
“Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të.”.
Neni 28
Në nenin 56 bëhen këto shtesa:
a) Në fund të pikës 4 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe prokurorin e Përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme për çështjet e parashikuara në pikën 2, të këtij neni. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij për raportin e dërguar nga ministri i Drejtësisë sipas kësaj pike.”.
b) Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Në bazë të rezultateve të kontrollit, ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim, për marrje mase disiplinore, prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e Prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës.”