E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit ku telashet erdhën nga paqja

Nga Mero Baze

Në vitin 2008 politika shqiptare është sjellë krejt ndryshe nga gjithë vitet e tjera me vetveten dhe me publikun. Viti filloi me një konsensus të gjerë politik, që nisi me propozimet e opozitës për një reformë në sistemin gjyqësor dhe përfundoi me miratimin e Kodit Elektoral. Reforma në sistemin gjyqësor ishte një arsyetim për konsensus para marrjes së ftesës për në NATO dhe vazhdoi më pas me reformën kushtetuese, e cila tronditi realisht të ardhmen e politikës shqiptare. Reforma kushtetuese e Shqipërisë e bën Shqipërinë një republikë unike në botë, e pangjashme me askënd, as me diktaturat dhe as me demokracitë për sa i përket të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur pushtetet e tyre. Pas 21 prillit në Shqipëri qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin mes dy të vetmëve, mes kryetarit të PD dhe kryetarit të PS. Gjithë institucionet e tjera të shtetit dhe pushtetit burojnë prej tyre. Ata të dy zgjedhin deputetët, presidentin, dhe si pasojë gjykatat, prokurorinë dhe gjithçka tjetër. Blindimi që i është bërë postit të kryeministrit është po ashtu i pazakontë. Kryeministri te ne nuk mund të rrëzohet me mocion mosbesimi, nëse nuk nxjerr një kundërkandidat dhe mund të vetërrëzohet me mocion besimi, por vendi shkon në zgjedhje për 45 ditë. Kjo e bën atë një kryeministër me mandat të sigurt katërvjeçar duke mos përfillur krizat. Spekulimi me reformën buronte nga fakti se elementë të veçantë të saj i kanë vende të ndryshme, por asnjë vend nuk i ka të gjithë këta elementë. Ne kemi një Kod Elektoral që është i kopjuar nga Spanja, një kompetencë të mbrojtjes së Kryeministrisë që vjen nga Gjermania, një president të dobët që vjen nga vendet me legjislativ me dy Dhoma. Por këto vende kanë mekanizma të tjera balancimi. Gjermania vërtet e mbron Kancelarin, por ai zgjidhet nga Populli direkt, Italia vërtet e zgjedh kështu presidentin, por ka parlament dhe senat, ndërsa Spanja vërtet e ka këtë sistem elektoral, por është Mbretëri dhe kryeministri nuk është i mbrojtur si te ne nga mosrrëzimi. Sistemi ynë është unik, pa hapësirë për forca të reja politike dhe shumë imponues në jetën e brendshme të partive politike. Ai prodhon vetëm servilizëm politik dhe koalicione fiktive.

Zhvillimi i dytë i madh i këtij viti është tronditja përfundimtare e imazhit të qeverisë me duar të pastra. Ngjarja e Gërdecit ndryshoi tërësisht historinë e partisë në pushtet dhe vetë kryeministrin. Berisha pas Gërdecit është një kryeministër në panik dhe agresiv ndaj institucioneve të drejtësisë. Kjo prodhoi një konflikt të gjatë dhe gati të lodhshëm të tij me drejtësinë dhe bashkësinë ndërkombëtare. Hetimi për rrugën Rrëshen- Kalimash, hetimi për Gërdecin dhe së fundi hetimi për sekserin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, kanë rrënuar imazhin e tij në sytë e qytetarëve shqiptarë dhe kanë krijuar konflikte pa fund të tij me median, drejtësinë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Por ky vit do të shënohet në historinë e Shqipërisë si viti kur Shqipëria mori ftesën për t’u pranuar si anëtare e NATO-s dhe de facto vendet anëtare ratifikuan protokollin e anëtarësimit. Në prill të vitit që vjen, Shqipëria do të jetë formalisht anëtare e NATO-s. Kjo do të kërkojë një klasë politike të përgjegjshme, e cila duhet të heqë dorë nga konfliktet me bashkësinë ndërkombëtare dhe përplasjet, sidomos me politikën amerikane rreth çështjeve të drejtësisë dhe pavarësisë së institucioneve në vend. Një vend në NATO është natyrisht një vend më pak sovran, por shumë herë më tepër demokratik dhe i lirë, me standarde që i përcakton NATO. Për këtë arsye shqiptarët mes ruajtjes së aleancës me NATO-n dhe qeverive të tyre do të zgjedhin gjithmonë NATO-n dhe Perëndimin, dhe çdo qeveri e tyre do të votëbesohet në raport me mirëkuptimin që ka me qeveritë perëndimore anëtare të NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›