E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa për në BE, brenda qershorit

Kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha ka konfirmuar dje se vendi ynë do të aplikojë për anëtarësim në BE, brenda gjashtëmujorit të presidencës çeke. Në emër të Trojkës evropiane, ministri çek ka përshëndetur progresin e dukshëm të Shqipërisë dhe ka vlerësuar reformat e kabinetit “Berisha”

TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha deklaron nga Brukseli se, Shqipëria do të paraqesë kërkesën e aplikimit në BE, brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, që korrespondon me kryesimin e Unionit nga presidenca çeke.
Gjatë një takimit të zhvilluar me Trojkën e Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut politik Shqipëri-BE, takim ky i fundit, pasi me hyrjen së shpejti në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me BE, do të strukturohet në forma më të ngushta bashkëpunimi, ministri Basha theksoi se aplikimi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë janë dy prioritetet kryesore të Shqipërisë në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në.
Zhvillimet e brendshme në Shqipëri, reforma zgjedhore, përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, çështje që lidhen me MSA-në dhe hyrjen e saj së shpejti në fuqi, përgatitja e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për kalimin në një fazë të re të bashkëpunimit me BE-në dhe zhvillimet rajonale e roli i Shqipërisë në rajon, ishin temat për të cilat u shkëmbyen informacione nga të dy palët dhe për të cilat u ra dakord të vijojë bashkëpunimi i ngushtë në të ardhmen.
Basha dhe ministrat e Trojkës si ai çek Karl Schwarcenberg dhe ai suedez Carl Bildt, si dhe Pierre Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Rober Kuper, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Sekretariatin e Këshillit Evropian, ranë
dakord të koordinojnë ngushtë të gjitha veprimet e mëtejshme dhe bashkëpunimin e Shqipërisë më BE-në në kuadër të procesit të integrimit evropian, përfshi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, brenda Presidencës çeke, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Nga ana e tij Ministri i Jashtëm çek Karl Schwarcenberg, u shpreh në përfundim të takimit se, “ne kemi konfirmuar perspektivën evropiane për Shqipërinë”.
“Ne diskutuam për dy prioritetet më të mëdha të Shqipërisë, aplikimin për në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave. Jam i kënaqur që ne gjetëm mbështetje të plote si nga presidenca aktuale, nga presidenca e ardhshme e Bashkimit evropian dhe nga Komisioni”, u shpreh Basha, në përfundim të takimit.
Shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha informoi në lidhje me të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe parlamenti shqiptar në harkun kohor prej progres-raportit të fundit e deri tani, si dhe përgatitjeve për zgjedhjet e 28 qershorit, duke u ndalur në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, në mënyrë të veçantë të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë.
Ministri Basha u ndal gjithashtu në rezultatet e konsoliduara në luftën me tolerancë zero të qeverisë shqiptare ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, duke e ilustruar këtë edhe me raportet më të fundit të institucioneve ndërkombëtare si “Transparency International”, Departamenti Amerikan të Shtetit dhe Agjencisë përkatëse të Kombeve të Bashkuara.
Duke premtuar mbështetje të vazhdueshme në procesin e integrimit, Trojka Evropiane përshëndeti progresin e dukshëm të arritur në të gjitha fushat, si dhe vlerësoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të identifikuar të gjitha çështjet për të cilat ka nevojë për përparim  të mëtejshëm.
Pasi vlerësuan rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, përfaqësuesit e Trojkës dëgjuan me mjaft interes analizën e ministrit Basha për zhvillimet në rajon në përgjithësi dhe ato që lidhen me Kosovën e Maqedoninë në veçanti. 

Ministrat e jashtëm shqiptarë e çekë i përgjigjen interesimit të gazetarëve

Shqipëria është e ftuar për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian

Pyetje: Çfarë shansesh ka që Këshilli t’i japë “ok” Komisionit që të nisë procedurat me Malin e Zi deri më 16 mars?
Schwarzenberg: Në këtë kohë krize ekonomike, ekziston një gjendje skeptike brenda Bashkimit Evropian, që duhet konsideruar një realitet. Siç e dini, presidenca ka rol moderator dhe ne duhet të japim mesazhe që nuk shprehin vetëm pikëpamjen tonë, por të të gjitha vendeve anëtare. E konsideroj pa fat Malin e Zi që e prezantoi kërkesën për aplikim në këtë kohë, pasi, për momentin, nuk kemi një klime shumë miqësore dhe, ndoshta, do të ishte më mirë ta kishte bërë në një kohe tjetër, por tashmë ata e kanë dorëzuar kërkesën për aplikim.

