Fajtor? Drejtimi i centralizuar i spitaleve
Dr.Ylli Vakeflliu
Spitali Universitar “Sh. Ndroqi”, Tiranë
Së pari, i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë mjekut të nderuar Agron Ylli. Normalisht, pritej një reagim, qoftë edhe simbolik, kundër gjakosjes së mjekëve, por puna vazhdoi njëlloj, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, pa menduar që nesër mund ta ketë radhën një tjetër mjek. Për pak, edhe ky fenomen i goditjes së bluzave të bardha, po hyn në një normalitet gjakësor. Asnjë nga të tre masakrat e muajve të fundit nuk ka ndodhur për shkak të korrupsionit. Përmendem vetëm tre kolegët, që u goditën me thikë, sepse raste dhune ka çdo ditë ndaj personelit mjekësor, si për shembull goditje me karrige kokës, por që nuk bëhen të ditura për median. Thuhet që kriminelët janë persona me probleme psikike. Por, në Shqipëri ka aq shumë persona me probleme psikike, saqë, po të vrisnin të gjithë nga një mjek, do të ishte shuar fare raca e mjekëve. Dhe që të evitohet në maksimum dhuna ndaj punonjësve të Shëndetësisë, duhet të vendosen disa rregulla të sakta loje, të cilat, fatkeqësisht mungojnë tek ne. Duhet përmirësuar shërbimi shëndetësor, duke korrigjuar disa nga problemet kryesore të tij.
Në të gjitha vendet e botës, paralelisht me rritjen progresive dhe të pandalshme të shpenzimeve për Shëndetësinë, vihet re pakënaqësi në rritje e pacientëve për shërbimet që marrin.
Problemet në spitalet tona, janë evidente dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Kjo ndërhyrje duhet të konsistojë në decentralizimin e Shëndetësisë, pjesëmarrjen e institucioneve të sigurimeve shëndetësore (shtetërore apo private), në financimin e spitaleve, futjen e koncepteve ekonomike dhe treguesve të rinj të aktivitetit të spitaleve dhe kthimin e spitaleve në ndërmarrje spitalore të drejtuar nga menaxherë të aftë spitalesh.
Decentralizimi i shëndetësisë / Po flitet prej vitesh për reformën në Shëndetësi, por shumë pak gjëra kanë ndryshuar këto 18 vjet. Kjo sepse nuk ka ndryshuar mentaliteti ynë për Shëndetësinë. Ne vazhdojmë të drejtojmë sektorin e Shëndetësisë me mentalitetin e centralizmit të kohës së monizmit. Tek ne çdo gjë e komandon Ministria e Shëndetësisë. Në Ministrinë e Shëndetësisë zhvillohen tenderat e medikamenteve, aparaturave, pajisjeve, materialeve të konsumit, etj., për të gjithë spitalet e vendit!
Shëndetësia shqiptare duhet të decentralizohet urgjentisht. Ministria duhet çliruar nga barra e rëndë e tenderave dhe të lihet të merret me politikat dhe strategjitë e Shëndetësisë. Në këtë mënyrë, shmanget edhe dukuria e shpërdorimit të aparaturave apo medikamenteve, nga një spital në tjetrin, siç ka ndodhur deri më sot. Spitalet tona duhet t’i delegohen pushtetit lokal. Duhen krijuar spitalet bashkiake, sidomos në Tiranë, si metropoli shqiptar dhe numëron rreth 1 milion banorë.
Edhe në këtë aspekt decentralizimi do të ishte i domosdoshëm, për të përmirësuar eficencën e spitaleve, për të krijuar konkurrencën (që fatkeqësisht mungon) dhe për pasojë, për të rritur cilësinë e shërbimit. Të gjithë e dimë që pa konkurrencë nuk ka zhvillim.
Duke i deleguar pushtetit lokal spitalet, menaxherët e tyre do të jenë më të përgjegjshëm në drejtimin e spitaleve dhe për shpenzimin e parave dhe nuk do të presin në mënyrë pasive çdo gjë nga ministria.Edhe qytetaret e “X” qyteti, në rast mungesash apo parregullsish, do të drejtohen tek drejtori i spitalit apo përgjegjësi për Shëndetësinë në rreth dhe nuk do të dëgjojnë justifikimet bajate për mungesën e hapjes së fondit nga ministria, apo nuk është zhvilluar tenderi.
