“Madam Butterfly”, Ermonela Jaho protagoniste në operan e Filadelfias
Në sallën e Teatrit të Operës së Filadelfias, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga më të dëgjuarat në botë, është shfaqur me sukses të jashtëzakonshëm Opera “Madam Butterfly” e Xhiakomo Puçinit. “Madam butterfly” ka pushtuar skenat më të mëdha në botë që kur u shfaq për herë të parë në vitin 1904, nën regjinë e Cinthia Stoke dhe dirigjentit të madh italian Corrado Rovaris, me një nga trupat më të zgjedhura operistike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ngjarje të tilla artistike konsiderohen të rëndësishme nëpër qytete të mëdha siç është Filadelfia, e njohur për Orkestrën e saj Filarmonike dhe jetën intensive muzikore klasike. Lajmi për këtë shfaqje, bëhet i rëndësishëm për shqiptarët, në momentin që në rolin kryesor interpreton një nga yjet e muzikës operistike botërore si sopranoja Ermonela Jaho, tashmë e njohur për debutimet e saj të famshme në operën Metropolitane të Nju Jorkut, atë Mbretërore të Londrës, të Berlinit, Parisit, Lionit, Romës e sa të tjera. Drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës, Flamur Gashi është shprehur se
“Personaliteti i artistes tonë të madhe është i përbërë sa nga dashuria për artin dhe skenën, aq edhe nga dashuria për vendin dhe njerëzit e saj. Ajo është një pjesëmarrëse aktive në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe një mikeshë a afërt e artistëve tjerë që performojnë në Metropolin e Madh të Artit në Nju Jork të drejtuar nga artisti i njohur shqiptar Fadil Berisha.” Shfaqjen e ndoqën edhe një grup shqiptarësh me banim në Filadelfia, të cilët e kanë mbushur skenën me lule, ndërkohë që duartrokitjet nuk kishin të rreshtur. Organizatorët bëjnë të ditur se interesi i shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Filadelfia ishte kaq i madh për këtë opera, sa një pjesë e tyre i kanë ndjekur edhe provat para shfaqjes.
Dita Europiane kundër trafikut njerëzor, shfaqet teatri “Unë udhëtoj... i vetëm”
“Unë udhëtoj... i vetëm”, kështu titullohet teatri interaktiv për fëmijë që pritet të shfaqet në datën 20 tetor në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, me rastin e ditës së tretë Europiane kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Shfaqja organizohet nga Qendra e Informimit dhe Edukimit për Zhvillim, CIES, në bashkëpunim me zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave si dhe falë mbështetjes së Bashkimit Europian. Aktiviteti është një manifestim i denoncimit të trafikimit të qenieve njerëzore parë me sytë e fëmijëve. Në këtë ditë si shumë vende evropiane, edhe Shqipëria, organizon aktivitete dhe bën apel për të ndërgjegjësuar qytetarët në lidhje me fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore. Këtë aktivitet të rëndësishëm do ta përshëndesin zv/endësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqyrem Tafaj etj.
19 Tetor 2009