E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madheshtia e Ronaldos

Nuk thuhet kot, ruaju nga bisha e plagosur. Me plagë në trup ishte edhe superylli i Realit, Kristiano Ronaldo, i vënë në sedër dhe në provë, për shkak të shkëlqimit të Mesit, të sezonit të vështirë madrilen dhe të gjendjes së tij të brishtë psikologjike.
Veçse ka nga ata net që nuk di të zgjedhësh, kur numri 7 “merenges” është në nivel qiellor dhe bën me topin e me kundërshtarët gjithçka që dëshiron.
Është ai që vendos, që bën ditën dhe natën, ashtu siç ia doli në golin e parë ndaj Atletikos në “Bernabeu”, një trajektore balistike që mposhti portierin Kurtua dhe madje tronditi e habiti edhe vetë kapitenin e tij, Iker Kasijas.
Ia vlen të bësh një intermexo. Kasijas e kuptoi shumë mirë kolegun e tij të Atletikos, pasi ka provuar raketat interkontinentale të Lionel Mesit ku Barça është vënë para Realit. Vetëm këtë sezon, janë dy goditje të tilla që ia prishin gjumin ende.
Le të kthehemi tek Ronaldo, “CR7” i famshëm, që ishte Zot e Mbret në “Bernabeu”. Shënoi, dha asiste, vrapoi pa fund dhe goditi shtylla duke qenë aq i pafat saqë as vetë nuk donte ta besonte.
Ai mbeti një problem i pazgjidhur për Diego Pablo Simeonen, trajnerin ambicioz të Atletikos, ndërsa vetëm ndërhyrjet brutale mund të ndalnin turrin e tij.
Ndoshta nuk do ta fitojë Topin e Artë, Mesi e ka një dorë në të, ndoshta nuk fiton dot La Ligën, por gjithsesi, mbrëmja e 1 dhjetorit të vitit 2012 e Kristiano Ronaldos do të mbahet mend gjatë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›