E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhbogar: Të vendoset për të ardhmen me ekuilibër më të madh gjinor

PRISHTINË- Të vendoset për të ardhmen me ekuilibër më të madh gjinor, thekson Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, duke mirëpritur dekretin e lëshuar rishtaz nga Presidentja Jahjaga për mbajtjen e zgjedhjeve komunale.

"Do të dëshiroja ta shfrytëzoja këtë rast për të bërë thirrje për zgjedhje të drejta, demokratike dhe transparente. Si në çdo demokraci tjetër, zgjedhjet e Kosovës do të jenë mjeti më i rëndësishëm që u siguron qytetarëve pjesëmarrje politike aktive dhe rol vendimtar të tyre në procesin e qeverisjes demokratike”, shprehet ai në një deklaratë dërguar sot nga Zyra e BE në Kosovë.

Zhbogar siguron se Bashkimi Evropian do të përcjellë me kujdes përgatitjet dhe mbajtjen e zgjedhjeve në nëntor.

"Ne shpresojmë se pjesëmarrja në katër komunat veriore do të dëshmojë dëshirën e njerëzve që jetojnë atje për të shikuar drejt së ardhmes së përbashkët evropiane”, thekson ai.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë më tej shprehet se, pas vizitës së pothuaj secilës komunë në Kosovë, unë mund t’ju them se kam takuar shumë njerëz të dedikuar, me vizion për mënyrën e përmirësimit të jetës së qytetarëve të tyre. "Mirëpo, mungesa e kryetareve femra në komuna ishte më se evidente. Prandaj do t’i inkurajoja të gjitha partitë politike që të bëjnë përpjekje më të mëdha në gjetjen e kandidateve femra për kryetare komunash dhe anëtare të kuvendeve që të sigurohet një ekuilibër gjinor edhe në qeverisjen lokale – parimi që tashmë ka dëshmuar se jep rezultate në politikën kosovare", përfundon Zhbogar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›