E Diel, 1 Nëntor 2026

Mahmoud Abass konfirmoi shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale

Presidenti palestinez, Mahmoud Abass, theksoi se janë shtyrë zgjedhjet presidenciale dhe legjislative, të cilat ishin paraparë që të zhvilloheshin në janar, duke konfirmuar se ai ka pranuar këshillat që zgjedhjet të mos zhvillohen.

Abass theksoi se udhëheqësit palestinezë do të ndërmarrin masa, për tiu shmangur vakuumit institucional, pas skadimit të mandatit të legjislaturës aktuale dhe mandatit të tij si president, më 25 janar të vitit të ardhshëm.

Me këtë rast ai nuk qartësoi se cilat masa do të ndërmerren, për tiu shmangur këtij vakuumi. Abbas gjithashtu përsëriti se nuk do të synojë mandatin e tij të dytë si president. Ai qysh më herët kishte theksuar se nuk do të kandidojë për president, në zgjedhjet që ishin paraparë të zhvilloheshin më 24 janar.

Kjo kumtesë pasqyron frustrimin e tij për shkak të bllokimit të procesit paqësor dhe me atë që palestinezët e cilësojnë si dështim të SHBA-së për të ushtruar trysni ndaj Izraelit, për të ndalur aktivitetet nëpër kolonitë hebrenje në Bregun Perëndimor.

Komisioni Qendror Zgjedhor kishte theksuar javën e kaluar se ka këshilluar Abbasin që të shtyjë zgjedhjet, pasi që organizata Hamas, e cila kontrollon territorin e Gazës, kishte theksuar se nuk do ta lejojë votimin në këtë territor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›