Veshjet e reja për sekretaret gjyqësore, lamtumirë funde të shkurta e dekolte!
Përcaktohet solemniteti gjatë gjykimit, si dhe veshja gjatë orarit zyrtar për sekretare dhe gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë. Tetë nenet e vendimit të KLD-së, përcaktohet veshja edhe për pjesëmarrësit në gjykim
Lamtumirë funde të shkurtra dhe veshje dekolte gjatë orarit të punës për sekretaret gjyqësore. Veshje mjaft serioze gjatë orarit të punës, edhe për gjyqtarët dhe gjyqtaret që ushtrojnë funksionin në gjykatat e vendit. Tashmë, veshja e përcaktuar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të jetë mjaft serioze gjatë kohës së ushtrimit të detyrës. Për herë të parë, nga KLD merret një vendim që rregullon me dispozitë të veçantë veshjen gjatë orarit zyrtar të punës për sekretare dhe gjyqtarë. Nuk do ketë më veshje joserioze, jo të këndshme për syrin e publikut. Gjyqtarët dhe sekretaret të veshura me kostume, pantallona dhe fund, me këmishë dhe xhaketë. Veshja që sekretaret do të veshin gjatë kohës që zhvillohet seanca gjyqësore është miratuar nga Këshilli dhe do jetë uniforme për të gjitha sekretaret gjyqësore. Ajo do të jetë ngjyrë gri, e përafërt me veshjet e gjyqtarëve. Sipas vendimit, KLD përcakton se sekretaret gjyqësore do të kenë një pelerinë të njëjtë me atë të gjyqtarit, por me ngjyrë gri. “Sekretarja gjyqësore duhet të demonstrojë seriozitet në veshje në ambientet e punës së kryer jashtë sallave apo kohës së zhvillimit të proceseve”, - shprehet Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vendimin e tij. Sipas po të njëjtit vendim, gjyqtarët gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore duhet të mbajnë një veshje të posaçme sipas një modeli uniform për gjyqtarët e çdo niveli gjykimi. “Toga e gjyqtarit është veshje me ngjyrë të zezë dhe me një xhufkë në njërën anë të shpatullës, me ngjyrë të kuqe, për gjyqtarët e rretheve gjyqësore, dhe dy të tilla për gjyqtarët e gjykatave të Apeleve. Veshja e përditshme e gjyqtarit ose gjyqtares në ambientet e ushtrimit të detyrës, duhet të jetë serioze dhe e përshtatshme për pozicionin e tij ose të saj zyrtar”, - sqaronte KLD-ja. Ndërsa avokatët dhe prokurori duhet të marrin pjesë në proces të veshur me togën e posaçme, sipas modelit të përcaktuar përkatësisht, nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Nuk do lejohen më procese gjyqësore me palë që nuk respektojnë veshjen e përcaktuar me ligj. Kurse palët e tjera pjesëmarrëse në proces, apo personat e pranishëm gjatë gjykimit, duhet të mbajnë veshje të natyrës serioze dhe që vlerësohen të përshtatshme për ambientet e gjykatës. Përveç veshjeve të cilat duhet të jenë serioze, sallat e gjyqit duhet të jenë të pajisura me mjetet e domosdoshme dhe me standarde të larta. Kështu të gjitha proceset gjyqësore, për sa është e mundur, duhet të zhvillohen në salla gjykimi të përshtatshme për natyrën e çështjes konkrete. Çdo sallë gjykimi, ndër të tjera, duhet të jetë e pajisur me këto elemente treguese të solemnitetit gjyqësor, stemën e Republikës së Shqipërisë, e pozicionuar në pjesën e sipërme të murit që gjendet pas podiumit ku qëndron gjykata. Flamuri kombëtar duhet të jetë i pozicionuar në anën e djathtë të sallës, në krah të podiumit ku qëndron gjykata. Për të ndarë publikun nga pjesët që qëndrojnë subjektet pjesëmarrëse, duhet të vendoset një barrierë prej druri ose materiali tjetër. Vendimi 238/1/b i datës 24 dhjetor 2008 për solemnitetin në gjykim përbëhet nga tetë nene, të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.
