Madhi: Sistemi propocional rajonal, më i miri
Autori i Lajmit: Red.Sistemi më i mirë elektoral për kushtet e Shqipërisë është ai proporcional rajonal, por me korrektim kombëtar. Ky ishte propozimi i bërë dje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi, në kuadër të debatit për reformën zgjedhore, pas rifillimit nga puna të komisionit parlamentar. Madhi shpjegoi se sistemi proporcional rajonal do të thotë që një pjesë e trupës parlamentare të zgjidhet në rajonet përkatëse dhe një pjesë tjetër e kësaj trupe të dalë nga masa e votave që ka dhënë gjithë elektorati shqiptar për një subjekt elektoral. Ai beson se në varësi të sistemit duhet të jetë dhe pragu elektoral. Kryetari i deputetëve republikanë është i mendimit se secili nga subjektet ka të drejtë të formulojë propozimet përkatëse dhe t i parashtrojë ato në Komisionin e Reformës Zgjedhore. “Ato do të konfrontohen me argumenta teknikë dhe politikë nga të gjithë aktorët për të arritur në një bindje të përbashkët, për të gjetur sistemin më të mirë dhe pragun më të përshtatshëm për realitetin historik që ka Shqipëria sot”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007