Subashi: Referendumi për imunitetin kërkon edhe votat e PS në Parlament
Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e sheh të pamundur mbajtjen e referendumit ne kushtet aktuale. Dëshira Subashi vëren se një akt normativ është i pavlefshëm për të organizuar një referendum popullor, kur bëhet fjalë për një ndryshim kushtetues siç është ai për kufizimin e imunitetit. Sipas saj, në Kushtetutë janë të përcaktuara 2 dispozita për referendumet, në nenet 150 dhe 177. Por ndërthurja e tyre siç kërkon maxhoranca mund ta kthejë nismën në antiligjore. Neni 150 i Kushtetutës, që bën rregullimet e referendumeve për ligjet dhe për projektligjet e veçanta, ka rregulla të tjera që nuk mund të përputhen dhe që as që mund të bashkohen juridikisht, sepse në mënyrën se si shprehet ligji krijon kontradikta dhe alogjizma ligjorë që e bëjnë në vetvete nul aktin, vendimin që prodhon, tha Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ-së. Nënkryetarja e KQZ-së shprehet se referendumi është i realizueshëm vetëm me votat e opozitës. Nisma domosdoshmërisht kërkon një votim të dy të tretave të anëtarëve të Parlamentit, shprehet Subashi. Në 2008-n, në kundërshtim të ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit, LSI iu drejtua KQZsë për formularët me të cilët do të mblidheshin 25 mijë firmat për referendum. KQZ refuzoi asokohe kërkesën, me argumentin se Kushtetuta ndryshohet vetëm pas miratimit me 94 vota në Kuvend. Çështja, kujton Subashi, kaloi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Gjithë debatin e ditës sot që mund të bëhet një referendum kushtetues, nëpërmjet nenit 150 apo nëpërmjet nenit 177 të Kushtetutës, e ka zgjidhur ky vendim i Gjykatës Kushtetuese. I është drejtuar për mendim edhe Komisionit të Venecias, është shprehur kategorik që e vetmja dispozitë që mund të procedohet për një referendum kushtetues është neni 177 i Kushtetutës, thotë Subashi.