E Diel, 1 Nëntor 2026

Rimbursimi i Kasave, çelen fondet për 4 bashki dhe 13 komuna

Qeveria ka miratuar dje disburësimin e fondeve për rimbursimin e pajisjeve fiskale dhe të taksimetrave për 4 bashki dhe 13 komuna. Sipas nenit 15 të ligjit “Për buxhetin e vitit 2011”, Këshilli i Ministrave, nga fondet në dispozicion të tij, rimburson koston e pajisjeve fiskale, në përputhje me kërkesat e njësive të qeverisjes vendore, për këto bashki dhe komuna: Bashkia Konispol (Sarandë), Bashkia Libohovë (Gjirokastër, Bashkia Sarandë, Bashkia Tepelenë, Komuna Bubullimë (Lushnjë), Komuna Cepo (Gjirokastër), Komuna Dhiver (Sarandë), Komuna Fratar (Mallakastër), Komuna Gradisht (Lushnjë), Komuna Hysgjokaj (Lushnjë), Komuna Kastriot (Dibër), Komuna Lukovë (Sarandë), Komuna Portëz (Fier), Komuna Q. Tomin (Dibër), Komuna Qendër Libohovë (Gjirokastër), Komuna Topojë (Fier), Komuna Ulëz (Mat). Procesi i kompensimit të pajisjeve fiskale dhe të taksimetrave do të vijojë me miratimin e vendimeve të tjera, në varësi të paraqitjes së kërkesave dhe dokumentacionit nga komunat dhe bashkitë, në të gjithë vendin. Njësitë e qeverisjes vendore duhet të paraqesin kërkesën për rimbursimin e kasave të taksimetrave, deri në datën 30 prill të këtij viti, në Ministrinë e Financave. Afati si i tillë është përcaktuar në një urdhër që ministri i Financave ka lëshuar pak kohë më parë. Ministri Bode saktëson se kërkesa me shkrim duhet të jetë e firmosur nga nëpunësi i autorizuar i njësisë, me vlerën e fondit që kërkohet për t’u rimbursuar deri në atë periudhë. Urdhri i Bodes sanksionon se me marrjen në dorëzim të këtij dokumentacioni, Ministria e Financave propozon projektvendimin pranë Këshillit të Ministrave, për rimbursimin e vlerës së Taksës së Biznesit të vogël për njësitë e qeverisjes vendore, sipas vlerave përkatëse, nga zëri kontingjencë, parashikuar në buxhetin e vitit 2011. Ky fond te njësitë e qeverisjes vendore do të kompensojë pjesën e Taksës së Biznesit të vogël, e cila ka rimbursuar pajisjen fiskale apo taksimetrin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›