E Shtunë, 31 Tetor 2026

Florent Mehmeti: “Ju rrëfej sekretin e teatrit ODA”



Beqir SINA
Pas shfaqjes në Nju Jork të premierës shqiptaro-amerikane “Doruntina”, bazuar mbi skenarin e Ismail Kadaresë, regjisori Florent Mehmeti, i teatrit “Oda” të Prishtinës, tregon mbi punën dhe emocionet e krijuara para dhe pas shfaqjes.

Cili është rrugëtimi i teatrit “Oda” në këto pesë vite jetë?
Teatri “Oda” është institucion teatror i pavarur i themeluar në mars të vitit 2003. Vit ky, kur trupa jonë ka shfaqur premierën e parë. Qendra e saj është në Prishtinë te Pallati i Kulturës. Kemi dhënë shfaqje prej nga më të ndryshmeve deri tek shfaqjet provokative si “Monolugu i vaginës”, një tekst i njohur botërisht, shkruar nga Ive Sler. Deri tani, në teatrin “Oda” gjatë një viti janë ngjitur mesatarisht rreth 200 shfaqje artistike me rreth 50 mijë vizitorë. “Oda” ka ndjekur një rrugë të gjatë që kalon prej shfaqjeve të vogla tek shfaqjet e mëdha.
Një ndër sukseset tona ishte komedia “Tre gjermanët e trashë” e cila pasi u shfaq në teatrin tonë pati fatin të emetohej edhe në televizion. Ajo është shfaqur me 63 episode dhe ka qenë më e kërkuara nga publiku në Kosovë. “Oda” është një organizatë e pavarur e përkushtuar në zhvillimin profesional të artit teatror, duke nxitur ndërlidhjen edhe me disiplinat e tjera ajo ndërton baza të forta artistike e kulturore për gjeneratat e ardhshme. “Oda” është e vendosur të luajë rolin e saj në forcimin e sektorit kulturor në shoqëri dhe të ndikojë fuqishëm në ndërtimin e një Kosove të hapur e demokratike.

Si u mundësua bashkëpunimi i teatrit tuaj me teatrin njujorkez “Blessed Unrest”?
Doruntina e teatrit “Oda” erdhi e u lidh me teatrin “Blessed Unrest” në Nju Jork, si pasojë e një bashkëpunimi që kemi pas edhe më parë. Me këtë teatër kemi vendosur lidhjet qysh prej vitit 2005, kur kreu i këtij teatri, me në krye Jussica Burr e cila është themeluese e “Blessed Unrest” erdhi në Prishtinë dhe ne patëm një takim mjaft të mirë. Ky takim siç i themi ne shqiptarët, ishte “një kafe” por zgjati dy a tri orë. Nga të dyja palët u pa një interesim dhe gjetja e pikave të përbashkëta.
Pas këtij takimi ka filluar edhe lidhja, e cila u konkretizua për herë të parë me një shfaqje të trupës “Blessed Unrest” të Nju Jorkut, në Prishtinë në vitin 2006, që titullohej “Laying” (Mashtrimi). Kështu mbetëm të hapur për të kërkuar forma të tjera për të vënë në skenë. Drejtoresha e teatrit njujorkez kishte lexuar në anglisht librin e Kadaresë dhe historia e Doruntinës e kishte impresionuar. Ajo na kërkoi që ta realizonim një shfaqje të tillë dhe ne pranuam me kënaqësi.

“Doruntina” u prit mirë mirë në Nju Jork apo jo?
Po, vërtet është pritur shumë mirë dhe ndoshta edhe më shumë nga çfarë ne të dy trupat e kishim menduar. Të gjitha netët e shfaqjes salla u mbush plot me artëdashës shqiptarë e amerikanë. Ata që e panë duhet dhe do të jenë vlersuesit e shfaqjes.

Po në komunitetin e artistëve shqiptar në Nju Jork, si u prit shfaqja?
Më lejoni të sjell një vlersim të fotografit të mirënjohur Fadil Berisha, i cili ndoqi shfaqjen e parë: “Ëndërra jonë si artistë shqiptarë në Amerikë, ka qenë gjithmonë të bashkojmë artistët shqiptarë dhe ata amerikanë. Jam shumë i lumtur që të shoh se kjo u arrit sonte nga teatri ‘Oda’ që ka merita të padiskutueshme për një gjë të tillë.”

“Doruntina”, si u arrit të gjeni një gjuhë të përbashkët aktrimi mes dy kulturave që janë kaq larg njëra-tjetrës?
Shpesh ne vetë krijojmë disa paragjykime të panevojshme para se t’i hyjmë një pune të tillë. Ky bashkëpunim që ju po ndiqni është një fakt më vete që tregon se aty ku ka vullnet të mirë nuk mund të ketë asfarë largësie në teatër. Do të thoja se nuk ka më “tabu”, kështu që pengesat vetiu bien.

Cilin do të veçonit nga trupa juaj?
Janë katër aktorë: Ilire Vinca Çelaj, Lirak Çelaj, Nentor Fetiu dhe Njomëza Ibraj, të cilët nuk mund t’i ndaj nga njëri-tjetri.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›