Madhi: Ish-pronarët, të ndarë, të unifikojnë votat
Republikanët shprehin shqetësimin se vetë ish-pronarët janë të ndarë si elektorat në disa parti dhe një sfidë sipas PR-së që mund t’i trashëgohet edhe “Pronësi me drejtësi”, do të jetë unifikimi i votave të tyre. Republikanët janë mosbesues ndaj zgjidhjes së çështjes së pronave, edhe nëse në Kuvend, ish-pronarët do të kishin përfaqësuesit e tyre. Drejtuesit e PR-së mendojnë se një parti pronarësh në Parlament nuk do të ishte efektive në kthimin e pronave, nëse nuk unifikon qëndrimet me mazhorancën dhe se vullneti i kësaj të fundit të ishte pikërisht ky. Deklaratave të “Pronësi me Drejtësi” se ka ardhur momenti të përfaqësohen vetë në Kuvend pas zhgënjimeve nga partitë aktuale, deputeti Arian Madhi i përgjigjet: “Një parti politike, e cila do të mund të krijohet vetëm për qëllimin e pronave, nuk besoj se do të mund të garantonte ajo të drejtën e pronarëve, për më tepër kur kemi shumë pak kohë në dispozicion deri në zgjedhjet e ardhshme”. Madhi bën të ditur se përfaqësimi si subjekt politik i pronarëve nuk do të ketë kosto në elektoratin e PR-së, madje kjo parti ofron aleancën e saj. “Një aleat më shumë së bashku me PR që të mund të bashkonim forcat për një ligj sa me adekuat, një ligj sa më të plotë lidhur me pronat”, - tha Madhi. PR-ja, e cila si tipar identiteti ka çështjen e pronave, nuk ndihet e rrezikuar nga krijimi i një partie të re nga vetë ish-pronarët. Sipas kreut të grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, secili është i lirë të vendosë rrugën e tij, por krijimi i një partie nuk do të zgjidhë çështjen e pronave. Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave mbetet një nga çështjet më problematike në vend.