Madrilenët kërkojnë fitore në Santiago Bernabeu
MADRID- Reali i Madridit do të kërkojë të kalojë për herë të parë në 6 vitet e fundit në çerekfinale të Champions League, kur të presë sot në mbrëmje Lionin në Santiago Bernabeu. Për madrilenët do të mungojë sulmuesi Karim Benzema i dëmtuar, një mungesë e rëndësishme duke parë se spanjollëve u duhet të përmbysin disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë. “Ata nuk mund të vijnë këtu dhe të mbrohen që nga minuta e parë, sidomos tani që ne jemi në formë, - deklaroi sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain. – Duhet të tregojmë se jemi Reali i Madridit dhe se duam të kalojmë në turin tjetër, aty ku i takon kësaj skuadre të jetë”, shtoi ai. Një tjetër mungesë e rëndësishme për Realin është mesfushori Ksabi Alonso, por ndoshta në vend të tij mund të luajë Guti ose Van Der Vart, dy heronjtë e ndeshjes me Seviljen. Trajneri Pelegrini beson se skuadra e tij do të dijë ta kalojë Lionin, sidomos pas formës së mirë të treguar të shtunën ndaj Seviljes në kampionat. “Por, Lioni është një rival shumë i vështirë, kështu që shpresoj të luajmë sa më mirë dhe të fitojmë”, shtoi tekniku kilian që drejton Realin.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)