Sallat e gjyqit
KLD-ja në vendimin e marrë për solemnitetin në gjykim përcakton se proceset gjyqësore duhet të fillojnë në respektim të orarit të gjykimit të komunikuar dhe afishuar në gjykatë, me përjashtim kur ka një arsye të justifikuar. “Sekretarja gjyqësore thërret në orar subjektet procedurale për fillimin e gjykimit dhe i orienton për vendin e zhvillimit të tij. Në momentin e hyrjes në sallë të trupit gjykues, të pranishmit ngrihen në këmbë, nën njoftimin e sekretares gjyqësore”, - vë në dukje KLD-ja. Më tej, theksohet se gjatë gjykimit, palët pjesëmarrëse duhet të mbajnë qëndrim korrekt dhe sjellje që shpreh respekt për trupin gjykues, duke evituar çdo lloj veprimi të papërshtatshëm në sjellje dhe në të shprehurit e tyre, si në komunikim me trupin gjykues, me subjektet e tjera në proces apo të pranishmit në sallë. Ndërsa komunikimi ndaj trupit gjykues nga palët dhe të pranishmit e tjerë në proces, duhet të bëhet me ton të përshtatshëm, duke iu drejtuar me formën e mirësjelljes “Ju” ose me shprehjen “I nderuar”. Palët pjesëmarrëse në proces duhet të flasin në këmbë përpara gjykatës, po kështu edhe ekspertët apo dëshmitarët e thirrur gjatë procedurës së betimit, me përjashtim të rasteve kur gjendja shëndetësore nuk ua lejon një gjë të tillë.
Solemniteti gjatë zhvillimit të gjykimit
Proceset gjyqësore duhet të fillojnë në respektim të orarit të gjykimit të komunikuar dhe afishuar në gjykatë, me përjashtim kur ka një arsye të justifikuar. Sekretarja gjyqësore thërret në orar subjektet procedurale për fillimin e gjykimit dhe i orienton për vendin e zhvillimit të tij. Në momentin e hyrjes në sallë të trupit gjykues, të pranishmit ngrihen në këmbë, nën njoftimin e sekretares gjyqësore. Gjatë gjykimit, palët pjesëmarrëse duhet të mbajnë qëndrim korrekt dhe sjellje që shpreh respekt për trupin gjykues, duke evituar çdo lloj veprimi të papërshtatshëm në sjellje dhe në të shprehurit e tyre, si në komunikim me trupin gjykues, me subjektet e tjera në proces apo të pranishmit në sallë. Komunikimi ndaj trupit gjykues nga palët dhe të pranishmit e tjerë në proces, duhet të bëhet me ton të përshtatshëm, duke iu drejtuar me formën e mirësjelljes “Ju” ose me shprehjen “I nderuar”. Palët pjesëmarrëse në proces duhet të flasin në këmbë përpara gjykatës, po kështu edhe ekspertët apo dëshmitarët e thirrur gjatë procedurës së betimit, me përjashtim të rasteve kur gjendja shëndetësore nuk ua lejon një gjë të tillë.
Nëpunësi
Sipas KLD-së, në çdo sallë gjykimi duhet të jetë i pranishëm dhe një nëpunës gjyqësor. Ai duhet të njoftojë praninë e gjykatës, të ndihmojë në rregullimin e të pranishmeve, të ndihmojë në korrektimin e sjelljeve të përshtatshme të personave të pranishëm para gjykatës, të zbatojë urdhrat e gjykatës për lëvizjen e njerëzve në sallë.
Neni 3
Veshja e posaçme në gjykim
1. Gjyqtari, gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore, duhet të mbajë një veshje të posaçme sipas një modeli uniform për gjyqtarët e çdo niveli gjykimi. Toga e gjyqtarit është veshje me ngjyrë të zezë dhe me një xhufkë në njërën anë të shpatullës, me ngjyrë të kuqe, për gjyqtarët e rretheve gjyqësore, dhe dy të tilla për gjyqtarët e gjykatave të Apeleve.
Veshja e përditshme e gjyqtarit/gjyqtares në ambientet e ushtrimit të detyrës duhet të jetë serioze dhe e përshtatshme për pozicionin e tij/saj zyrtar.
2. Sekretarja gjyqësore, gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore, mund të mbajë veshje të posaçme të ngjashme me atë të gjyqtarit, me ngjyrë gri të errët. Sekretarja gjyqësore duhet të demonstrojë seriozitet në veshje në ambientet e punës së kryer jashtë sallave apo kohës së zhvillimit të proceseve.
3. Avokati dhe prokurori duhet të marrin pjesë në proces të veshur me togën e posaçme, sipas modelit të përcaktuar përkatësisht, nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Prokuroria e Përgjithshme.
4. Palët e tjera pjesëmarrëse në proces, apo personat e pranishëm gjatë gjykimit, duhet të mbajnë veshje të natyrës serioze dhe që vlerësohen të përshtatshme për ambientet e gjykatës.
Neni 6
Kryetari i gjykatës të marrë masa për afishimin e kopjes së këtij vendimi në një vend të dukshëm brenda ambienteve të gjykatës.