E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot fillojnë Kreshmët, udhëtimi drejt Zotit dhe të afërmit

Sot, me të Mërkurën e Përhime fillon periudha e Kreshmëve, një udhë shpirtërore drejt Zotit e të afërmit. Pra me liturgjinë e ritit të Mërkurës së Përhime, për Kishën katolike fillon periudha e lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit, agjërimit e pendesës. Në mesazhin dërguar besimtarëve për 40 ditët që paraprijnë solemnitetin e Ngjalljes së Jezu Krishtit, Papa Benedikti XVI reflekton mbi kuptimin e zgjedhjes së abstenimit nga ushqimi si “një ‘terapi’ për shpirtin”.Pra, me riti simbolik të përhimjes e me fjalët përkatëse që shoqërojnë liturgjinë kishtare të së Mërkurës së Përhime, hyjmë në Kohën kishtare të Kreshmëve. Riti i përhimjes na kujton qortimin e Joelit Profet, sipas të cilit gjesteve të jashtme, karakteristike për periudhën e Kreshmëve, duket t’i përgjigjet çiltërsia e shpirtit dhe koherenca e veprave. E riti i përhimjes shprehet përmes formulës “Pendohuni e besoni në Ungjill”, ose “Kujtohu se je hi e në hi do të kthehesh!”. Pikërisht për shkak të pasurisë së simboleve e të teksteve biblike dhe liturgjike, e Mërkura e Përhime me të drejtë quhet ‘porta e Kreshmëve”.
E liturgjia na fton në një ripërtëritje të vërtetë shpirtëror, sepse ç’vlerë ka të ndash me të tjerët, posaçërisht me të varfërit të mirat materiale, kur zemra mbetet larg nga Zoti, do të thotë nga e mira e drejtësia? Ajo që ka vlerë të vërtetë, është të kthehesh tek Zoti me shpirt të penduar, për të fituar kështu mëshirën e Tij Hyjnore. Një shpirt të ri e një zemër të re – këtë gjatë Kreshmëve kërkojnë besimtarët me fjalët e Psalmit pendestar ‘Miserere’ , ‘Mëshirë’– duke u lutur: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar!”. Besimtari i vërtetë, i vetëdijshëm se është mëkatar para Zotit, dëshiron me gjithë vetveten – shpirt, zemër e trup – të meritojë mëshirën hyjnore që e bën krijesë të re dhe i kthen gëzimin e shpresën.
Një aspekt tjetër i përshpirtërisë së kohës së Kreshmëve, është ai që na kujton armët e pendesës e të betejës kundër shpirtit të së keqes. Çdo ditë, e posaçërisht në Kohën e Kreshmëve, i krishteri duhet të përballojë një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë, ku për 40 ditë u tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur e mundi tundimin e mbramë, duke bërë deri në fund të fundit vullnetin e Atit Qiellor. Është një betejë shpirtërore, betejë kundër mëkatit e kundër shejtanit, zanafillë e shkak i çdo lloj mëkati. Prej këndej besimtarët duhet të jenë vigjilentë e t’u kushtojnë vëmendje jo vetëm mëkateve të rënda e mortare, por edhe mëkateve më pak të rënda të cilat, në se nuk përfillen, mund të sjellin vdekjen.
Kreshmët na kujtojnë se jeta e krishterë është betejë e pafund. Për ta përballuar, duhet të ngjeshim armët e lutjes, të agjërimit e të pendesës e të ecim gjurmëve të Jezusit. Ndjekja e Krishtit i bën të krishterët dëshmitarë e apostuj të paqes, i ndihmon të kuptojnë më mirë se cila duhet të jetë përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në familje e në botë. Sigurisht nuk është hakmarrja, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie të rreme.
Përgjigja e atij që ndjek Krishtin është të ecën në rrugën e zgjedhur nga Ai që, përballë të këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave, zgjodhi vendosmërisht Udhën e Kryqit, duke ndjekur shtegun më të gjatë, udhën më të dhimbshme por më të frytshëm të dashurisë. Në gjurmët e Jezusit e të bashkuar me Të, të gjithë duhet të impenjohemi që t’i kundërvihemi së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes, me dashurinë”. “Dashuria e Krishtit na nxit” (2 Kor 5, 14) - thotë Shën Palit, duke na kujtuar se në Jezusin, vetë Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje, gjë që duhet të na shtyjë të mos jetojmë më për vetveten, por për Krishtin e me Të, për të tjerët”.