Pyetje: Sa herë vini në Bruksel, ju thoni se do të aplikoni shumë shpejt. A mund të jeni konkret? Do ta bëni këtë gjatë presidencës çeke?
Basha: Nga këndvështrimi ynë ka shumë pak ndryshim nga çfarë kemi thënë më herët, kur Kryeministri ka pohuar se jemi në bashkëpunim shumë të ngushtë me presidencën çeke. Sigurisht, ne nuk jemi indiferentë për rrethanat ekzistuese në Bashkimin Evropian, si për situatën e brendshme në Bashkimin Evropian, për situatën ekonomike dhe disa rrethana të tjera që kanë sjellë hezitime në Bashkimin Evropian. Megjithatë, detyra ime sot këtu ishte të informoj homologët për hapat që Shqipëria ka bërë përpara. Më domethënëse është finalizimi i marrëveshjes së stabilizim asociimit nga 27 vendet, zbatimi solid i marrëveshjes së ndërmjetme, stabiliteti politik dhe reformat konsensuale që kemi ndërmarrë. Bazuar në këto të dhëna, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me Pragën, me presidencën çeke, për të ndërmarrë hapin tjetër.

Pyetje: Zoti Ministër, a mendoni se është realiste për Shqipërinë, nëse ajo vendos të aplikoje brenda presidencës çeke? Siç na tha ministri Basha dje presidenca çeke është me e favorshmja për të aplikuar, por duke parë sesi po ecin punët me Malin e Zi, a mendoni se mund të marrë mbështetje në Këshill, nëse ajo vepron kështu?
Schwarzenberg: Nuk ka asnjë dyshim se presidenca çeke dhe ajo pasuese, suedeze, që të dyja janë favorite për zgjerimin e bashkimit evropian me të gjithë Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, e rikonfirmoj këtë solemnisht, së Shqipëria është e ftuar për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Por, për shembull, nëse ti do të me ftoje mua në shtëpie tënde dhe unë e pranoj këtë, papritur, kur unë po i bie ziles së shtëpisë tënde, tubacioni i ujit ka shpërthyer dhe shtëpia jote është përmbytur. Në këtë moment, ti nuk do të ishe aq miqësor sa do të ishe në një situate normale. Dhe, tani, kriza ekonomike është si një shtëpi e përmbytur për Bashkimin Evropian.

Pyetje: Komisioni deklaroi se ishte i mençur veprimi i Shqipërisë për të mos nxituar me aplikimin dhe se kishte një kusht kyç që zgjedhjet të bëhen sipas standardeve. Do të vazhdoni të jeni të mençur dhe të prisni përfundimin e zgjedhjeve dhe të keni avantazhin e zgjedhjeve të mira për aplikimin apo do të qëndroni me dyshimin se mund të ketë probleme dhe mund të bëni aplikimin pas zgjedhjeve?
Basha: Unë mendoj se ajo që thotë Komisioni kur i referohet mençurisë sonë, sigurisht, duke iu referuar përvojës sonë të gjatë me BE-në, që është më e gjata në rajon, kërkon të jemi të hapur dhe sensitive për të gjitha informacionet që vijnë nga të gjitha burimet. Ne nuk e shikojmë këtë nga pozicioni ekscentrik i të painformuarit, por ne po informohemi çdo moment dhe po bëjmë hapa përpara në drejtim të aplikimit për në BE. Momenti i aplikimit është momenti i notifikimit, dhe për këtë, kjo presidencë dhe presidenca e  ardhshme na ka dhënë mbështetje të plotë. Ne po punojmë me Karel Schwarzenberg për të parë sesi do të veprojmë. Hapi tjetër, sigurisht nuk varet nga asnjë presidence, ajo varet nga konsensusi i 27 vendeve anëtare, të cilët duhet të hapin dritën jeshile. Ne jemi qartësisht të angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve. Dhe është e qartë se zhvillimi i zgjedhjeve të qershorit ka rëndësi për hapat e tjerë të integrimit të Shqipërisë në Evropë. Kur flet vetëm për aplikimin, po, unë besoj se kemi qenë të mençur për të kuptuar çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë. Dhe mençuria jonë reflektohet te marrëdhëniet me BE, në marrëdhëniet me NATO-n, në bashkëpunimin rajonal dhe për këtë mençuri Shqipëria dhe shqiptarët janë shpërblyer. Kam besim se ne do të shpërblehemi, gjithashtu, edhe për integrimin evropian, veçanërisht, për momentin kur ne të dorëzojmë aplikimin.

Pyetje: Kur?
Basha: Ju do ta merrni vesh sapo të vendoset që kjo të behet publike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›