E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madrid, sot prezantimi i Huntelarit

Sulmuesi holandez do të firmosë deri në vitin 2013, pasi Ajaksi ka pranuar 27 milionë eurot e spanjollëve

Reali i Madridit ka arritur një marrëveshje me Ajaksin e Amsterdamit, për të marrë sulmuesin holandez Klas Jan Huntelar, kanë bërë të ditur kampionët e Spanjës. Sulmuesi 25 vjeçar do të nënshkruajë me klubin mbretëror një kontratë që skadon në vitin 2013, por nuk do të mund të luajë për Realin para janarit 2009. Vetëm atëherë ai do të jetë në gjendje të zërë vendin e të dëmtuarit Rud van Nistelroi, i cili e ka humbur këtë sezon pas dëmtimit në gju. Në një deklaratë të klubit holandez, Ajaksi ka bërë të ditur se Reali do të paguajë 27 milionë euro për këtë transferim. Paraqitja e parë e Huntelarit për kampionët spanjollë do të varet nga riaftësimi i tij, pasi ai ka një dëmtim në gju, që e ka lënë jashtë fushës që nga fillimi i nëntorit. "Ia kam lejuar Klas Jan Huntelairt këtë transferim, edhe pse do të doja ta mbaroja këtë sezon me të në ekip," - ka thënë trajneri i Ajaksit, Marko van Basten. Lajmi i ardhjes së Huntelarit te Reali do të jetë lajm i mirë për këtë skuadër të dërrmuar nga dëmtimet e shumta, që kanë sjellë një varg rezultatesh negative kohët e fundit. Reali u eliminua nga Kupa e Mbretit nga skuadra modeste e Real Union, u mund në Madrid nga Juventusi në Ligën e Kampionëve, kurse në kampionatin spanjoll ka pësuar humbje shumë demoralizuese nga skuadra të vogla, si Reali i Valadolidit dhe Getafe. Reali tani gjendet në vendin e katër të renditjes, gjashtë pikë pas Barcelonës kryesuese. Tetë lojtarë të formacioni të parë të Realit janë të dëmtuar, por Huntelar nuk është e thënë ta ketë të garantuar vendin, pasi do t'i duhet të konkurrojë me Raulin dhe Gonzalo Higuejnin për një vend në formacion. Havier Saviola, mesa duket nuk gëzon besimin e trajnerit Bernd Shuster dhe rrallë luan. Ajo që është më e rëndësishme për Shusterin, është fakti se Ajaksi nuk ka luajtur në Ligën e Kampionëve këtë sezon, prandaj Huntelar mund të luajë për Realin e Madridit në këtë kompeticion në muajin shkurt të vitit që vjen. Prania e pesë holandezëve të tjerë në ekip, Van Nistelroi, Arjen Roben, Uesli Snajder, Rafael van der Vart dhe Roiston Drente, do ta bëjë blerjen e re të ndihet si në Holandë. Huntelar ka debutuar tek Ajaksi në janar 2006 dhe ka shënuar 105 gola në 136 ndeshje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›