E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Berisha dhe Rama më shmangën nga zgjedhjet



Dy partitë e mëdha nuk i dhanë mundësi Presidentit të vendit për të qenë arbitër në procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky ka qenë shqetësimi i shprehur nga kreu i shtetit, zoti Bamir Topi, në intervistën e tij të parë dhënë për gazetarin Ilir Babaramo në “Neës 24”, pas përfundimit të procesit zgjedhor, “certifikimit” nga OSBE/ODIHR-i dhe reagimit të ndërkombëtarëve. Presidenti flet edhe për pretendimet e opozitës për manipulime të zgjedhjeve dhe vendimin më të fundit për dekretimin e zotit Fatmir Mediu në postin e ministrit të Mjedisit, pikërisht në momentet kur po jepej vendimi për pafajësinë e tij nga Gjykata e Lartë.

Kjo është intervista e parë që kryetari i shtetit jep pas zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Zoti President! Si e konsideroni procesin e fundit zgjedhor?

Presidenti Topi: Besoj se është një pyetje që të vendos në një pozicion analitik, do të thosha, pasi procesi nuk ka të bëjë thjesht me një ditë, procesi ka të gjitha parakushtet e veta, sepse është një proces politik, pastaj ka dhe vlerësimet. Pra, konsiderohet si një proces relativisht i gjatë, i cili ka si zanafillë ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ishte i nevojshëm ndryshimi? Ky ishte më i miri?

Presidenti Topi: Unë besoj që çdo sistem i aplikuar në vendet demokratike mund të jetë i aplikueshëm edhe në Shqipëri. Pra, çështja nuk është te sistemi, preferencat mund të jenë nga më të ndryshmet dhe duket se ai që vendosi për ndryshimin e sistemit zgjedhor ishte konsensusi i gjerë politik, mbi bazën e vullnetit kryesisht të dy partive të mëdha dhe nuk erdhi thjesht si një element i veçantë, por mbi bazën e ndryshimit të disa elementeve të rëndësishme në Kushtetutë, që ishin pjesë e atij diskutimi, e atij konsensusi. Por, mund të them që edhe në preferencat e mia, e kam thënë edhe më herët, që sistemi proporcional ka avantazhet e veta, pavarësisht se individualisht gara maxhoritare më ka dhënë një kënaqësi të veçantë edhe në rezultate. Por, për të folur në kontekstin e Shqipërisë, për të folur në ndryshimin e asaj që konsiderohet shumë e rëndësishme, ulja e tensioneve gjatë fushatës elektorale dhe sidomos ulja e tensionit në ditën e zgjedhjeve, besoj që sistemi proporcional e provoi këtë.

Pra, u arrit të çtensionohej?

Presidenti Topi: Unë mendoj se dita e zgjedhjeve mbetet një ditë shumë e rëndësishme për t’u kujtuar, për t’u memorizuar si një ditë mjaft e qetë. Zgjedhjet e përgjithshme politike bëhen një herë në katër vjet. Konsiderohet një ditë mjaft e rëndësishme për prezantimin dhe përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve. Qytetarët e kaluan këtë provë. Data 28 qershor, sikurse dhe ju e kujtoni shumë mirë, erdhi një ditë e qetë, pati mesazhe shumë të rëndësishme edhe nga unë, por edhe nga ndërkombëtarët, nga partitë politike, që zgjedhjet të realizohen të qeta dhe besoj që ashtu u realizuan. Por, për ta analizuar procesin, sikurse thashë, nuk do ta analizoj bardhezi, do ta analizoj sikurse paraqitet ky kuadër një pamje me ngjyra...

A ishin të lira dhe të ndershme?

