PËRSE PO DHUNOHEN MJEKËT?
Rreth dy javë më parë isha në një “zyrë mjeku” në QSUT. Një kthinë e ngushtë, brenda oborrit ding me pluhur e borie makinash të QSUT-së. Arrije aty pasi ecje nën një tunel, në një rrugëz të copëtuar e të baltosur. Kthina kishte një derë të drunjtë, të molepsur, anuar në njërin krah nga lagështia. Përpara derës, një grumbull i madh njerëzish në rradhë. Një metër e gjysëm më tutje, një berberhane (?!!). Fërkoheshin në atë hapësirë të ngushtë mes mjekut dhe berberit, vizitorë që nxitonin, pacientë që çapiteshin me çehre të verdhë, infermiere me bluza të lerosura, shoferë taksish, dy lypës gjysëm lakuriq trupdjegur, shitës të mitur ambulantë...
Pas asaj dere, ishte kirurgu që kërkoja. Hapi derën dhe më kërkoi me sy mbi kokat e njerëzve. Çava grumbullin, hyra brenda. E pamundur të flisnim fillimisht. Një muzikë e lartë vinte nga bokset e një kompjuteri në një tryezë të mbushur cit me vegla pune, receta, libra, lapsa. Në fund të kthinës, një grumbull kaloriferësh të vjetër, perde, rraqe të mbuluara nga pluhuri dhe një lavaman i vogël. Në qendër shtrati i vizitave.
E pyeta për muzikën e lartë. Më tha që e mbante ashtu prej ditësh, sepse “kishin vënë përgjues në zyrë”... (!)
Disa ditë më parë, pas plagosjes së mjekut Ylli, fola në telefon me mikun tim kirurg. Po bëhet gati bashkë me familjen të ik nga Shqipëria. “Për ca kohë... Ose përgjithmonë, të shohim”, - më tha.
Është një nga lajmet më të këqija që kam dëgjuar këto kohë...
P.S.
Falënderoj përzemërsisht kolegen Egla Bardhi që punoi me opinionet e mjekëve në këtë forum. Profesor Radovani thotë në shënimin e tij se fajtori i dytë pas politikës, për situatën me mjekët, është media. Ndoshta ka të drejtë. Por përgjithësimet, janë gabim. (kjo vlen për mjekët, për gazetarët, për politikën) Egla dhe këto faqe janë një shembull konkret, i përkundërt.