E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lënë Vëllaznimin për Deçanin

Tre futbollistë gjakovarë, Alban Xharavina, Rilind Juniku dhe Shpat Tetrica, janë larguar nga Vëllaznimi për t’iu bashkuar ekipit të Deçanit.

I pari veçse ka arritur marrëveshje me ekipin nga Liga e Parë e Kosovës, kurse dy të tjerët pritet të ndjekin rrugën e tij shumë shpejt. Treshja gjakovare synon ta ndihmojë Deçanin të inkuadrohet në Superligë.

“Vendosa ta lë Vëllaznimin, sepse nuk kisha hapësira të mjaftueshme. Deçani ishte i interesuar që të jem pjesë e këtij ekipi për t’i arritur qëllimet, do të thotë inkuadrimin në Superligë. Ky ekip ka organizim të mirë dhe përforcimet që po bën mund t’i arrijë objektivat. Ky fakt më shtyri t’i bashkohem këtij ekipi për gjashtë muaj. Nëse kemi sukses, mund ta vazhdojmë bashkëpunimin”, deklaroi portieri Xharavina, i cili falënderoi kryesinë, shtabin teknik të drejtuar nga Ajet Shosholli, bashkëlojtarët dhe tifozët ‘Kuqezinjtë e Jakovës’ për përkrahjen e vazhdueshme që i dhanë.

Ndërkohë, mbrojtësi Tetrica dhe mesfushori Juniku pritet t’i marrin shumë shpejt dokumentet nga Vëllaznimi për t’iu bashkuar Deçanit.

Dy të fundit po ashtu nuk kishin hapësira të mjaftueshme tek ekipi gjakovar gjatë vjeshtës, kështu që vendosën ta ndërronin mjedisin për të luajtur në vazhdimësi. Treshja gjakovare nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të rikthehet në ekipin e tyre të zemrës, Vëllaznim.

Edhe futbollisti tjetër i ri, Arian Jasiqi mund të largohet nga Vëllaznimi për t’iu bashkuar tre shokëve në Deçan.

Në fund, drejtuesit e Vëllaznimit nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Robert Gjerajn, kështu që futbollisti prizrenas momentalisht është i lirë. Në situatë të tillë është edhe Roland Duraku, i cili që disa javë është duke pritur përgjigje nga kryesia e klubit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›