Presidenti Topi: Unë besoj që kjo nuk mund të jepet me një përgjigje ashtu siç e kërkon zoti Babaramo tek “Pesë pyetjet”, ndaj i parapriva kur thashë se kjo kërkon një analizë relativisht të gjatë. Në rast se keni ardhur për të dëgjuar versionin e Presidentit, duhet të keni durim ta dëgjoni, sepse Presidenti nuk mund të japë asnjë lloj verdikti për zgjedhjet. Kjo është arsyeja që partitë politike i bënë ndryshimet e Kushtetutës. Në përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk e panë të arsyeshme që të kishte dhe një përfaqësues të Presidentit të Republikës, çka do të thotë që e profilizuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë politike, partiake. Ky është një element se pse Presidenti nuk mund t’i certifikojë zgjedhjet, pasi është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që bën certifikimin e zgjedhjeve. Së dyti, ne jemi një vend ende në tranzicion. Askush nuk mund të thotë që është mbyllur tranzicioni në Shqipëri. Tranzicioni në Shqipëri do të mbyllet në momentin kur Shqipëria do të jetë vend anëtar në komunitetin europian. Pra, ne jemi një vend në monitorim dhe ka pasur një gatishmëri të shprehur nga të gjitha partitë politike për të pranuar monitorimin ndërkombëtar. Ne bëjmë pjesë në organizata, të cilat bëjnë monitorimin, por dhe bashkëpunimin me Shqipërinë për arritjen e standardeve demokratike. Kjo qe arsyeja që, ndonëse personazhe të veçanta, aktorë politikë, të medias, filluan të shqetësohen se përse nuk flet Presidenti. Natyrisht, Presidenti e njeh shumë mirë pozicionin e tij, është orientuar shumë mirë me Kushtetutën, me ligjin, i njeh koniunkturat politike, zhvillimet politike, njeh rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njeh rolin e monitorëve ndërkombëtarë dhe sot ne mund të flasim me referenca shumë të qarta. Domethënë, ka pasur një shpallje të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka pasur një vlerësim nga monitoruesit ndërkombëtarë, të cilët, po ta vlerësoni me kujdes, do të shikoni se nuk japin një përgjigje eksplicite, po, ose jo. Ata japin variante të ndryshme në funksion të çështjeve të caktuara, pra u referohen termave të caktuara për të bërë analizën e për të dhënë konkluzionet. Kjo është arsyeja që unë thashë që ky proces duhet analizuar në kompleksitetin e vet, sepse kemi të bëjmë me një proces integral. Në rast se do të marrim në konsideratë vullnetin e partive politike për të ndryshuar sistemin, është një arritje e politikës shqiptare. Tek e fundit, në demokraci, pikërisht në institucionin që është tempulli i debatit politik, në Parlament, merren vendime, të cilat përfaqësojnë vullnetin e popullit që i ka sjellë ata deputetë në Parlament. Pavarësisht nëse kishte mendime të ndryshme, kishte gjykime të ndryshme, kishte kontestime, ky ligj u fut në zbatim, u ngrit një infrastrukturë, sigurisht që pati arritje edhe te çështja e regjistrimit të popullsisë, te pajisja me karta identiteti dhe unë vetë kam dhënë disa mesazhe. Pra, ishte çështja që njerëzit duhet të afroheshin për të aplikuar, sepse ishte në interes të tyre dhe në interes të një rezultati që do të kishte më shumë pjesëmarrës në votime. Dita e zgjedhjeve ishte një ditë, sikurse e thashë, për t’u vlerësuar. Problemet filluan te numërimi. Te numërimi, dhe jo në përgjithësi, por në momente të veçanta, këtë e shprehën edhe ekspertët ndërkombëtarë, e unë nuk do të bëja gjë tjetër, vetëm do të rivlerësoja të njëjtin qëndrim që ata kanë. Mendoj se ende në Shqipëri ka nevojë që të punohet shumë nga klasa politike, por edhe nga ata që e përbëjnë infrastrukturën zgjedhore, sepse nuk mjafton vullneti politik në disa raste, pasi mund ta kesh vullnetin politik, mund të marrësh vendime shumë të guximshme politike, por pastaj është çështje implementimi. Mund të kesh dëshirë të implementosh, por je i paaftë të implementosh. Pra, në këtë këndvështrim, unë them që ka nevojë që të kualifikohen njerëzit që merren me monitorimin e procesit zgjedhor, me përllogaritjen e rezultatit të zgjedhjeve, sepse është një proces mjaft delikat. Edhe kur merret në konsideratë vlerësimi për një arbitër në një ndeshje, ka shumë debate, ka kontestime, ka aprovim. Përfytyroni, analiza dhe kontrolli i një procesi që sjell pasoja pozitive apo negative, në funksion të vullnetit të forcave politike, apo të mbështetësve të tyre për marrjen e pushtetit, për konsolidimin e pushtetit, apo për rikthimin e pushtetit. Ky është një element mjaft i rëndësishëm që të gjithë duhet ta kenë në konsideratë në të ardhmen.

