E Shtunë, 31 Tetor 2026

Instituti i Monumenteve ka miratuar projektet ndërhyrëse



Petrika GROSI
Brenda këtij viti do të nisë restaurimi për monumentet kryesore historike të qytetit antik të Durrësit. Lajmin e bën të ditur nëpërmjet një prononcimi për mediet drejtori i Ateliesë së Monumenteve të Durrësit Edlir Terpo. Më konkretisht bëhet fjalë për amfiteatrin antik, xhaminë Fatih dhe muret e Kalasë të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për shkak të dëmtimit të tyre që ka avancuar në kohë si pasojë e kushteve klimaterike, lagështisë, etj. Gjithashtu, drejt restaurimit shkon një godinë 124-vjeçare e qytetit bregdetar. Sa i takon amfiteatrit, në të do të rikonstuktohen disa galeri të vogla të anës veriore të tij, si dhe do të bëhet disiplinimi i ujërave që rrjedhin në pjesën e arenës. Vetëm për ndërhyrjet urgjente në galeritë dhe shkallaren e lagjes Kala, ndërtuar në shek. I Pas Krishtit, Instituti i Monumenteve të Kulturës ka caktuar një fond prej një milionë lekësh, ndërkohë që xhamia Fatih do të rikonstruktohet në bashkëpunim me komunitetin mysliman të Durrësit. Për këtë monument të vjetër fetar IMK-ja ka akorduar një shumë të pamjaftueshme vetëm prej 500 mijë lekësh, ndërsa komuniteti mysliman ka marrë përsipër të përgjigjet për pjesën tjetër të fondeve. Ndërhyrjet do të bëhen nga specialistët në mjediset e brendshme të objektit të kultit, në çati dhe mbi fasadë. Xhamia ka një histori interesante pasi është ndërtuar në shek XIX pikërisht mbi rrënojat e një tjetër vendi të shenjtë, që ka qenë i krishterë. Drejt rikonstruktimit po shkon dhe një shtëpi e vjetër e cila ka shërbyer dikur si konsullatë e Austro-Hungarisë.
Drejtori i Atelisë se Durrësit tregon se specialistët po ndjekin hap pas hapi punimet e privatëve, në mënyrë që të mos ketë devijime në restaurimin e shtëpisë së dëmtuar, e cila përbën një monument historik kulture. Një shumë tjetër prej 470 mijë lekësh kalon ndërkaq për restaurimin e menjëhershëm të Kalasë së Peqinit.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›