E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja Tafaj-Shaska. Ministri i Arsimit: Po nuk regjistroi studentët do të kërkojë shkarkimin e rektorit



Jonida Tashi

Thellohet edhe më shumë përplasja mes rektorit të Universitetit të Vlorës dhe Ministrisë së Arsimit, për regjistrimin e 400 maturantëve me mesatare nën 6. Megjithëse pasditen e ditës së hënë, Ministria e Arsimit i konsideroi të regjistruar studentët fitues, drejtuesit e Universitetit të Vlorës janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund vendimit për përjashtimin e tyre. Kështu, ditën e djeshme, sërish para dyerve të Universitetit “Ismail Qemali” ka pasur një fluks të madh maturantësh, të cilët, pasi kanë marrë vesh lajmin e regjistrimit të tyre janë nisur me një frymë drejt këtij institucioni, në të cilin janë pritur me këmbët e para nga zëvendësrektori i tij, i cili u ka rithënë studentëve se nuk do të pranohen.
Beteja
Ndërsa 400 maturantë fitues enden para dyerve të Universitetit “Ismail Qemali” për të ligjëruar të drejtën e studimit, një betejë deklaratash dhe urdhrash ka filluar mes dy institucioneve, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Vlorës. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj shprehet i bindur se në urdhrin e tij, studentët e rinj do të futen në auditorë kur të fillojë viti i ri akademik. Por në rast se nuk zbatohet ky vendim i kreut të Arsimit, ai ka tashmë ka dhe një zgjidhje tjetër në dorë, atë të propozimit për shkarkim të rektorit të Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, të cilin ja paraqet Presidentit të Republikës, por deri tani gjithçka ka mbetur në nivel deklaratash. Duke marrë shkas nga qëndrimi i palëkundur i rektorit Shaska, kjo është e vetja mundësi, që Ministria e Arsimit të zhbllokojë situatën në Universitetin “Ismail Qemali”, pasi të drejtën për të shkarkuar një drejtues universiteti nga detyra e ka vetëm Presidenti i Republikës, i cili ka bërë edhe dekretimin e tyre pas zgjedhjeve të zhvilluara për organet drejtuese në janar të vitit 2008 në këto institucione.
Shkarkimi
Konkretisht në Ligjin Nr.9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë” shkruhet: “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” pika 8, neni 21, emërimi i rektorëve të institucionet e arsimit të lartë publike është një e drejtë e presidentit të Republikës. Ndërsa emërimi i dekanëve dhe drejtuesve të tjerë të universiteteve kryhet nga rektorët e universiteteve”. Në rast se ky nen i Ligjit të Arsimit të Lartë do të vihet në lojë, rektori Tanush Shaska largohet automatikisht nga posti i tij, duke u zëvendësuar me një person të tjetër të komanduar, derisa Ministria e Arsimit të shpall zgjedhjet për drejtuesin e ri të Universitetit të Vlorës. Gjithsesi, për të ç’tensionuar disi situatën, sërish paraditen e djeshme, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka reaguar në të njëjtën linjë të ndjekur edhe gjatë deklaratave të mëparshme. “Studentët janë regjistruar. Pra, është kryer regjistrimi paraprak. Ata trajtohen si gjithë të tjerët që janë regjistruar për regjistrimin përfundimtar. Jam i sigurt që Universiteti i Vlorës do t’i regjistroj. Rektori do t’i pranojë në auditor”,- ka pohuar kreu i Arsimit.
Vendimi
Gjithë kjo amulli në Universitetin e Vlorës zë fill nga vendimi i marrë një vit më parë nga Senati i këtij institucioni të arsimit të lartë, për mospranimin e maturantëve me mesatare të ulët. Deri në këtë pikë, gjithçka është në rregull, pasi në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë, çdo universitet ka të drejtë të propozojë një vit para pranimeve të reja të studentëve kritere të veçanta pranimi, të cilat vetëm nëse miratohen nga Ministria e Arsimit mund të zbatohen në praktikë. Lidhur me këtë propozim, drejtoresha e Arsimit të Lartë pranë Ministrisë së Arsimit, Elida Hoxha deklaron se Ministria nuk e ka aprovuar një vendim të tillë, ndaj të gjithë fituesit duhet të regjistrohen. Sipas Hoxhës, është ministri i Arsimit ai që vendos kritere të përgjithshme dhe procedurat e regjistrimit.

Shkolla profesionale në Kamëz, degë e re për Shërbimin e të moshuarve

Çelet për herë të parë në vendin tonë dega e Shërbimit social për moshën e tretë. Shkolla e mesme profesionale në Kamëz do të nxjerrë specialistë të shërbimeve sociale, të cilët do ta kryejnë aktivitetin e tyre, në shërbim për njerëzit në nevojë. Shërbimi social shëndetësor do të jetë dega e re që do të sjellë risi në shkollën profesionale në Kamëz, dhe që është financuar nga qeveria gjermane. Në ceremoninë për zyrtarizimin e kësaj nisme, ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman, Robert Bosch, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, kreu i Bashkisë së Kamzës Xhelal
Mziu. Ministri Tafaj është shprehur se gjatë këtij mandati do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë arsimit profesional. Ceremonia ka vazhduar me ndarjen e diplomave të mësimdhënësve të trajnuar pikërisht për degën e re të arsimit profesional, pra për shërbimin social shëndetësor. Ministri Tafaj ka premtuar se shumë shpejt në Kamzë do të ngrihet një nga qendrat më të mëdha arsimore profesionale.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›