Ju thatë që do t’ju pëlqente t’i referoheshit asaj çfarë kanë thënë vëzhguesit ndërkombëtarë. Ata kanë bërë atë që kanë bërë gati gjatë gjithë zgjedhjeve të fundit prej gati 12-13 viteve, që zgjedhjet ishin një hap përpara, por standardet nuk u realizuan tërësisht. A mendoni se kjo është e mjaftueshme për një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Europian dhe që është tashmë vend anëtar i NATO-s? Ju thoni që tranzicioni nuk ka përfunduar dhe do të përfundojë kur të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, zgjedhje plotësisht të certifikuara. A mendoni se ka një handikap, sepse ne nuk mund të bëhemi plotësisht me standarde pa realizuar zgjedhjet?

Presidenti Topi: Unë nuk besoj që të jetë ky momenti dominant, por është një ndër momentet e rëndësishme kur t’i certifikohet për t’u futur në Bashkimin Europian. Herë pas here, përfaqësuesit politikë të vendeve të BE-së janë shprehur që zgjedhjet kanë një rëndësi vendimtare për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është një element që besoj nuk ka nevojë për t’u shtjelluar më tej. Kjo është arsyeja që ne, herë pas here, kemi pasur vështirësitë tona drejt rrugës së integrimit. Unë mendoj që pas vlerësimit që kanë bërë monitoruesit, duhet thënë elementet pozitive, por edhe ato që nuk u arritën, unë edhe njëherë e përsëris se nuk kërkoj të rimarr rolin që kanë pasur vëzhguesit ndërkombëtarë, sepse kanë qenë vëzhgues të pranuar nga partitë politike, por jam i mendimit që vëzhguesit ndërkombëtarë, ata që delegohen nga vendet e Bashkimit Europian, sigurisht që janë shumë të kujdesshëm kur shprehen, këto janë momente kur ata japin edhe inkurajimin për Shqipërinë dhe natyrisht, për një vend që ende ka probleme me demokracinë, askush nuk mund të thotë se demokracia është e përsosur në vendin tonë, ka një rritje të demokracisë, por mbetet ende shumë për të bërë. Kjo është edhe arsyeja që monitoruesit ndërkombëtarë japin vlerësime pozitive, për të të dhënë të kuptosh për hapat që do të bëhen në këtë drejtim. Pra, mbetet shumë për të bërë, sidomos për realizimin e zgjedhjeve përfundimisht të lira e të ndershme. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Përderisa ka kontestime, unë nuk mund të them që baza e kontestimit është motiv për të mos marrë pjesë në Parlament, kurrsesi. E kam thënë dhe vazhdoj ta them, që vendi i politikanit të zgjedhur nga elektorati është në Parlament. Aty është mundësia për t’u shprehur për kontestimin, aty është mundësia për të bërë edhe objeksionet. Aty është mundësia për të debatuar, për të aprovuar ligje të rëndësishme, tek e fundit, përgjegjësia është ekskluzivisht e politikanit. Ata menduan të ndryshonin sistemin, ata vendosën që në KQZ të kenë projeksionin politik partiak, ata vendosën që komisionet zonale dhe komisionet e drejtpërdrejta në kutinë e votimit të jenë të projektuara në partitë politike, çka do të thotë që është tërësisht ekskluzivitet dhe përgjegjësi e partive politike, të cilat e zhvilluan dhe e numëruan procesin si të tillë. Pastaj, çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e monitoruesve është pranuar nga partitë politike, është pranuar nga institucionet shqiptare dhe duhet marrë e tillë ashtu sikurse është bërë dhe është deklaruar nga ata.

