Mafia e mjekëve, bashkëpunim me agjencitë e funeraleve për pacientët që vdesin
Agjensitë funerale dhe mjekët janë duke kryer prej vitesh pazare, të cilat ju mbushin atyre xhepat në mënyrë të shpejtë e të sigurt. Ky skandal është publikuar vetëm rreth katër vjet më parë, dhe për tu mbyllur sytë qytetarëve të cilët janë bërë pre e këtyre
pazareve janë pushuar nga puna disa infermiere të cilat mendohet se kanë ndërhyrë midis familjarëve dhe pronarëve të agjensive funerale duke u siguruar ceremoninë mortore pacientëve të sëmurë rëndë edhe pse këta të fundit ende nuk i kishin mbyllur sytë e nuk kishin ndërruar jetë. Në lidhje me këtë skandal i cili duket se prej vitesh ka lulëzuar në mënyrë të shpejtë, e pothuajse është harruar krejt nga instancat shtetërore përkatëse, gazeta SOT sjell fakte të reja e tronditëse. Burime nga Shoqata Kombëtare e Konsumatorëve Shqiptare kanë sqaruar për gazetën se pothuajse çdo ditë janë vetë mjekët e shefat e shërbimeve ata të cilët bëjnë rolin e sekserëve me pronarët e agjensive funerale në kryeqytet e më gjerë, dhe në këmbim mbushin xhepat duke mos pësuar asnjë penalizim. Edhe pse realisht ky veprim është antiligjor ,midis mjekëve apo infermiereve të cilët në mënyrë të fshehtë bëjnë edhe ofertat për të sëmurët të cilët janë më së shumti në spitalin nr 5 apo në pavijonet e spitalit Onkologjik, kjo gjë nuk përbën asnjë shkelje madje tek bluzat e bardha në lidhje me këtë shkelje nuk ekzistojnë as normat njërëzore. Sipas Shoqatës së Konsumatorëve vetëm për vitin 2009 në dyert e kësaj shoqate, familjarë të personave që tashmë kanë ndërruar jetë për shkak të sëmundjeve të rënda kanë dorëzuar në rregjistrat e zyrës qëndrore rreth 3000 ankesa nga i gjithë vendi. Mesa duket mënyra e të bërit pazar ndërmjet mjekëve dhe agjensive funerale është shtrirë edhe më gjerë duke, depërtuar edhe në ambientet mjekësore në rrethet e tjera të vendit. Ndër të tjera Shoqata e Konsumatorëve thekson faktin që edhe pse ankesat që i përkasin këtij problem i cili është një ndër më shqetësuesit nga qytetarët asnjë nga instancat shtetërore si ministria e Shëndetësisë apo edhe Ministria e brendshme nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndaj shkelësve. Në këtë kontekst Ministria e Shëndetësisë duhet tu heqë të drejtën e profesionit të gjithë mjekëve të cilët kryejnë rolin e sekserit me agjensitë funerale, cila duhet të verifikojë shkeljet që kryejnë mjekët dhe duhet ti ndëshkojë ata dhe stafi i tyre i ngushtë. Ndërsa Ministria e Brendshme duhet ta ndjekë çdo rast nga ana ligjore duke i penalizuar në mënyrë të drejtë edhe mjekët por edhe pronarët e agjensive funerale në këtë rast.
Precedenti
Sipas Shoqatës së Konsumatorëve, në shumë raste është stafi mjekësor që u propozon të afërmve një ceremoni funerali ideale a thua se çdo gjë kryehet për një festë e jo për një mort. Sipas ankesave dhe përmbajtjes së tyre qytetarët e në këtë rast të afërmit sqarojnë se edhe pse personi i sëmurë ende nuk ka ndërruar jetë zakonisht mjekët i këshillojnë të afërmit që të përgatisin gjithçka për varrimin, duke filluar nga detajet që prej arkivolit, luleve, drekës apo në rastet më banale edhe kostumet e personit që edhe pse nuk i ka mbyllur sytë ende nga mjekët është vetëm një element përfitimi për të mbushur xhepat akoma edhe më shumë. Sipas shoqatës problemi korruptiv midis agjensive funerale dhe mjekëve të cilët në këtë rast fitojnë shuma të majme. Sipas të dhënave nga shoqata, ky problem është një ndër më shqetësuesit përsa i përket ankesave nga konsumatorët pas mungesës së ilaçeve, dhe sigurisë apo rritjes së çmimit të produkteve ushqimore. Në lidhje me këtë problem Shoqata e Konsumatorëve ka bërë disa herë apel në organet kompetente për marrjen e masave por asgjë nuk ka ndryshuar, dhe pazari ndërmjet palëve vazhdon të rritet dita ditës. Sipas shoqatës rastet e shkeljeve më të mëdha janë sipas ankesave janë konstatuar në spitalin nr 5 në të cilin mjekët e stafi mjekësor bëjnë hapur pazare me jetën e njerëzve duke i bërë gati ceremoninë mortore edhe në rastet kur ata nuk kanë ndërruar jetë ende. Por nuk mbetet mbrapa edhe spitali onkologjik duke parë edhe rastet e vdekshmërisë të cilat në këtë spital janë në shifra tejet problematike. Sipas shoqatës ka raste që mjekët mund të kryejnë me pronarët e agjensive funerale edhe disa raste në ditë kontratash të cilat kryhen në fshehtësi të plotë dhe në shumë raste u bëhet presion edhe vetë familjarëve për mos ti treguar detajet në asnjë rast, e kjo për shkak të etikës së mjekut, gjë e cila në këto raste është e vetmja gjë e harruar nga bluzat e bardha, duke shkelur çdo normë njerëzore e profesionale.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Shtune, 12 Qershor 2010 08:32