E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majkëll Xhekson dhe dosja e Stasit

Historia e jetës dhe e vdekjes së yllit të popit, Majkëll Xhekson, që nga dita kur ndërroi jetë më 25 qershor, është shndërruar në një lajm të përditshëm dhe është vënë në qendër të shumë hulumtimeve dhe gërmimeve. Së fundi, grumbullit të madh të informacioneve për të vërteta, apo të rreme qofshin u është shtuar edhe një tjetër i fundit: dosja e tij në Stas (ish-shërbimi sekret i Gjermanisë Lindore). Sipas një raporti nga Stasi, që ka dalë së fundi në dritë, në qershor të vitit 1988, saktësisht në orën 2:52 të pasdites, në postbllokun e famshëm "Çarlie", në Berlinin Perëndimor që ndodhet përgjatë Murit të Berlinit, u grumbulluan disa makina prej të cilave dolën disa pasagjerë. Njëri prej tyre ishte Majkëll Xhekson. Mbreti i popit shoqërohej nga dy grupe të televizionit gjermano-perëndimor dhe një grua e panjohur, rreth 25 vjeç, e shkurtër dhe elegante. Kameramanët e filmuan Xhekson në afërsi të postbllokut dhe tri minuta më pas ai dhe njerëzit që e shoqëronin ngjitën disa shkallë në një platformë të lartë dhe hodhën vështrimin nga ana lindore. Një foto e atij momenti dhe një raport i Stasit prej dy faqesh tregon një Xhekson të veshur me një xhaketë të zezë, duart e kryqëzuara dhe me një palë syze të zeza e një kapele po të zezë. Pranë tij ndodhet gruaja misterioze edhe ajo me syze dielli të errëta dhe me një fustan pa mëngë. Një mikrofon televiziv duket qartas në anën e djathtë të fotos. Në njërin cep të saj, ndodhet një burrë me këmishë të bardhë e kollare të errët. Të ketë qenë një agjent i Stasit? Në raportin e mësipërm për të nuk thuhet asnjë fjalë. Po atë ditë Xhekson dha një koncert në Berlinin Perëndimor si pjesë e një festivali treditor në kryeqytetin gjerman për të promovuar albumin e tij "Bad". Së bashku me të, në të njëjtën skenë dhe në të njëjtën ditë luajtën edhe të famshmit "Pink Floyd". Duke gjykuar nga mënyra shumë skrupuloze e mbajtjes së raportit nga agjenti i Stasit, duket se ky moment është konsideruar i një rëndësie të veçantë dhe shumë i rrezikshëm për vetë sigurinë e Gjermanisë Lindore. Për javë të tëra para kësaj vizite të Xhekson, gjermanolindorët ishin përpjekur për të gjetur një mënyrë parandalimi të shndërrimit të vizitës së këngëtarit në një burim shprese dhe energjie pozitive për të rinjtë e vendit komunist. Ishin kolegët e Perestrojkës në ish-Bashkimin Sovjetik të Gorbaçovit, kur pikërisht pushteti i kësaj perandorie sa vinte e po zbehej ndaj vendeve që prej dhjetëvjeçarësh i kishte mbajtur me dhunë nën sundim. Vetë Gorbaçovi dhe sjelljet e tij ishin shndërruar në një burim shprese për reformatorët në Lindje dhe në Perëndim. Stasi dukej i vendosur që të mos e lejonte përsëritjen e ngjarjeve të një viti më parë, kur gjermanolindorët iu afruan aq sa ishte e mundur Murit për të dëgjuar një koncert të dhënë nga Genesis, David Bowie dhe Eurythmics në Berlinin Perëndimor. Ndërsa grupet luanin muzikën e tyre, njerëzit në pjesën lindore të Berlinit thërrisnin "Gorby, Gorby" dhe "Poshtë Muri". Kjo zgjati derisa në vend mbërritën forcat e sigurisë që i rrahën të rinjtë dhe arrestuan dhjetëra prej tyre. Pak kohë pas këtij incidenti, Presidenti amerikan, Ronald Regan, mbajti fjalimin e tij të famshëm në Portën e Brandenburgut, në të cilin i bëri thirrje Gorbaçovit që "të shembte Murin e Berlinit". Sipas detajeve të raportit të Stasit, promovuesit, sponsorët dhe menaxherët e koncerteve të Xheksonit ishin shumë të ndjeshëm ndaj shqetësimeve të gjermanolindorëve. Kështu ka detaje për një takim mes oficerëve të Stasit dhe kreut të kompanisë gjermano-perëndimore që merrej me organizimin e koncertit. Në raport nuk jepen emra dhe detaje për personat, por thuhet se të dy palët ranë dakord që vendi ku do të mbahej koncerti nuk do të ishte i lartë, në mënyrë që të mos shihej nga ana tjetër e Murit. Në planet e tyre u ra dakord edhe që koncerti të transmetohej në një ekran në Berlinin Lindor 2 minuta me vonesë, në mënyrë që gjermanolindorët të zëvendësonin koncertin e drejtpërdrejtë me një video të një koncerti të mëparshëm të Xheksonit në të cilën këngëtari nuk kishte bërë asnjë koment të padëshirueshëm për situatën politike. Pyetja që lind është: Përse mbështetësi dhe organizatori gjermanoperëndimor i koncertit të Xheksonit bashkëpunoi me shërbimin sekret të Gjermanisë Lindore? Koncerti sponsorizohej nga "Coca-Cola", që kishte një interes të veçantë që t‘i mbante të mira marrëdhëniet me Lindjen. "Kompania "Coca-Cola" ka interesa ekonomike në marrëdhënien e saj me Gjermanisë Lindore", thuhet në raport. "Një takim mes menaxherit të kompanisë dhe sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste Gjermanolindore, Eric Honecker, është planifikuar të bëhet shumë shpejt", vazhdon raporti.

Ndërkohë, një turmë njerëzisht prej 5 mijë vetash u mblodh në orën e koncertit në pjesën lindore të Berlinit. Edhe ky informacion është marrë nga shërbimet sekrete. Por një pjesë e tyre u arrestuan nga forcat e policisë.

Për sa i përket Xheksonit, është e vështirë të thuhet se çfarë po mendonte ai atë ditë të vitit 1988, kur fotografi i Stasit e fiksoi në një foto që do të përfundonte në zyrat e shërbimit sekret gjermanolindor. Fakti është që dy dhjetëvjeçarë më vonë, Postblloku Charlie është shndërruar në një muze, Muri nuk ekziston më dhe qendra e Berlinit ka ndryshuar kryekëput. Ndoshta këtë ndryshim e solli edhe ajo vizitë e legjendës së popit, që mund të ketë qenë një nga goditjet e mëdha në shembjen e Perdes së Hekurt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›