E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamilton, triumf mes spektaklit në Gjermani

GJERMANI- Ljuis Hamilton ka triumfuar në Çmimijn e Madh të Gjermanisë, duke ngushtuar disi diferencën me kryesuesin e kampionatit botëror Sebastian Fetel. Në Nurburgring, piloti britanik ka qenë tepër agresiv, duke marrë kryesimin e garës që në start dhe duke dhuruar momente të shumta spektakolare.

Në fund, ai ka lënë pas Fernando Alonson e Ferrarit, ndërsa vendi i tretë i shkoi Mark Veber. Gara e Gjermanisë ka qenë një nga më të bukurat e këtij sezoni, sidomos me duelet Alonso-Fetel në fillim dhe Alonso-Hamilton në fund. Piloti spanjoll i Ferrarit ka qenë shumë agresiv në disa momente, duke kaluar edhe Fetel edhe Hamilton, por ndaj këtij të fundit është dorëzuar shumë shpejt, duke zënë vetëm vendin e dytë në fund. Ndërkaq, kampioni i botës në fuqi Sebastian Fetel u rendit i katërti, duke kaluar në çastet e fundit Felipe Masën me Ferrarin.

Një garë të mirë ka zhvilluar edhe Mikael Shumaker, që u rendit i teti, duke u kaluar edhe nga Adrian Sutil e Niko Rozberg. Pas kësaj gare, Botërori i Formula 1 kryesohet nga Sebastian Fetel me 216 pikë, i ndjekur nga Mark Veber me 139 dhe Ljuis Hamilton me 134. Vendi i katërt i takon Alonsos, që ka 130 pikë. Diferenca mes Fetel dhe ndjekësve të tij është e frikshme për momentin, madje ai mund të mos garojë për 3 gara dhe më pas të rikthehet sërish i pari.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›