Futja e ISKSH-së në skemën e spitaleve / Edhe për pjesëmarrjen e ISKSH-së në financimin e spitaleve, u bë kohë e gjatë që dëgjojmë lajme shpresëdhënës. ISKSH-ja ka shumë vjet që përpiqet të hedhë hendekun që e ndan nga financimi i shërbimit spitalor, por me sa duket, nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë hap edhe për shumë kohë, sidomos në spitalet e Tiranës, ku mjekohen shumica dërrmuese e pacientëve shqiptarë. Kjo sepse, në spitalet tona, nuk dimë sa kushtojnë procedurat e ndryshme diagnostike, terapeutike, sa kushton ky apo ai intervent kirurgjikal, sa kushton një ditë qëndrimi në spital i një të sëmuri me këtë apo atë sëmundje, etj. E brenda kësaj logjike, nuk dihet sa kushton një ditë qëndrimi në repartin ditor, në pavijon, në repartin e terapisë semi-intensive, apo intensive. Shëndetësia jonë është e vetmja që punon pa ditur sa harxhon dhe sa prodhon, pra punon me sy mbyllur, në tym. Nuk dihet sa është kostoja e shërbimit shëndetësor në spitalet tanë, por dihet që malli pa kosto është objekt shpërdorimesh.
Faktor tjetër pengues është dhe mungesa e treguesve të aktivitetit të punës në spitalet tanë, të cilët ende vazhdojnë të përdorin ditëqëndrimin, xhiron e shtratit apo shfrytëzimin e shtratit, si matës të punës në spital. Këta tregues japin një ide të përgjithshme të aktivitetit të spitalit, por nuk japin asnjë informacion për cilësinë e punës dhe të llojeve të sëmundjeve që mjekohen në atë spital. Me fjalë të tjera, këta tregues nuk bëjnë diferencimin e patologjive të rënda, pra me kosto të lartë, nga ato më pak të rënda, pra me kosto më të ulët. Kjo kërkon futjen e treguesve të tjerë të shërbimit spitalor, më i përshtatshëm prej të cilëve duket se është i ashtuquajturi DRG (Diagnosis Related Groups), që në shqip do të përkthehej GHD (Grupimi Homogjen i Diagnozave). Ky sistem vlerësimi ka lindur në SHBA, në vitin 1969 dhe është përhapur shpejt në shumë vende europiane. Është parë që ky sistem ka ndihmuar shumë në rritjen e eficencës dhe cilësisë së punës së spitaleve. Me sa duket, ne do të jemi të fundit edhe në këtë aspekt.
Kthimi i spitaleve në ndërmarrje spitalore / Defekti i sistemit tonë shëndetësor (por edhe i të tjerëve që karakterizohen nga mbizotërimi i shëndetësisë publike) është kryesisht inefikasiteti i shërbimit, që përkthehet në shpërdorim të të ardhurave. Fakti që shumë shërbime jepen me “çmim zero”, përmban një tendencë “natyrale” për shpërdorim. Në shëndetësinë shqiptare duhen futur konceptet ekonomike. Në këtë drejtim është bërë diçka, por mbetet shumë për të bërë. Spitalet tanë duhet të kthehen në ndërmarrje spitalore, me autonomi financiare dhe operative të plotë. Ata duhet të kenë buxhetin e tyre, i cili do të krijohet nga shitja e mallit (shërbimit shëndetësor), nga pagesa e shërbimeve nga ana e ISKSH-së, ose e personave të pasiguruar në arkën e spitalit dhe nga buxheti i caktuar nga Ministria apo pushteti lokal. Kjo do të bëjë që të pakësohen në mënyrë drastike mungesat e medikamenteve, aparaturave, reagenteve, materialeve të konsumit etj., pasi nuk do të pritet derisa të bëhet tenderi në Ministri, por do të blihen para se të mbarohen. Të gjithë e dimë që në farmacitë rreth spitaleve tanë gjen edhe “qumësht dallëndysheje”.
Edhe të ashtuquajturat “të ardhura dytësore”, duhet të administrohen nga vetë spitali. Kjo gjë do të bëjë që të shtohet interesipër “vjeljen” e rregullt të tyre dhe do të shtonte buxhetin e spitalit. Gjithashtu, menaxherët e spitaleve duhet të dinë saktësisht sa shpenzon dhe sa të ardhura prodhon spitali i tyre çdo vit dhe të bëjnë përpjekje për t’i shtuar ato, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit.