E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson: Runi i gatshëm për sfidën kundër Milanit

LONDER- Uejn Runi do të jetë i gatshëm për të luajtur në ndeshjen ndaj Milanit, duke e lënë pas kështu dëmtimin e pësuar një javë më parë në miqësoren Angli-Egjipt. Sulmuesi, që ka shënuar 23 gola vetëm në Premier Ligë këtë sezon, mungoi të shtunën në kampionat, por ky problem tani duket i kaluar. Në prag të një sfide të tillë, trajneri Aleks Ferguson nuk mund t’i shmangte komentet për Devid Bekham, që rikthehet në Old Traford pas 7 vitesh. “Mendoj se forca më e madhe e Devid kanë qenë gjithnjë krosimet e tij dhe nëse do të luajë ndaj nesh, duhet të kemi kujdes nga këto krosa. Sot ai do të luajë me më shumë grintë”, tha tekniku skocez. Ferguson ndërkohë nuk e quajti negativ faktin se mosha mesatare e Milanit është më e madhe se ajo e Mançesterit. “Në 15 vitet e fundit Milani ka qenë tepër i suksesshëm duke mbajtur deri në moshën 40 vjeçare futbollistë si Maldini apo Kostakurta, kështu që mund të them se kjo vetëm sa u jep atyre më tepër eksperiencë”, shtoi trajneri i Djajve të Kuq. Në ndeshjen e sotme Mançesterit do t’i mungojë mesfushori Majkëll Kerrik i pezulluar si edhe të dëmtuarit Ues Braun, Majkëll Ouen e Rajan Gigs. Fitorja 3-2 në Itali u jep një avantazh të dukshëm kampionëve të Anglisë për këtë ndeshje.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›