Personat e trafikuar, nis hartimi i udhëzuesit për standardet e shërbimeve
Personat e trafikuar do të përfitojnë së shpejti një shërbim të standardizuar. Për këtë arsye, Ministria e Punës, në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror dhe OJF-të që ofrojnë shërbime për këtë kategori njerëzish në nevojë, ka nisur hartimin e “Udhëzuesit për Standardet e Shërbimeve”. Ky dokument po realizohet edhe me mbështetjen UNICEF-it, në vijim të vendimit për miratimin e standardeve të shërbimeve në qendrat rezidenciale për personat e trafikuar ose në rrezik trafikimi. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, shpjegon se “ky udhëzues do t’i shërbejë rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj viktimave të trafikimit, si dhe do të ndihmojë në koordinimin e punës mes vetë ofruesve të shërbimeve, që përfituesit t’i jepet shërbimi i nevojshëm në kohën dhe momentin e duhur”. Po ashtu, udhëzuesi do t’i vijë në ndihmë edhe ofruesve të shërbimeve që të plotësojnë standardet kombëtare të shërbimeve për personat e trafikuar ose për personat në rrezik trafikimi në qendrat rezidenciale. Në të janë pasqyruar qartë indikatorët që duhet të përdoren për të monitoruar dhe vlerësuar zbatimin e standardeve në qendrat e licencuara që trajtojnë këtë target-grup. Naço bën të ditur se nga inspektimet e realizuara nga Drejtoria e Inspektimit të Standardeve të Shërbimeve Shoqërore në SHSSH është vënë re një ulje e numrit të viktimave të trafikimit gjatë 2 viteve të fundit. Por, ofruesit e shërbimit kanë vënë në dukje se ka një rritje të rasteve të dhunës dhe ushtrimit të prostitucionit të detyruar brenda vendit.
23 Shtator 2009