Ju nisët ta preknit mospjesëmarrjen e PS-së në Parlament, por unë do të doja fillimisht, para se të flisnim për këtë, të ndalesha aty ku ju thatë se ka shumë për të bërë, ka ende për të bërë sa i përket përsosjes së procesit elektoral në Shqipëri. Konkretisht, çfarë ka për të bërë zoti President tjetër? Ju, si kryetar shteti, çfarë do t’i rekomandonit politikës?

Presidenti Topi: Unë nuk mund të jap receta nga zyra e Presidentit. Receta e parë dhe më e rëndësishme që është dhënë vazhdimisht është ajo që do të jap edhe tani. Klasa politike shqiptare ka nevojë patjetër që të jetë e emancipuar dhe të bashkëpunojë. Bashkëpunimi nuk mund të jetë në mënyrë segmentare, atëherë kur ndjehet e nevojshme për interesa të çastit. Bashkëpunimi i klasës politike duhet të jetë konstant, permanent, të mos ketë shkëputje, sepse ky vend ka sfida shumë të rëndësishme përpara. Vendi ynë, klasa politike, institucionet duhet të punojnë në mënyrë shumë intensive për të kapur sa më shpejt ato parametra dhe ato standarde që kërkohen. Lufta më e madhe që ne kemi sot është lufta me kohën.

Pyetja e fundit për zgjedhjet dhe efekteve të tyre, zoti President, është kjo: ju iu referuat vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët thanë se në 1/3 e qendrave të numërimit ka pasur probleme. Duke pasur parasysh këtë, duke pasur parasysh çfarë ka konstatuar në terren, opozita kërkon, ose më mirë vë një kusht për të hyrë në Parlament, që shumica qeverisëse, shumica parlamentare, të japë pëlqimin që të hetohet tërësisht ky proces, që të hapen ato kuti që janë të diskutueshme, jo për të përmbysur rezultatin, por për të parë se çfarë nuk ka shkuar dhe të hapen njëherë kutitë për t’u mbyllur përgjithmonë, që të mos ketë më debate, të mos ketë më kontestime zgjedhjesh. Ju si e konsideroni këtë situatë të krijuar?

Presidenti Topi: Unë nuk mund të bëhem supervizor i debateve dhe i marrëdhënieve që ekzistojnë mes maxhorancës dhe opozitës. E kam thënë dhe në raste të tjera dhe në kontekste të tjera, që Presidenti flet me gjuhën e dekretit, pra edhe në rastin konkret, kur kam miratuar kuadrin ligjor, kur kam dekretuar kuadrin ligjor të miratuar nga Parlamenti, i kam pasur në konsideratë të gjitha, çka do të thotë që çdo gjë që është e ndërtuar me ligj lë shanse dhe mundësi që partitë politike të kërkojnë edhe të drejtën, të bëjnë edhe kontestime në bazë të ligjit dhe ta gjejnë të drejtën mbi bazën e asaj që të jep ligji dhe Kushtetuta. Pra, nga kjo pikëpamje, unë ju thashë që nuk mund të bëhem as supervizor, as të marr rolin e certifikuesit të marrëdhënieve që ekzistojnë mes partive politike. Unë nuk mund të them që dikush e ka drejtë, apo e ka gabim, por ekziston i gjithë konteksti ligjor, hapësira ligjore, e gjithë hapësira institucionale për të kërkuar atë që ata kërkojnë. Pra, nëse në ligj kërkohet, ata duhet ta kërkojnë mbi bazën e ligjit dhe debati të zhvillohet mbi bazën e asaj që kërkon ligji. Pastaj ka institucione, ka Gjykatë Kushtetuese, ka përfshirje të institucioneve të caktuara që kanë monitoruar zgjedhjet në Shqipëri, pra është një çështje mjaft komplekse e një dialogu politik brenda Shqipërisë, por edhe në institucionet ndërkombëtare.

Unë isha duke folur për një proces politik tashmë, jo për një proces juridik, sepse për atë janë shprehur kolegjet, janë shprehur gjykatat e tashmë gjithçka është mbyllur. Ju e quani këtë të mundur, pra që në Parlament të merret vendimi, të hetohen ato kutitë që opozita pretendon se janë me probleme? A ekziston një hapësirë e tillë?

