GIFFONI FILM FESTIVAL, nisin ditën shqiptare të filmit ndërkombëtar për fëmijë
Shkodra është qyteti prej nga ku merr startin edicioni i pestë i “Giffoni Filmfestival Shqipëria”. Projeksionet e filmave më të mirë të këtyre dy viteve të fundit, të përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij festivali shfaqen në kinema “Millenium” të qytetit. Organizatorët kanë menduar tre seanca për dy kategoritë e jurisë, të moshës 12-18 vjeç dhe 18-19 vjeç, secila e përbërë prej 250 të rinjsh të përzgjedhur për të ndjekur këtë festival. Rrugëtimi i këtij aktiviteti në disa qytete të Shqipërisë është kthyer tashmë në një traditë. Sivjet, në vitin jubilar, “Giffoni Filmfestival Shqipëria” e ka zgjeruar gjeografinë e shtrirjes së tij. Pas Shkodrës, filmat më të mirë të përzgjedhur për edicionin e pestë, fiction por edhe realizime me metrazh të shkurtër do të kenë projeksionet e tyre në , Durrës, Elbasan, Korçë për të mbërritur në fund në Tiranë. Kryeqyti do të shënojë përmbylljen e këtij festivali. Një ceremoni i veçantë çmimesh që do të mbahet mbrëmjen e 28 tetorit në Teatrin e Operas dhe Baletit do të përzgjedhë edhe më të mirët e edicionit jubilar. “Giffoni Filmfestival Shqipëria” në këtë edicion jubilar të tij do të shtrihet në më shumë qytete për të qenë sa më afër publikut. Janë zgjedhur prodhimet më të mira të dy viteve të fundit për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti, ndërkohë që edhe pjesëmarrja do të jetë më e madhe”, shprehet Namik Ajazi, president i festivalit. “Broken Hill” një bashkëprodhim australiano-amerikan, “Si të mbijetoj..vetëm” prodhim holandez, “Maksi i turpëruar”, një film që vjen nga Danimarka, “Më i miri”, “Yje të përflakur” janë disa nga filmat e gjatë që do të shfaqen për fëmijët dhe të rinjtë e qyteteve ku do të ndalojë festivali. Ndërkohë që programi i filmave me metrazh të shkurtër përfshin “Mbreti i ishullit”, “Dita ime e fundit e luftës”, “I madhi Piter Tozzi”, “Në barkun e balenës”, “Natyralisti”, “Astrid”, “Sbam”, “Kapelja e vogël” dhe “Oi’ Lioco”. Takimi midis të rinjve të të njëjtës moshë, nga vende të ndryshme, sikurse gjen vend në këtë Festival, kthehet në një mundësi për të fituar një dialog ndërkulturor. Por në të njëjtën kohë krijon mundësinë e njohjes dhe prezantimit të kulturës së një vendi si Shqipëria. Ndërsa tashmë ndodhemi në edicionin e pestë, “Giffoni Shqipëria” lindi nga një ide e Namik Ajazit, gazetar dhe regjisor shqiptar, i cili prej vitesh që nga 1995, ndjek me interes Festivalin e Giffoni-t. Qëllimi ishte rivendosja e raporteve historike që festivali i Giffoni-t ka patur me kinematografinë shqiptare. Kujtomë se vite më parë ishte i pari ndër aktivitete në botë që paraqiti një përmbledhje të kinematografisë shqiptare. Edicioni i parë i “Giffoni Shqipëria” u zhvillua në nëntor të 2005-ës në qytetet e Tiranës dhe Shkodrës, ndërkohë që nga edicioni në edicion ky festival është shtrirë në disa qytete të Shqipërisë, duke çuar atje jo vetëm një zhanër të kinemasë që ka munguar vitet e fundit, por duke u kthyer edhe në një dialog të mirëfilltë mes kulturash. Bashkeëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në këtë pikëpamje është i një rëndësie të veçantë, pasi qëllimi i shkëmbimeve kulturore është promovimi i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis popujve, nëpërmjet kontaktit direkt me realitete të ndryshme sociale e kulturore.
19 Tetor 2009