E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garë ujqërish!!!, Ese

Nga Genc LLAKAJ
Preludi: Starti i vonuar (1992-2009)
Udhëton në rrugën që ka bërë ky popull përgjatë 18 vjetëve të fundit dhe vetëm i qetë smund të jesh. Të mungojnë mjetet e duhura, të mungon përvoja e të përpjetave, e të tatëpjetave, të mungon fati të kesh një timonier të shkathët. Rrugë e vështirë kjo që ta dikton vetë sistemi kapitalist në përgjithësi dhe ai shqiptar në veçanti.
Kostoja e dëshmitarit objektiv në këtë udhëtim do të ishte e papërballueshme për cilindo. Vetë kurajoja do të ndihej "jetime" pa një mbështetje të përfillshme financiare. Mbështetje të cilën jo të gjithë vërtetistët-objektivë mund ta kenë. E megjithatë, me moskokëçarje prej shqiptari po udhëtoj pa u frikësuar.
Këto vite peripecish e përplasjesh, i inatosur në kulm nga padrejtësitë antishqiptare dhe antinjerëzore, nuk mund të harroj viktimat e mercenarëve të politikës sonë. Nuk mund të harroj sa e sa djem dhe vasha të kësaj toke që u rikujtuan nënave të tyre meloditë tragjike e vajet e vjetra. Vuajtje e ka emrin kjo pjesë e globit. Dhe vetë dhembja merr pjesë e frikësuar. A do të përlotet dhembja po të shohë këtë "kasaphanë", që politikanët tanë po i "servirin" këtij populli?
Ndërsa meditoj për një jetë plot lumturi dhe demokraci, ndërpritet dhunshëm meditimi im nga një fishkëllimë e fortë...
***

