Tifozi nudist nje milioner anglez

Tifozi anglez që tentoi të ndihmonte “Tre Luanët” gjatë penalltive në çerekfinalen me Italinë, duke ulur pantallonat është një biznesmen milioner. Tabloidi britanik “The Sun” ka zbuluar identitetin e fansit që ndërmori veprimin e pazakontë: ai quhet Tim O’Liri dhe është 35 vjeç.
“Thjesht po mundohesha të jepja kontributin tim për Anglinë. Ishte një ide që më lindi aty për aty. Do të bëja gjithçka që ta shikoja përfaqësuesen duke fituar, por fatkeqësisht veprimi im nuk funksionoi”, tha ai.
Gazetat angleze u vunë menjëherë në punë për të zbuluar se cili ishte tifozi që ndodhej pas portës së Xho Hart dhe që uli pantallonat me shpresën se veprimi i tij do të shpërqendronte italianin Diamanti.
O’Liri konfirmoi mes të tjerave, se përpara 11-metërshave, iu desh të vraponte nga tribuna e krahut tjetër për të zënë një vend për në krahun nga do të ekzekutoheshin penalltitë, pas të cilave Anglia u eliminua nga Euro 2012.
“Për pak sa nuk pësova një infarkt në zemër duke vrapuar nga njëra tribunë në tjetrën. Vrapova sepse e dija që do të humbisnim me 11-metërsha dhe doja ta hutoja lojtarin italian”, tha tifozi, që zotëron një vilë me vlerë rreth 7.5 milionë euro, ndërsa fqinji i tij është mbrojtësi Xhon Terri.
Tim O’Liri është një prej tifozëve që e ka ndjekur Kombëtaren angleze në fazën e çdo aktiviteti madhor prej Euro 2004, duke përfshirë këtu edhe Kupat e Botës në Gjermani dhe Afrikën e Jugut. Ai konfirmoi se kishte udhëtuar edhe për Europianin në Poloni dhe Ukrainë, duke lënë në shtëpi bashkëshorten, Klara e cila është 8 muajshe shtatzënë dhe pret binjakë.