Madona prish stadiumin, Kapllani nuk luan dot
Më shumë se i mërzitur e bëri udhëtimin e kthimit të tij në Gjermani sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani. Asnjë minutë në dy ndeshjet ndërkombëtare kundër Suedisë e Maltës, edhe pse kishte shënuar në miqësoren e fituar 2-0 kundër Lihteshtejnit. Por tersllëku i mosaktivizimit nuk iu nda as në Gjermani. “Do të luanim kundër Eintrahtit në Frankfurt për Bundesligën 1 në Gjermani, por ndeshja u shty për shkak se fusha ishte dëmtuar nga koncerti që kishte zhvilluar aty Madona ditën e martë në stadiumin e Frankfurtit”, - tha sulmuesi i Karlsruhes, Edmond Kapllani në linjë telefonike nga Gjermania. Me Eintrahtin e Frankfurtit luan talenti kosovar Faton Tosli, i konsideruar si Mikael Balaku i ri. Kapllani flet edhe për mosaktivizimin në Kombëtare: “Më shumë u zhgënjeva. Por, shpresoj që dhe unë të kem minutat e mia në ndeshjet e ardhshme. Dy ndeshjet me Kombëtaren ishin shumë të rëndësishme për të ardhmen time te Karlsruhe”. Mirëpo me këtë vendim të gjyqtarit të takimit nuk ka qenë tërësisht dakord trajneri i skuadrës së Karlsruhes, Edmund Beker. “Ky vendim është një budallallëk, pasi kjo ndeshje mund të pezullohej që ditën e enjte e jo vetëm pak orë përpara fillimit të saj”, -ka kritikuar kreu i bankinës së Karlsruhes, Edmund Beker, këtë vendim të marrë nga gjyqtari i takimit, Torsten Kinhëfer. E ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kinhëferit: “Bari i fushës ishte kaq i dëmtuar, sa rrezikshmëria e lojtarëve për t’u dëmtuar ishte tepër e lartë. Dhe unë mendova vetëm për shëndetin e tyre”.
“Bild” mbyt me elozhe Lalën
Gazeta popullore gjermane “Bild” nuk i ndahet Altin Lalës. Pas elozheve për fitimin e duelit të “shkurtabiqit” shqiptar me gjigantin Zlatan Ibrahimoviç në ndeshjen kundër Suedisë, “Bild.de” vjen me një tjetër kompliment: “Lala, me Shqipërinë ai është një kalorës i kreut”. “Me Shqipërinë fitoi Lala 3-0 kundër Maltës, dhe tani është në krye të grupit kualifikues në Kupën e Botës, duke lënë pas kombe me emër në futboll si Danimarkën, Suedinë e Portugalinë. Edhe pse bëhet fjalë për vetëm dy ndeshje, për shqiptarin e vogël është gati sensacionale, por me klubin e i tij, Hanoverin, ai është në anën tjetër të tabelës së klasifikimit në Bundesligën 1”, - përfundon artikullin bild.de.
Europiani i basketbollit, sot Shqipëri-Qipro
Shqipëria e basketbollit për meshkuj do të luajë sot ndeshjen e dytë ndërkombëtare për eliminatoret e Kampionatit Europian, për Divizionin B, ku marrin pjesë Shqipëri a, Zvicra, Rumania, Qipro, e Bjellorusia. Shqipëria humbi ndeshjen e parë me Zvicën 91-79.
Përfaqësuesja e Qipros ka mbërritur (sot) dje rreth orës 14:30 në Tiranë. Më pas delegacioni mik i drejtuar nga Marios Teodoulu është akomoduar në “Hotel Tirana International. Ndërkohë rivalët e kuqezinjve kanë zhvilluar edhe një seancë stërvitore mbrëmjen e djeshme. Drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani tha se pallati i sportit ‘Asllan Rusi’ ka qenë në dispozicion të miqve nga ora 20:30 deri më 21:30. Llazani bëri me dije se ky orar ishte kërkuar nga vetë qipriotit.
Trajneri Kristos Stilianidhis është ende në dyshim pë aktivizimin e mbrojtësit Gregori Panturis. Nga stafi mjekësor konfirmohet se 26-vjeccari vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërkohë që mësohet se tekniku Stilianidhis do të japë “OK”-in ose jo për lojtarin pak minuta përpara fillimit të ndeshjes zyrtare. Ndërsa ka shumë gjasa të vuajë mungesën e Panturis, Stilianidhis do të ketë nën urdhrat e tij Strati Stilianu, i cili ndaj Zvicrës nuk u aktivizua asnjë minutë. Ndërkaq Kristos Stilianidhis nuk ka preferuar të grumbullojë për 13 shtatorin dyshen Razis Kristofer dhe Jorgos Neofitu.
Rezultatet/Grupi B
6-10 shtator
Zvicër-Shqipëri 91-79
Rumani-Qipro 70-71
Bjellorusi-Rumani 70-59
Qipro-Zvicër 59-61
13 shtator
Shqipëri-Qipro 20:00
Zvicër-Bjellorusi 17:30
RENDITJA
Ekipi F H P
Zvicër 2 0 4
Qipro 1 1 3
Bjellorusi 1 0 2
Rumani 0 2 2
SHQIPËRI 0 1 1
13 Shtator 2008