E Diel, 1 Nëntor 2026

Maj, aktivizohet bartja e numrit celular

SHKRUAN: Blerina Hoxha 30-04-2011 10:54

Javën që vjen do të bëhet aktive qendra e portabilitetit të numrit, çka do të thotë se tani e tutje shqiptarët mund të ndërrojnë kompaninë celulare pa ndryshuar numrin. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare organizon më 2 maj inaugurimin e Bazës Qendrore të të Dhënave e Centralizuar për Portabilitetin e Numrit. Pas kësaj i hapet rruga implementimit të procesit të bartjes së numrit, një shërbim që i kishte munguar deri më tani shërbimeve celulare. Portabiliteti ose bartshmëria e numrit personal të celularit do të thotë që një klient i një operatori celular, (Vodafone, AMC, Eagle, Plus) nëse i pëlqen shërbimi i një operatori tjetër, mund ta ndërrojë operatorin, por duke e ruajtur numrin e tij. Pra, me portabilitetin, numri nuk do të jetë më pronë e një operatori. Në momentin kur shërbimi i portabilitetit të jetë 100% funksional në vendin tonë, kalimi nga një operator në tjetrin do të kryhet brenda 2 ditësh, pa shpenzime për përdoruesin. Nga ana tjetër, AKEP kohë më parë ka miratuar edhe dokumentin me termat Teknike dhe Komerciale, që qartëson plotësisht kuadrin që do të mundësojë portabilitetin. Sipas rregullores së bartjes së numrit, në rastin e caktimit të disa numrave një pajtimtari, në karta të veçanta SIM ose pajisje të tjera, pajtimtari mund të kërkojë një bartje individuale, të pjesshme ose të plotë për numrat respektivë. Në rastin e caktimit të numrave të shumëfishtë një pajtimtari për shërbime zanore, shërbime data, shërbime fax-i në një kartë SIM, pajtimtari mund të kërkojë një bartje individuale, të pjesshme ose të plotë për numrat respektivë. Ligji kërkon që operatorët të mbulojnë kostot për këto ndryshme dhe tarifat e portabilitetit të numrit të jenë të orientuara drejt kostos. Portabiliteti i numrit pritet t’i mundësojë konsumatorëve përfitime të mëdha, veçanërisht pajtimtarëve të telefonisë së lëvizshme. Gjithashtu, pritet që procedurat dhe formalitetet e nevojshme për të bartur një numër të jenë sa më të shkurtra dhe sa më të thjeshta. Progresi në këtë fushë pritet të mundësojë zgjedhje më të madhe për konsumatorët, shërbime më cilësore dhe çmime më të ulëta. Këto përfitime mund të përshpejtohen edhe nga disponueshmëria e informacionit cilësor, lidhur me tarifat konkurruese. Mirëpo në aspektin teknik portbaliteti i numrit fillimisht pritet të shfaqë një sërë problematikash. Burime nga kompanitë celulare shpjegojnë se ka shumë gjasa që secila nga kompanitë mund të refuzojë bartjen e numrit për mospërputhje informacioni, çka e rrezikon procesin e bartjes seriozisht. Në vendin tonë mospërputhja e informacionit mendohet të jetë e lartë për shkak se kartat SIM deri para pak vitesh janë shitur masivisht në tregun e zi dhe informacioni për bartësit e tyre mendohet të ketë pasaktësi të mëdha. Nga pikëpamja teknike, nëse një individ ka realizuar bartjen e numrit, nuk do të ndihet komod për vetë faktin se do të dëgjojnë një sinjal të shkurtër bipi para sinjalit të zakonshëm të ziles në të gjitha rastet kur kryhen thirrje jashtë rrjetit, e vlefshme kjo për cilindo portim, nga të gjitha kompanitë celulare, gjë e cila mund të krijojë bezdi dhe konfuzion tek abonentët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›