E Diel, 1 Nëntor 2026

Magjistratura, mbyllet konkursi, ja si do të vlerësohen tezat e provimit



Kandidatët për të vijuar shkollën e Magjistraturës, i janë nënshtruar dje për tetë orë rresht konkursit të pranimit, i cili ka qenë i një niveli të lartë vështirësie. Pas mbylljes së konkursit dhe grumbullimit të gjithë tezave të provimit, pritet që duke filluar që nga dita e sotme specialistët e Shkollës së Magjistraturës, të nisin procesin e vlerësimit të tezave, ndërkohë që përgjigjet do të dalin pas një jave nga dita e mbajtjes së provimit. Sipas rregullores të miratuar nga drejtoria e Shkollës së Magjistraturës, teza e provimit do të vlerësohet maksimalisht me 450 pikë. Me 100 pikë do të vlerësohet teza e provimit të formimit të përgjithshëm intelektual, nga të cilat me 50 pikë do të vlerësohet testi i Inteligjencës dhe me 50 pikë Esse-ja. Testi profesional do të ketë peshën më të madhe të pikëve për të fituar Shkollën e Magjistraturës. Sipas limiteve të vendosura, ky test do të vlerësohet me 350 pikë, nga të cilat; me 250 pikë do të vlerësohet pjesa teorike të cilat ndahen: 50 pikë për pjesën teorike të së drejtës civile, të drejtës penale, procedurës civile dhe procedurës penale dhe me 50 pikë vlerësohet pjesa teorike e degëve të tjera të së drejtës si; e drejta kushtetuese, e drejta administrative. Ndërsa pjesa e rasteve praktike në provim do të vlerësohet me 100 pikë, nga 50 pikë për secilin rast praktik. Mënyra e korrigjimit të provimit do të jetë anonime. Fletët e përgjigjes së provimit do të jenë të gjitha të vulosura. Për të ruajtur anonimitetin e kandidatëve, gjatë ditës së provimit, atyre u është shpërndarë një zarf i vogël, brenda të cilit gjendej një letër, ku kandidatët duhet të shënonin emrin e tyre. Sipas rregullave, emri nuk duhet të shkruhet në asnjë nga fletët e provimit. Më pas zarfi ku është shënuar emri duhet të mbyllet e të vuloset. Në fund të provimit, zarfi i vogël së bashku me fletët e provimit, (të cilat janë futur në një zarf të madh, të vulosur, janë dërguar në një vend të caktuar. Pas dorëzimit të fletëve të provimit, Drejtoria e Shkollës së Magjistraturës do të vendosë numrin si në zarfin e vogël ashtu dhe në zarfin e madh të çdo kandidati. Ndërsa komisionit të provimit do t’i vihet në dispozicion vetëm zarfi i madh, me numrin përkatës, i cili përmban vetëm fletët e provimit. Korrigjimi i provimit me shkrim do të bëhet në një sallë të mbyllur (ambient zyrtar) brenda godinës së Shkollës së Magjistraturës. Gjithashtu, asnjë anëtar i komisionit të korrigjimit nuk lejohet që të marre me vete fletët e provimit. Për çdo kërkesë kandidati duhet të kërkojë leje nga administratori i konkursit.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›