E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ne, shumë shpejt pa viza në Evropë



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është optimist për të ardhmen e Shqipërisë, pasi beson se në prill do jemi anëtarë të NATO-s, do bëjmë hapa akoma më përpara drejt anëtarësimit në BE dhe shqiptarët do kenë mundësi shumë shpejt të qarkullojnë lirshëm e pa viza në Evropë. Këtë deklaratë kreu i shtetit, Bamir Topi, e bëri gjatë një takimi që zhvilloi dje në Xhafzotaj me komunitetin boshnjak. Duke folur për integritetin e tyre në vendin tonë, Topi i siguroi ata se jeta e tyre bashkë me atë të shqiptarëve do të jetë shumë herë më e mirë, pasi po ecet drejt progresit. Por përfaqësuesit e komuniteti boshnjak në vendin tonë i kërkuan Presidentit Bamir Topi mësimin e gjuhës amtare në baza shtetërore, pasi sipas tyre, deri tani ky mësim bëhet në mënyrë vullnetare. Presidenti Topi gjatë një takimi me ta u premtoi atyre mbështetjen e tij institucionale për mësimin e gjuhës amtare në baza zyrtare. Z. Topi ishte në Borak të Komunës Xhafzotaj, i ftuar nga komuniteti boshnjak që jeton prej shumë vitesh tashmë në këtë zonë. Duke e ndjerë si detyrim institucional, por edhe moral, Presidenti konstatoi se komuniteti boshnjak që ka mbërritur tek ne që në vitin 1875 është ndër më të integruarit në Shqipëri, si një komunitet shumë i emancipuar, punëtor e mjaft mikpritës, që ka ditur të përballet me të gjitha sfidat tona të përbashkëta. Kryetari i shtetit vërejti se 2008-a ka qenë vit i intensifikimit të bashkëpunimit, për shkak edhe të vizitave të Presidentit e Kryeministrit të Bosnjë-Hercegovinës në Shqipëri, por edhe të kontakteve të udhëheqësve të lartë të dy vendeve në forumet ndërkombëtare. “Jam shumë i sigurt, - ka shtuar Presidenti Topi, - se jeta e komunitetit tuaj, sikurse e të gjithë shqiptarëve, do bëhet më e mirë. Shqipëria ndodhet para sfidave shumë të rëndësishme, të cilat do t’i përmbushë me sukses”. Në këtë takim, banorë të komunitetit boshnjak ndanë me Presidentin Topi mendime mbi përditshmërinë e jetës së tyre dhe të ardhmen e vendit. Presidenti u prit nga kryetari i Komunës Xhafzotaj, Agim Hoxhaj, kryetari i shoqatës së komunitetit boshnjak në Shqipëri, z. Fiqiri Klari dhe nga banorë boshnjakë të fshatrave Borak e Koxhas. Në fjalën e hapjes, kryetari i shoqatës së komunitetit boshnjak në Shqipëri, z. Fiqiri Klari, pasi e ka falënderuar Presidentin e Republikës për këtë vizitë të parë si kryetar shteti, ka kujtuar se z. Topi është mik i kësaj zone, pasi e ka vizituar atë vazhdimisht ndër vite. Z. Klari vërejti në fjalën e tij se komuniteti boshnjak ndihet krenar, pasi ai jeton në harmoni të plotë me qytetarët shqiptarë vendas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›