PR: Të zgjerohet kufiri i veprave penale që dëmshpërblehen
Autori i Lajmit: Red.Partia Republikane këmbëngul në ndryshimin e disa neneve të projektligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi, u shpreh dje se duhet të zgjerohet kufiri i veprave penale që trajtohen me shpërblim. “PR mendon se duhet të zgjerohet kufiri i veprave penale që trajtohen me shpërblim, por kurdoherë kjo të jetë në përputhje të plotë me qëndrimin e mbajtur që nga viti 1993, ku kemi përcaktuar të drejtën për pafajësi të kategorisë së të burgosurve”, - u shpreh Madhi. Ai sqaroi se në amendamentet që Grupi Parlamentar republikan do të paraqesë për draftin e paraqitur nga Qeveria propozohet që shpërblimi për të përndjekurit të ndahet duke përcaktuar grup-moshat mbi 70 vjeç. Sipas tij dëmshpërblimi duhet të jetë më i madh dhe i menjëhershëm për këtë kategori, ndërsa nën këtë moshë ky shpërblim të vijë duke u sfazuar. “PR ka propozuar në mënyrë sa më objektive përcaktimin e pagesës për një ditë burgu, duke pasur për këtë dhe një referencë , - tha ai. Kreu i deputetëve republikanë argumentoi se ndryshimet e propozuara nga PR për projektligjin e qeverisë, vijnë pasi drafti nuk ka të integruar brenda konceptit dhe frymës së ligjeve që janë sot në fuqi, pafajësinë e të persekutuarve, pasi realisht i është dhënë pafajësi një kategorie më të madhe të burgosurish se sa ky ligj trajton sot me të drejtën e shpërblimit të tyre.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007