E dashuria duhet të shprehet pastaj në gjeste konkrete në ndihmë të të afërmit, e sidomos të më të varfërve e më nevojtarëve, duke pasur gjithnjë parasysh se Ati, që është në qiell, shikon edhe në fshehtësi e i shpërblen të gjithë ata që bëjnë mirë në heshtje, përvujtërisht e pa kurrfarë interesi. Konkretizimi i dashurisë është një nga elementet themelore të jetës të të krishterëve, të cilët inkurajohen nga Jezusi të jenë dritë e botës, që njerëzit, duke parë veprat e mira, ta lëvdojnë Atin që është në qiell. Në kohën e Kreshmëve dëgjojmë si rijehon ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit – gjë që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. Kështu, të gjallëruar nga impenjimi i fortë i lutjes, të vendosur për t’iu kushtuar më shumë pendesës, agjërimit e vëmendjes ndaj vëllezërve e nevojtarëve, të ecim drejt Pashkëve, në shoqërinë e Virgjërës Mari, Nënës së Kishës e modelit të çdo nxënësi të vërtetë të Krishtit. Kështu pra, në Romë e në të gjitha kishat katolike të botës, nesër me të Mërkurën e Përhime nis koha e përgatitjes për Pashkë. Kisha na fton kryesisht të rikthejmë tek Zoti. E kthimi ka shkallë të ndryshme, që fillojnë me përpjekjen për ta dashur më shumë Zotin e vijon me pendesën për mëkatet tona, me dashurinë për të afërmin në botën e sotme, në të cilën flitet kaq shumë për tensione, kriza të llojllojshme, gjakmarrje, urrejtje, dhunë. Kreshmët na bëjnë thirrje për pajtim, për pendesë, për falje, për mirëkuptim e ngadhënjim mbi të keqën e mëkatin. Kjo është rruga e Jezusit, që na çon drejt dashurisë, drejt drejtësisë, drejt vëllazërimit, me pak fjalë drejt Pashkëve të ngjalljes!
Ati i Shenjtë Benedikti XVI uron që fetë të ndihmojnë për paqën dhe dialogun/Benedikti XVI uron që Lindja e Mesme të bëhet “një tokë dialogu dhe bashkëpunimi vëllazëror, respekti të ndërsjellë dhe paqeje, falë kontributit të përgjegjshëm të të gjithë banorëve që jetojnë aty.” Ky urim e këto shpresa të Papës gjetën shprehje në letrën që Sekretari i Shtetit Tarçizio Bertone u dërgoi pjesëmarrësve në Ditën e Studimeve dhe të reflektimit me titull “Vlera e Kishave të krishtera në Lindje të Mesme – të krishterët dhe myslimanët diskutojnë së bashku”, promovuar nga Bashkësia e Shën Egjidit që u zhvillua dje në Romë. “Është një temë - thuhet në letrën e kard. Bertones – me rëndësi të qartë shoqërore dhe fetare”. Takimi që përbën një hap të mëtejshëm në dialogun e dobishëm ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve për tema me interes të ndërsjellë, përpiqet të shqyrtojë atë që është thelbësore: praninë e bashkësive të vogla të krishtera në zona e krahina ku shumica është myslimane. Qëllimi i këtij takimi është të vihet në pah se prania e të krishterëve në Lindje të Mesme është një pasuri e vërtetë për mbarë shoqërinë dhe garanci për zhvillimin shoqëror, kulturor dhe fetar. Në letër Sekretari i shtetit të Vatikanit kard. Tarçizio Bertone u përcolli organizatorëve dhe pjesëmarrësve të këtij takimi ndjenjat e respektit dhe të miqësisë të Atit të Shenjtë Benediktit XVI, i cili “lutet që bekimi hyjnor të zbresë mbi këtë mbledhje të rëndësishme dhe uron me gjithë zemër që prej saj të dalin elementë të dobishëm për ta bërë gjithnjë e më vëllazëror dialogun ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, veçanërisht në zonat ku bashkësitë e krishtera janë pakicë.” Gjithnjë në lidhje me këto tema, në letrën e vet kardinali Tarçizio Bertone kujtoi fjalimin e Benediktit XVI mbajtur përpara përfaqësuesve myslimanë në Këln në gusht të 2005-ës dhe takimin e tij të 6 nëntorit 2008 me pjesëmarrësit në forumin katoliko-mysliman promovuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›