E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrimi parandaloi pastrimin e 4 mln eurove

Gjatë arrestimit të Shpëtim Kadanës në Itali

Dy persona të akuzuar për trafik droge dhe femrash në Itali, të cilëve iu bllokuan provizorisht 4 milionë euro prona, kanë tentuar ti pastrojnë burimet e tyre të pasurisë.
Me kërkesë të njësisë Task Force Antikorrupsion, gjykata ka vendosur sekuestro preventive për pasuritë e shtetasve Vasil Bajraktari dhe Shpëtim Kadana. Gjatë hetimeve, organi i akuzës ka zbuluar pasuritë që ishin hedhur në emër të të afërmve të dy shtetasve shqiptarë të akuzuar njëri për trafik droge e tjetri për shfrytëzim prostitucioni. Nga hetimet është zbuluar se, pasi i kanë vendosur pasuritë në fjalë siç dyshohet me të ardhura nga aktiviteti kriminal, të dy personat janë përpjekur të krijojnë aktivitete të ndryshme biznesi me atë afërmit e tyre, me të cilat më pas të justifikonin pronat e vendosura të cilat tashmë janë bllokuar. Të dy personat, Vasil Bajraktari dhe Shpëtim Kadana, mësohet se janë persona në hetim për pastrim të produkteve të veprës penale.
Bajraktari
Sipas hetimeve të Prokurorisë, Vasil Bajraktari, njëri prej personave të cilit i është bllokuar pasuria, është dënuar në datën 15 prill 2011 nga Gjykata e Tiranës e cila ka bërë njohjen e Vendimit te Gjykatës së Apelit TorinoItali, të dhënë në datën 13 prill 2007, i formës së prere më date 02.06.2007, për masën 8 (tetë) vjet burgim për shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese. Gjykata e Apelit Tiranë, në datën 15 dhjetor 2011, ka vendosur dënimin e të akuzuarit me 7 vjet burgim. Nga hetimi pasuror, Prokuroria ka mësuar se në datën 15 shkurt Vasil Bajraktari është regjistruar në regjistrin tregtar si person fizik. Vendi i ushtrimit të aktivitetit ishte barhotel Piemonte në rr. Gjin Bue Shpata, ndërsa fusha e veprimtarisë bar-hotel. Po kështu, më datë 2 korrik 2009 është regjistruar subjekti Alfatino sh.p.k me përfaqësues ligjor shtetasin Albert Bajraktari.
Kadana
Personi i dytë të cilit iu bllokuan pasuritë, është Shpëtim Kadana. Ai në vitin 2007 ka pasur precedent në Mynih të Gjermanisë për falsifikim dokumentesh. Në maj 2007 deri në qershor 2009 ai është hetuar në kuadër të operacionit Cesar, si anëtar i një organizate kriminale të trafikut të kokainës dhe heroinës. Ndërkohë në datën 29 shkurt 2012, Shpëtim Kadana, i njohur dhe me emrin Sandro, është arrestuar në Romë të Italisë. Ai u akuzua si kreu i një organizate kriminale me bazë në Romë dhe që trafikonte kokainë nga Holanda dhe Belgjika në drejtim të Italisë e Greqisë. Bashkë me Kadanën, u arrestuan edhe katër shqiptarë të tjerë, ndërsa u sekuestruan 20 kilogramë kokainë dhe tri armë zjarri pistoleta. Në janar 2011, Kadana është hetuar për trafik droge edhe në Zvicër, ndërsa në vitin 2003 ndaj tij ka pasur akuzë për falsifikim dokumentesh në Kosovë. E ndërsa aktiviteti kriminal i trafikut të drogës ishte kryer më parë, sipas hetimeve, më datë 4 mars 2010 babai i të akuzuarit ka regjistruar një biznes me emrin Kadana sh.p.k me aktivitet ne fushën e tregtisë, import-eksportit të mallrave, restorant- hoteleri, lavazh, tregti karburanti me pakicë.

Sekuestrimet
Pronat e Kadanës, Tiranë

- Pasuri në Kamzë-Tiranë, arë me sipërfaqe 1050 metra katrorë, blerë më datë 18.10.2006 me një çmim 150.000 lekë
- Pasuri në Bërxull-Tirane, arë me sipërfaqe 6.000 metra katrorë, blerë më datë 06.09.2005 me çmim 5.400.000.
- Godinë 3katëshe e cila është vendosur si seli e shoqërisë Kadana sh.p.k.

Pronat e Bajraktarit, Tiranë

1.     Apartament, me sipërfaqe 71.1 m2 në pronësi të Drita Bajraktarit

2.    Apartament me sipërfaqe 47.4 m2 në pronësi te Drita Bajraktarit regjistruar më datë 11.05.2011.

3.    Godinë me sipërfaqe 110.4 m2 në pronësi të Drita Bajraktarit, regjistruar më dt. 09.12.2011.

4.    Njësi tregtare me sipërfaqe 25 m2 në pronësi të Drita Bajraktarit, regjistruar më dt. 12.08.2010.

5.     Njësi tregtare, me sipërfaqe 25 m2 në pronësi të Drita Bajraktarit, regjistruar më dt. 12.08.2010.

6.     Apartament me sipërfaqe 107.2 m2 në pronësi të Drita Bajraktarit, regjistruar më dt. 30.09.2009.

7.     Apartament me sipërfaqe 64 m2 në pronësi të Bajram Bajraktarit

8.     Apartament me sipërfaqe 147 m2 në pronësi të Bajram Bajraktarit, regjistruar në vitin 2003.

9.     Lokal me sipërfaqe totale të truallit 750 m2, me sipërfaqe ndërtimore 452 m2, sipërfaqe oborri 298 m2, regjistruar më dt.16.06.2001 në emër të Drita Bajraktarit.

10.     Bodrum me sipërfaqe totale 13.75 m2 në pronësi të Vasil Bajraktarit, regjistruar më dt. 12.06.2008.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›