E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë

Autori i Lajmit: red.
Një vend me shumicën e popullsisë myslimane, mirëpriti këtë muaj një ekspozitë, që nxori në pah një kapitull të historisë botërore që nuk është publikuar ende aq sa duhet deri më sot. Ekspozita bën fjalë për disa myslimanë që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë, gjatë viteve të “Holokaustit” në Luftën e Dytë Botërore. Është fakt i njohur se shumica e liderëve islamikë, duke përfshirë dhe myftiun e madh të Jeruzalemit, bashkëpunuan me nazistët për të predikuar haptazi propagandën antisemite, dhe rekrutuan zyrtarë arabë, për të mbështetur luftën e Adolf Hitlerit kundër hebrenjve. Edhe mbas më shumë se gjysmë shekulli, ka ende liderë, kryesisht nga Lindja e Mesme, si Presidenti i Palestinës, Mahmud Abaz, apo Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, që shprehin të njëjtin qëndrim, dhe janë bërë tashmë të njohur për mohimin që i bëjnë haptazi ekzistencës së Holokaustit. Edhe pse shpesh “nuk vihet re”, ka gjurmë të shqiptarëve myslimanë që kanë rrezikuar jetën e tyre, për të shpëtuar qytetarët nga Izraeli. Shqiptarët, jo vetëm i kanë ndihmuar për t u shpëtuar jetën hebrenjve, por u kanë hapur dhe dyert e shtëpive për t i strehuar për një kohë të gjatë, nga vendet fqinje që i përndiqnin. Shqipëria është një nga vendet e vetme joevropiane, që pas pushtimit të nazistëve në Luftën e Dytë Botërore, kishte më shumë hebrenj se sa kishte përpara konfliktit. Në Shqipëri, përpara luftës, jetonin rreth 200 hebrenj, por numri i tyre u rrit në disa qindra, pas përndjekjes së bërë nga Hitleri me të ardhur në pushtet. Vetëm një familje është raportuar e dëbuar dhe më pas vrarë, gjatë gjithë pushtimit nazist në këtë vend, popullsia e të cilit refuzoi të bashkëpunonte me Hitlerin për të dorëzuar listën me emrat e hebrenjve që fshiheshin në secilin shtet. Në vitin 2007, Muzeu Memorial i Holokaustit, “Yad Vashem”, shfaqi një ekspozitë të fotografit hebreo-amerikan, Norman Greshman, puna e të cilit vërtetoi ndihmën që shqiptaro-myslimanët dhe familjet e tyre kishin dhënë në ndihmë të të parëve të tyre. Madje, Shqipëria renditej në një stendë të veçantë të muzeut: “Shtetet më të drejta”. Kjo stendë pozicionohej në pjesën kryesore të muzeut në qendër, për shkak të rëndësisë që vetë hebrenjtë i japin shpëtimit të izraelitëve evropianë. Kjo ekspozitë u zhvendos muajin e fundit dhe në Shqipëri, me kujdes dhe financim të veçantë të qeverisë dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Unë kam takuar myslimanë që kanë shpëtuar hebrenj. A e ka dëgjuar ndonjëri këtë”? – tha Greshman duke folur për gazetën “ËorldNetDaily”. “Unë dua të ofroj ndihmën time për të nderuar këta njerëz, në emër të popullit hebre”. Greshmani, kohë më parë, ka publikuar dhe një libër të titulluar “Besa”, e cili shkruan për myslimanët që ndihmuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Besa është një shenjë nderi, që gjendet thellë në traditën e shqiptarve, dhe që kërkon përgjegjësinë që ka secili individ i shoqërisë, për jetën e të tjerëve në rast nevoje. “Unë nuk jam i sigurt se cila ka qenë arsyeja që shqiptarët kanë ndihmuar hebrenjtë”, - shpjegoi më tej Greshmani. “Disa më kanë thënë se ata thjesht donin të ndihmonin fëmijët e zotit; të tjerë kanë thënë se ishte Kurani apo besa, apo që nuk ka besë pa Kuran dhe anasjelltas. Ekzistojnë të gjitha këto arsye dhe shpjegime, por ajo që është më e besueshmja, është ndjenja njerëzore”. Greshmani tha se i janë dashur pesë vite për të grumbulluar materialet për këtë libër. Atij i është dashur të udhëtojë shpesh në Shqipëri, dhe të vizitojë familjet që kanë ndihmuar bashkëkombasit e tij. Në parathënien e librit të Akbaar Ahmedit, kryetarit të Studimeve Islamike në Universitetin Amerikan, shkruhet: “Unë shpresoj se shembulli i shqiptarëve do të shërbejë si frymëzim për të tjerët, myslymanët dhe njerëz të besimeve të tjera, për të ecur në gjurmët e tyre, dhe të jenë me të vërtetë qenie njerëzore kur bota të përballet me histori të tilla të ngjashme”.

Hebrenjtë dhe shqiptarët
Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm i pushtuar prej nazifashistëve që nuk miratoi asnjë ligj antisemit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hebrenjtë erdhën në Shqipëri nga vendet e Ballkanit në grupe të orgnizuara por dhe në mënyrë individuale. Para luftës, Shqipëria kishte vetëm 200 hebrenj, që e kishin deklaruar etnicitetin e tyre. Në fund të luftës, vendi ynë kishte 2500-3000 hebrenj të ardhur nga Dalmacia, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia. Populli shqiptar konsiderohet nga opinioni botëror si një rast unik në qëndrimin që mbajti ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit fashist, jo vetëm duke mirëpritur e ruajtur hebrenjtë e shpërngulur dhe të ardhur këtu gjatë luftës, por edhe duke mos kallëzuar pranë autoriteteve pushtuese naziste asnjë prej tyre. Shqipëria u bë vendi i vetëm që kishte më shumë hebrenj pas lufte se përpara saj, ndryshe nga fati i miliona hebrenjve të tjerë nëpër Evropë, që u ekzekutuan apo përfunduan në kampet famëkeqe naziste të frymëzuar prej filozofisë raciste dhe të pastrimit etnik fashist. Ndryshe nga sa mendohet, lidhjet historike-kulturore midis shqiptarëve dhe hebrenjve ekzistojnë që prej antikitetit. Gjurmët e këtyre lidhjeve janë ruajtur në arkeologji, në etnologji, në besim e rite, në histori e kronika dhe në arkiva. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka shpallur 27 Janarin si “Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit” dhe përcaktoi detyrimin e vendeve anëtare për të nderuar kujtimin e viktimave të Holokaustit, si dhe ndërmarrjen e programeve e veprimtarive për të parandaluar akte të tjera të gjenocidit. Në vitin 2004, edhe Kuvendi i Shqipërisë shpalli 27 Janarin si Ditën e Kujtesës.
Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›