Avokatët, në 6 muaj zvarritën 4356 gjyqe në Tiranë
Tiranë – Që proceset gjyqësore penale shtyhen për shkak të mungesës së avokatëve, duke sjellë zvarritje të çështjeve deri në limit të afateve të paraburgimit për të pandehurit, kjo gjë tashmë pranohet dhe dihet zyrtarisht. Por situata është edhe më keq me çështjet civile, ku palët vetë janë të interesuara të mbyllin sa më shpej gjyqet. Edhe këto procese zvarriten po për shkak të avokatëve.
Sipas një investigimi të gazetës IDEA, bërë përgjatë gjashtë muajve të fundit në gjykatën e Tiranës, rezulton se 4356 gjyqe jane zvarritur dhe nuk janë kryer nga mungesa e avokatëve me objekt gjykimi që nisin kryesisht nga ato të pronësisë, padi shkaktim dëmi, por edhe ato familjare. Që do të thotë mesatarisht për çdo ditë në gjykatën civile të Tiranës, me kërkesë të avokatëve për shtyrje të seancës nuk janë realizuar 24 gjyqe në ditë, një shifër kjo tepër e lartë.
Këto shifra vijnë në rrugë jo zyrtare nga sektori i protokollit të gjykatës civile të kryeqytetit.
Ndërkohë rezulton se nga këto procese civile, ku avokatët gjatë gjashtë muajve kanë depozituar kërkesën për shtyrje gjyqi për shkak të mungesës së tyre, më së shumti avokatët e argumentojnë mungesën për shkaqe shëndetësore. Në vend të dytë të shkaqeve renditet fakti se ata janë paralelisht në një tjetër proces gjyqësor dhe shkaku tjetër i padokumentuar në zyrën e protokollit është mungesa e avokatit pa vënë në dijeni fare gjykatën. Të dhënat tregojnë se gjyqet që përfundojnë në afatin ligjor të dy muajve janë zero, veçanërisht për çështjet e pronësisë, të kontratave, padi shkaktim dëmi, padi marrëdhënie pune etj.
Sërisht mbetet në vend të parë moszgjidhja e çështjeve të pronësisë. Janë zgjidhur me afatin e 2 deri në gjashtë muaj vetëm 3 çështje pronësie, shtatë padi kërkim sendi dhe zero për burgim të padrejtë dhe brenda këtij afati, 511 padi zgjidhje martese.
Statistikat tregojnë se raporti i çështjeve të mbartuara nga viti i kaluar, të cilat nuk janë gjykuar është me një diferencë të dallueshme në krahasim me çështjet e depozituara për këtë vit. Konkretisht, gjykata civile e Tiranës ka mbartuar nga viti i kaluar si gjykime të papërfunduara 7040 procese gjyqësore, ndërsa janë rregjistruar 5770 procese të reja.