Merita Toçila “zbulon” shenjat e shenjtërisë së Nënë Terezës
Petrika GROSI
Askujt nuk i kishte shkuar ndërmend më parë që të luante në fushën e performancës dhe të modës me një detaj kaq interesant dhe domethënës siç janë ngjyrat e veshjes së Nënë Terezës. Ndonëse moda pak ka të bëjë me të varfërit, stilistja Merita Toçila tenton të sfidojë përsëri opinionin me një tjetër risi të vetën. Kjo pritet të ndodhë mbrëmjen e së shtunës në sallën “Iliria” të Hotel “Sheraton”, ku dhe do të zhvillohet performanca artistike e titulluar “Nënë Tereza, shenja shenjtërie”. Rreth 30 modele do të sfilojnë në pasarelën e improvizuar me 30 fustane të ndryshme të stiluara nga Toçila, me tri ngjyrat karakteristike të veshjes së Nënë Terezës. Performanca artistike, veç modës do të sjellë në pjesën e dytë të mbrëmjes edhe një ankand pikturash, të përzgjedhura nga autorët më në zë shqiptarë, prej kuratorit Ylli Drishti. Ky aktivitet, i vetmi në vigjilje të 5–vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës, (bërë më 19 tetor 2003, ora 10.00, në sheshin e Shën Pjetrit në Romë nga Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II dhe shpallur si ditë feste kombëtare në Shqipëri) organizohet nën kujdesin e veçantë të Zonjës së Parë, Teuta Topi, e cila po kështu, për herë të parë mëton të futet në botën e kulturës dhe artit me një iniciativë të tillë. Qëllimi i këtij aktiviteti është vetëm performanca e lartë artistike dhe bamirësia, gjë që e bën edhe më në vlerë për sytë e publikut, pasi i jep ngjyra humane. Piktorët e përzgjedhur për të shitur disa nga punët e tyre në ankandin që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës janë Skënder Kamberi, Anastas Kostandini “TASO”, Artan Shabani, Adnan Kastrati, Orion Shima, Idlir Koka dhe Arben Bajo, ndërkohë që çmimet fillestare të pikturave do të startojnë nga 600-1200 euro, në varësi të veprës dhe autorit. Stilistja tashmë e afirmuar, Merita Toçila, ideatore e kësaj performance thotë për gazetën “Albania” se “do të sjellim një performancë të veshjes së Nënë Terezës, të parë me njё sy artistik. Do të luhet me motivet që kam gjetur në veshje, tre vijat blu që përkufizojnë pëlhurën e bardhë që mbështjell trupin, si në kohën kur njerëzit e njihnin dhe nuk e njihnin artin e prerjes. Kjo performancë e artit të kostumit do të lidhet me artet e tjera, siç është poezia dhe piktura”. Stilistja tregon se nuk e ka pasur aspak të lehtë që të arrijë deri në këtë pikë me organizimin e sfilatës dhe pengesat kanë qenë të ndryshme, duke nisur që nga vëmendja e munguar e Ministrisë së Kulturës për këtë aktivitet të jashtëzakonshëm, deri te sponsorat e munguar, të cilët kanë qenë shumë të pakët për shkak se vëmendja përqendrohet kryesisht drejt koncerteve, apo spektakleve televizive ose atyre të bukurisë. Megjithatë, për koençidencën e Toçilës dhe fatin e saj të mirë, ndërgjegjësimi nuk ka munguar krejt, pasi në krahun e stilistes së talentuar është vënë Zonja e Parë e vendit, Teuta Topi, e cila sigurisht ka dhënë suportin në mënyrën e vet, për mbarëvajtjen e të vetmit aktivitet serioz e njëkohësisht modern në botën artistike e kulturore shqiptare, që lidhet me 5-vjetorin e Lumturimit të Nënë Terezës.
17 Tetor 2008