”Magnum-Al” shkatërron rrjetin e trafikantëve të drogës, 3 në pranga

Drejtoria Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, si dhe Autoritetet Doganore dhe Policinë Gjermane, ka finalizuar me sukses operacioni Ndërkombëtar ”Magnum-Al”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë arrest me burg për shtetasit:
1. Devis Vasil Lushnjari, vjeç 36, banues në Tiranë, me detyrë përmbarues privat.
2. Armando Agim Cakjaj, vjeç 37, banues në Tiranë,
3. Orest Kristo Tabako, vjeç 32, banues në Lushnjë
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të Gjermanisë.
Arrestimi i tyre u bë i mundur në sajë të një hetimi mjaft profesional dhe të plotë, të kryer nga strukturat e luftës kundër drogës në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese Gjermane, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2010.
Më date 10 mars të vitit 2010 nga Policia Gjermane është sekuestruar një ngarkesë prej rreth 232 kg marijuanë, në kamionin me targa TR0813T dhe TR1914S, si dhe është arrestuar shtetasi shqiptar Kletian Kola.
Gjatë ecurisë së hetimit ka rezultuar se ky shtetas ka bashkëpunuar për trafikimin e kësaj lënde narkotike drejt Gjermanisë me 3 shtetasit e sipërcituar.
Bazuar në materialet e grumbulluara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, në kuadër të këtij procedimi penal, nga Gjykata e Krimeve të Rënda është vendosur masa e sigurisë arrest me burg ndaj tyre.
Operacioni për kapjen e këtyre shtetasve është shtrirë në rrethet Tiranë, Lushnjë dhe Kukës. Në momentin e kapjes iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• Dy armë zjarri, përkatësisht 1 pistoletë dhe 1 shotgan;
• Shuma prej 2.500 euro dhe 1.700.000 leke te reja.
• Dy autovetura.
• Si dhe 5 telefona celular së bashku me kartat sim.
Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, nën akuzën e kryerjes së veprës penale të “Trafikimit të Lëndëve Narkotike”parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.
Ndërkohë në datën 30.05.2012, është finalizuar një tjetër operacion kundër trafikimit të lëndëve narkotike, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 2 shtetasve. Drejtoria Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, në kuadër të operacionit “Shtegu i Vjetër“, ka arrestuar shtetasit:
1. Emirjan Elmaz Ferko,vjeç 32, banues në Mbrostar Fier,
2. Jonuz Luto Memini, vjeç 60, banues në Vlorë,
Këta shtetas janë kapur në flagrancë në Vend Kalimin Kufitar Kakavijë, më datë 30.05.2012, teksa po tentonin të trafikonin në drejtim të shtetasit grek një sasi prej rreth 6 kg marijuanë, me autobuzin e linjës Tiranë-Athinë.
Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e Policisë së Shtetit në banesën e shtetasit Jonuz Memini janë gjetur dhe sekuestruar dhe rreth 27 kg 33 gr marijuanë e ndarë në 23 pako. Po ashtu këtyre shtetasve ju sekuestruan dhe 2 automjete.
Në lidhje me këtë procedim penal nga strukturat e Policisë së Shtetit ka pasur edhe sekuestrime të mëparshme të lëndëve narkotike prej rreth 500 kg, ku rezultojnë të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve, dhe që nuk mund ti bëjmë të ditura për shkak hetimi.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda.