E Diel, 1 Nëntor 2026

Si mjekë nuk kërkojmë respekt të shtirur

Prof. Dr. Shkencash, Anila Godo

Ministre e Shëndetësisë

Deklaroj me shqetësim se rastet e agresionit ndaj mjekëve po bëhen të shpeshta. Është i treti brenda këtij viti, pas agresionit dhe plagosjes së Prof. Ali Refatllarit, shefit të Kardiokirurgjisë dhe mjekut neurolog, Kosta Koci në Vlorë. Të tria këto ngjarje të shëmtuara kanë qenë të pakuptimta, pa një arsye të qartë mbrapa tyre, e aq më pak pa asnjë lloj elementi korruptiv si shkak.

Kam përshtypjen se, veç gjendjes mendore të lëkundur të agresorëve, këto akte ndikohen edhe nga një frymë akuze dhe zemërimi ndaj bluzave të bardha, nën nxitjen e luftës kundër korrupsionit, që shkon përtej realitetit, në dëm të të gjithëve.

Si mjekë, nuk kërkojmë respekt të shtirur e të detyruar, por jo të na mohohet ajo që na takon. Mjeku qëndron përpara pacientit, si njeriu që mund t’i shpëtojë jetën e jo si një vjedhës i dyshimtë. Ka ende aty-këtu mjekë që zhvatin pacientin në këmbim të shërbimeve, që në fakt ua siguron shteti, por në përgjithësi, e këtë e deklaroj me bindje si pjes ë këtij komuniteti, mjekët janë të ndershëm e të devotshëm dhe vënë me dëshirë jetën e tyre në shërbim të qytetarit.

Na duhet të dalim medoemos nga psikoza për ta parë mjekun nën një prizëm tjetër. Në këtë, një rol me shumë rëndësi ka masmedia. Mirëpresim denoncimet e na ndihmojnë mjaft, por nuk shohim gjëkundi të shkruhet për ndonjë mjek që rri mbi pacientin 24 orë për ta ndihmuar, e këtë mund ta shohësh çdo ditë, nëse dëshiron ta shohësh.

Na duhet medoemos të kemi e të sigurojmë bashkëpunim të plotë, të ndershëm e të sinqertë ndërmjet pacientit dhe mjekut. Vetëm kështu do të plotësojmë një nga elementët themelorë për një mjekësi të përparuar.

Me këtë rast, dua të theksoj edhe një herë se, Këshilli i Ministrave, po na jep tërë mbështetjen e duhur, që të ndreqim në kohën më të shkurtër gjithë mangësitë e sotme, si dhe për të hapur udhët që e çojnë mjekësinë tonë drejt standardeve europiane. Kjo nuk është e lehtë, por problemet i njohim dhe rrugën tashmë e kemi të qartë.

Ftoj dhe bëj thirrje, tërë qytetarëve, mediave dhe politikanëve, të jenë e të vihen në krah të komunitetit të bluzave të bardha, si bashkautorë e aktorë të gjallë e të përditshëm të përpjekjeve për një shëndet më tëmirë”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›