Presidenti Topi: Unë kam përshtypjen se fola edhe për një proces politik, edhe për një proces juridik. Pra, askush nuk është i fuqishëm në Shqipëri, përtej vullnetit të partive politike që sot kanë mandatin për të vazhduar punën në Parlament, për të gjetur mekanizma, për të gjetur frymën, për të gjetur kohezionin për të debatuar dhe për të dhënë zgjidhjet e duhura. Zgjidhje ekstraparlamentare, ju siguroj, që nuk mund të ketë në këtë proces, që është një proces i ndërtuar që në fillim nga maxhoranca dhe nga opozita. Edhe një herë, po t’i rikthehemi asaj që thashë nga fillimi deri në fund, është një proces tërësisht politik, partiak, i ndërtuar me vullnet të maxhorancës dhe të opozitës, dhe i finalizuar nëpërmjet certifikimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që është i projektuar në mënyrë partiake. Nëse unë do të kisha një përfaqësues, sikurse ka qenë mbi bazën e ligjit të kaluar, atëherë do të kisha një detyrim moral, kushtetues, që të isha dhe interpret i vlerësimeve që do të kishte përfaqësuesi im në KQZ. Fakti që partitë politike, me vullnetin e tyre, nuk e panë të arsyeshme, domethënë që i kanë hequr të drejtën minimale Presidentit për të mbajtur qëndrim. Pra, është një qëndrim që është dhënë mbi bazën e asaj që jep ligji sot.

Ju thatë se kryetari i shtetit shprehet me dekretet dhe ky është qëndrim i tij si politik dhe juridik, por a patët një ngërç, qoftë edhe si politikan, apo brejtje të ndërgjegjes që po dekretonit një ministër, si ministri aktual të Mjedisit, i cili akuzohet, ose akuzohej të paktën, për vdekjen e 26 vetave?

Presidenti Topi: Më duket se unë jam shprehur, ndoshta edhe kalimthi për këtë, në mos gaboj ditën e fillimit të shkollës. Gazetarët dhe mediat ndonjëherë u japin më shumë rëndësi çështjeve të politikës, sesa simbolikës që ka dita e parë e shkollës. Por, i detyruar për t’iu përgjigjur, sepse ky ka qenë raporti im me gazetarët, u shpreha që Presidenti është shumë i ftohtë në vendimmarrjen e tij, sepse është i kornizuar nga Kushtetuta dhe ligji. Jam shprehur, në mos gaboj, se unë nuk vij thjesht nga qarqet akademike, por kam dhe një karrierë politike, dhe jo në pak raste më është dashur të flas me emocion politik, sepse politika të jep emocione, të jep detyrimisht nevojën për të qenë intensiv në debat, për të marrë një pozicion që është pozicioni politik, edhe atëherë kur hapësira juridike është e tillë që nuk ta lejon. Pra, gjithnjë politika elaboron, politika është gjithmonë një hap përpara në avancimin e debatit të saj, ndërsa Presidenti, patjetër, që duhet të jetë i kornizuar mirë, sepse përndryshe do të jenë vetë aktorët e politikës që do të thonë se Presidenti nuk zbatoi Kushtetutën dhe ligjin. Ka një Gjykatë Kushtetuese, e cila në rast se kontestohet një element i ligjit, mbi bazën e rregullave rigoroze që ekzistojnë për funksionimin e së drejtës për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, mund të kërkohet diçka. Ndërsa, përsa i përket çështjes në fjalë, unë besoj që kam zbatuar të drejtën që ka Presidenti për të prezumuar të drejtën e pafajësisë për gjithsecilin dhe përsa i përket pozicionit moral dhe politik, unë kam qenë shumë i qartë kur kam thënë se kam respektuar të drejtën e propozuesit. Përderisa nuk ka çështje kushtetuese që i japin Presidentit mundësinë që ta kontestojë, atëherë duhet të bëjë të kundërtën, duhet ta aprovojë. Kjo ka qenë arsyeja, pa komente të tepërta, pa iu futur “background”-it, apo retrospektivës së ngjarjeve, për të dekretuar një ministër, i cili, ndonëse ka qenë në gjykim, ka qenë i prezumuar për pafajësinë përderisa nuk ka një vendim të final të Gjykatës.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›