E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madonna divorcohet nga Ritchie

Madonna dhe Guy Ritchie i japin fund martesës së tyre pas tetë vjetësh. Pas lajmit të publikuar në tabloidin "Sun", ka ardhur edhe konfirmimi. Në fakt, zërat për ndarjen e yllit të popit dhe regjisorit londinez kanë nisur të qarkullojnë nëpër gazeta shumë muaj më parë. "Madonna dhe Guy Ritchie vendosën së bashku për t‘u divorcuar pas shtatë vjet e gjysmë martese. Të dy i kanë kërkuar medias të respektojnë familjen e tyre në këtë moment të vështirë", ka deklaruar zëdhënësja londineze e popstarit, Barbara Charone. Në të vërtetë, gjithçka nisi si një përrallë. Princesha e popit, që pas një vetmie të gjatë dhe një numër të madh burrash të gabuar, rigjeti dashurinë, burrin që priste prej 40 vjetësh. Dasma private u bë në një kështjellë të mrekullueshme në Skibo, Skoci, me të cilin pati dy djem, Rocco-n dhe David Banda-n e adoptuar në Malawi, që u duk se vulosi martesën e tyre të lumtur. Por, pavarësisht divorcit, Madonna nuk u ndal para asgjëje për të vazhduar koncertin e saj në Nju Jork, pjesë e turit të saj botëror që përfundon në dhjetor. Pas konfirmimit zyrtar në pak rreshta dhe asnjë shpjegim nga zëdhënësja, e vetmja gjë që ngelet është marrëveshja ekonomike që nuk është vendosur ende. Qëllimi është që të gjendet në mënyrë miqësore, pa shkuar deri në gjykatë, një veprim që do të ishte në të mirën si të fëmijëve ashtu edhe të vetë çiftit. Nuk dihen ende arsyet e vërteta të ndarjes, por në veçanti mendohet se gjithçka ka nisur prej këngëtares amerikane. Mbretëresha e popit ishte pjesë e pandashme e gazetave këtë verë, si shkak kryesor i ndarjes së një lojtari të "New York Yankee", Alex Rodrigues. Megjithatë, këngëtarja kishte mohuar çdo lloj lidhje me një lojtar bejsbolli, duke saktësuar se e kishte njohur përmes agjentit të përbashkët dhe nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte çuar një herë fëmijët të shikonin një ndeshje bejsbolli të "New York Yankee". Por, pas kësaj, Guy dhe Madonna u shfaqën vetëm disa herë bashkë: në premierën e filmit "RocknRolla"; në festën e 50-vjetorit të saj dhe atë të 40-vjetorit të tij, ku mes të dyve plasi një zënkë që sipas "Sun" e çoi çiftin drejt lamtumirës. "Janë të lodhur të shtiren sikur janë një çift normal. Është një mëkat, sepse kanë qenë kaq mirë bashkë, janë prindër fantastikë", pati deklaruar një mik i Guy-t. Ajo që mbetet për t‘u ndarë për momentin është një pasuri që, sipas "Rich List" të "Sunday Times", vlen rreth 450 milionë euro dhe dhjetë banesa. Vilën në Wiltshire mendohet se do ta marrë Ritchie, ndërsa shtëpinë në Londër Madonna. Pjesa tjetër është për t‘u parë. Megjithatë, sipas ekspertëve, regjisorit mund t‘i takojnë disa miliona sterlina nga ato që Madonna ka fituar gjatë kohës që kanë qenë bashkë. Ndoshta mund të jetë e vërtetë që ndarja është bërë në mënyrë miqësore, por duket se Madonna po përpiqet të marrë avokaten Fiona Shackleton, që ka përfaqësuar princin Karl dhe më vonë Paul McCartney për divorcin ndaj Heather Mills. Këngëtarja që aktualisht është duke bërë një tur nëpër botë, ka ndërmend të largohet nga Anglia për të jetuar në Nju Jork, duke i dhënë mundësi Ritchie-t të firmosë divorcin përpara Krishtlindjeve.

Divorci më i shtrenjtë në Britani

Shumë mendojnë se kjo do të jetë një nga divorcet më të shtrenjta në historinë e Britanisë. Thuhet se këngëtarja i ka ofruar Ritchie-t një nga shtëpitë e tyre që vlerësohet rreth 12 milionë paund dhe një shumë të vogël, që llogaritet diku tek 15 milionë paund. Por, sipas ekspertëve, atij mund t‘i takojë një shumë prej 75 milionë paundësh, ku përfshihet edhe gjysma e pasurisë prej 80 milionësh që kanë fituar gjatë gjithë viteve së bashku. Një shumë e tillë, shumë herë më e madhe se 48 milionët e paguar nga manjati i sigurimeve, John Charman në 2006-ën, mendohet se do t‘u japë çmimin për divorcin më të shtrenjtë në Britani. Madonna, që ka një pasuri prej 275 milionë paundësh, ka zgjedhur edhe avokatët më të mirë për ta përfaqësuar. Megjithatë, miqtë e Ritchie-t thonë se pas një martese "luftarake", presin një divorc paqësor. "Ai nuk dëshiron të marrë asnjë qindarkë", tregon njëri nga shokët për "Daily Mail".

Madonna dhe burrat e tjerë

Pas divorcit me Guy Ritchie, Madonna duket se po e gjen mbështetjen te dy burra të tjerë në jetën e saj. Bëhet fjalë për ish-të dashurin Carlos Leon, i cili është njëkohësisht edhe babai i vajzës së saj, Lourdes, dhe njeriut për të cilin thuhet se është i dashuri i saj aktual, Alex Rodriguez. Sipas zërave që qarkullojnë, trajneri i saj personal, Leon, kohët e fundit është bërë një nga njerëzit më të afërt për të. Thuhet se ai ka qëndruar në apartamentin e këngëtares në Nju Jork, ndërsa ajo është duke kaluar disa ditë në qytet, për shkak të turit të saj "Sticky & Sweet". Një burim i brendshëm i "Sun" tregon se: "Guy dhe Carlos prej kohësh kanë pasur një marrëdhënie miqësore, që u prish kohët e fundit për shkak se Madonna po afrohej gjithmonë e më shumë me Carlos-in". Por, pavarësisht kësaj, lidhja e saj me Alex-in është ajo që ka shkaktuar një zhurmë të vërtetë në shtyp. Shumë e cilësojnë këtë lidhje si arsyeja kryesore e divorcit. "Çifti është shumë romantik dhe mjaft i dhënë pas njëri-tjetrit", shkruan revista amerikane "Us Weekly". Sipas asaj që shkruhet aty, Alex e kupton më së miri situatën ku ndodhet mbretëresha e pop-it dhe hera e fundit që janë parë të darkojnë bashkë ka qenë më 6 tetor. Sipas medias, të dy kanë rënë dakord që ta mbajnë të fshehtë lidhjen deri sa vendimi për divorcin të bëhej zyrtar. Të mendohet se u lidhën në korrik të këtij viti, kur gjatë qëndrimit të saj në Amerikë, Alex ishte parë të dilte shpesh nga apartamenti i saj. Edhe ish-gruaja e Alex, në një intervistë amerikane të dhënë kohët e fundit, e pranoi se Madonna dhe ish-bashkëshorti i saj kanë nisur një marrëdhënie dashurie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›