Gara e ujqërve dhe regjisori suprem
Fillon
Askush nuk njeh asnjë, asgjë. Nuk njihen rregullat e lojës, ende snjihet përvoja e të tjerëve jashtë kafazit. Ujqërit njohin vetëm një qëllim të fundit: të mbijetojnë me patjetër, qoftë edhe sikur tu duhet të shqyejnë njëri-tjetrin natën. Në mëngjesin e ditës tjetër do të jenë po ata që do të ruajnë me fanatizëm kockat e shokëve të tyre. Bëjnë punë edhe dy pika lot në fund të kësaj gjëme të paqëllimshme.
Nuk lënë gjë mangët në bërjen e homazheve, se e kundërta do të shqetësonte regjisorët e tensionuar në kulm për mbarëvajtjen e spektaklit që po ndjekin nga dritaret e shtëpive të tyre. Të bardha janë shtëpitë nga jashtë, të nxira nga brenda...
Profesori, nën heshtjen e vdekjes ndjek spektaklin e gjatë 18 vjeçar e me indiferencën e një patetiku të tërhequr. Bën ndonjë korrigjim, aty-këtu. Shiko, këtu mirë! Aty, më mirë duhet. Hap sytë! Nuk është ky roli yt, ta kam thënë një herë në 91-shin, ti duhet të jesh më i vëmendshëm, ndryshe na prishen planet. Kush i duron pastaj ata, regjisorët!?..Ata janë sqimatarë, duan shfaqje të shijeve të larta. Janë farë e zgjedhur ata.. E mos harroni që kanë paguar biletën qysh në 13-ën. Vepra arti na duhen dhe jo të tallemi me "artin e shitjes"....
Profesori e ka të qartë çdo gjë. Planin e ka të ngulitur në kokë. Dueli duhet të jetë i fortë, me pjesëmarrës të fuqishëm e të bindur, por duhet të plotësojnë një kusht: të jenë, njëri luftëtar i veriut, tjetri i jugut. Jo për gjë por, për të shmangur kompromiset që mund ta prishin garën. Një profesor si ai, i papunë, sdo të ishte i tillë. Ndoshta, më mirë do të ishte që protagonistët të flisnin gjuhë të ndryshme nga ajo e vetë spektatorëve. Do të ishte më e goditur një gjetje e tillë: "duel ujqërish të huaj, në tokë të huaj".
Pas shtyrjesh e rrëmujash në shkallët e amfiteatrit, pas përpjekjesh  për të siguruar biletat në radhët e para, spektakli fillon, më saktë, ka filluar qysh në 91-shin. Protagonistëve nuk u bën syri dritë. Prishja dhe shkatërrimi është motoja e tyre. Ata nuk kanë faj. Kjo është pjesa e parë e shfaqjes. Askush nuk duhet të guxojë të mos e pëlqejë. Kjo është, edhe pikë. Thuhet që ka edhe aktorë nga sistemi i kaluar, por askush nga protagonistët nuk duhet  ta pranojë. Ndryshe ata do të skualifikohen e si rezultat nuk do të paguheshin. As komentatorët  sduhet ta pranojnë këtë lajm që pëshpëritet lart e poshtë. Por, ska rëndësi, njerëzit nuk do ta marrin vesh kurrë kush po luan në të vërtetë: ata me ata, apo këta me ata.
Thuhet  se aktorët kryesorë të 91-shit janë nga Ata, por askush nuk ban za. Ndryshe nuk do të kishte kuptim një shfaqje  e tillë, sipas gjasave, e quajtur shfaqje demokratike. Po ta quanin thjesht një garë të vjetruar do ti lodhnin shikuesit.  Për 45 vjet  janë dërmuar spektatorët me gara të tilla. Janë të shpërfytyruar nga kujtimet e të njëjtit makth që përsëritet. Të tilla skena i kanë trajtuar ata gjithmonë si dele të zeza të kopesë, viktima të shkopinjve të natës dhe  tradhtarë të ditës
Pas shumë peripecish për sigurimin e biletave, shmangien e bërrylave për zënien e vendit, gjithçka duket sikur ka marrë rrugë të mbarë në shkallët e amfiteatrit. Çdo gjë fillon sipas parashikimeve të Profesorit. Ai nuk vonon të zërë vend në karrigen e drejtuesve, ndërsa në skenë shfaqen ata, të cilët bëjnë sikur janë jo ata të parët por fëmijë të pabindur të tyre që nuk ngjasojnë aspak me prindërit. "Bëmë babë të të mos ngjaj", i thonë kësaj pune?
Ata janë një specie e veçantë dhe e rrallë, armiq të betuar të "ADN"-së biologjike. Të paktën, kështu thonë ata.
Përballë tyre, në një grupim tjetër, jo më pak "joshës", janë radhitur të tjerë, por shpresojnë se sehirxhinjtë e shfaqjes sdo ta pikasin origjinën e tyre të njëjtë me të parët dhe fshihen me elegancën e vëllait tjetër siamez.
Ishin po ata që çapëlyen barkun e nënës dhe ajo dështoi fëmijën e tretë. Ai nuk merr pjesë në garë, ai  nuk ka lindur kurrë. Është thjeshtë një përshtypje, një ide e tyre po aq e vjetër sa dhe banale. Me këto broçkulla duan të tërheqin vëmendjen e spektatorëve, që prehen në heshtje të ngrirë nën thundrën e ankthit se kush do ta fitojë këtë garë të re e tërheqëse
Pyetja është: kush do të jetë shpëtuesi i spektatorëve që janë në koma 45-vjeçare?
Kush do të marrë medaljen e kësaj shfaqje më hipokrite se ajo që panë baballarët e tyre për 16.425 ditë zinxhir? E pra, kush do të jetë më i miri?
Spektatorët pyesin në heshtje, me sy.
Gjithçka vazhdon sipas parashikimit të profesorit. Në skenë shihen ngjyra të reja e të gjalla si vetë Europa. Ai duket i ngazëllyer prej spektaklit, prej aktorëve të vet.
Asgjë nuk mungon. Ndriçimi, dekori, kostumet janë moderne, europiane, sipas shijeve të kohës, edhe pse personazhet që "fshihen" pas tyre janë të njëjtë. Herë herë, duken si klounët e cirqeve të famshëm lindorë, herë-herë si bij të mohuar të salloneve perëndimore.
Në korridorin e 1991-2009-s, dëgjohen zhurma. Njerëz që venë e vijnë, fakse, telegrame urimi e ngushëllimi, takime në salla mondane, kravata që verbojnë me ngjyra të gëzueshme. Gjithçka vëzhgohet hollësisht nga regjisorët nëpërmjet mendjes dhe dorës së profesorit. Spektakli europian kështu e ka, profesionistët  kurojnë me kujdes e fanatizëm çdo detaj të tij. Në të gjitha këto ecejake njerëzish, firmash, letrash, zhurmash, delegacionesh, kontratash, diçka të bën përshtypje. Spektatorët. Ata  janë të vetmit që nuk kuptojnë se çndodh. Ata shohin por nuk kuptojnë. Gjithçka u duket si në ëndërr,  ku hanë e pinë e bëjnë shaka me njëri- tjetrin. E,  pas gjysmë shekulli do tju bjerë fati të kuptojnë të vërtetën e madhe, të vërtetën se çfarë po ndodh.
Por, sot, ne nuk kuptojmë.
***

Ëndërr zhgjëndërr, akti N.
Në çastin kur gjithçka dukej sikur po flinte nën hijen e përrallës, dëgjohen disa të shtëna. Më pas, katër, më pas, njëzetë e katër. "Po bëhet shakaja e radhës.", menduan, "Ndonjë çamarrok që luan luftërash". E vazhduan të thekeshin në diell. Aktorët me siguri që do të mendonin edhe për ta, si zakonisht. Por ajo nuk ishte lojë fëmijësh. Kësaj radhe, po luanin të rriturit. Një dikush i rritur i kishte mashtruar. U kishte marrë pasuritë e ia kishte mbathur nga sytë këmbët. Sërish një tragjedi  po vihej në skenë. Aktorët  flisnin gjuhë të huaj e spektatorët, kësaj radhe kuptuan. Kuptuan rolin e protagonistëve të shfaqjes, atë të "policit të keq e hajdut" dhe atë të "policit të mirë e të moralshëm" që do tia rregullojë qejfin kolegut keqbërës. Dhe ky ishte kulmi i suksesit të regjisorëve e të profesorit në veçanti. Të gjithë u çoroditën. E shijonin vdekjen si të ishte teatrale. Vetëm ajo i ndante gjërat, si në teatrin që kishin përballë. Katarsisi i tyre ishte i çuditshëm, kaq i gjallë. Të hardallosur,

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›