E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Kemi vështirësi me fshatin, Berisha është familjar aty

Deputeti socialist, Pandeli Majko, në një intervistë për një të përditshme, tha se PS po has në vështirësi në fshat, ku blerja e votës po kthehet në një sëmundje kronike.

Politika e majtë po ndodhet në vështirësi serioze me fshatin dhe psikologjinë e tij. I prapambetur, tradicionalist dhe deri diku i pakuptueshëm, fshati ka shpërthyer në ndërgjegjen shqiptare të fundshekullit të kaluar dhe fillimin e të riut. Ekspansioni i ngadaltë i fshatit ka qenë tema e përsëritur e historisë politike shqiptare. Në qeverisjen e Shqipërisë, dhënia e autoritetit të fortë burokratëve të politizuar kanë bërë që vendet e punës, sidomos në administratë, të ndërvaren nga marrëdhëniet personale. Sado absurd të duket, kjo është një botë goxha premtuese për të sapoardhurit nga ambienti i fshatit ku ndryshimi i statusit social mbetet prioritar. Berisha më shumë se si përfaqësues politik i djathtë ka cilësi familjare për mjedisin e fshatit, duke ditur të bëhet më i kuptueshëm për të. Ky është një arsyetim që i mbivendoset dallimeve i majtë apo i djathtë. Logjikat se fshatari i varfër është i majtë duken deri naive për pragmatizmin që zotëron kjo shtresë e etur për ndryshimin e vetes. Konkluzioni është se në qeverisje të centralizuara dhe partiake kjo shtresë është një pre e lehtë. Vetëdija se politika nuk pyet për ne, e ka bërë më të theksuar marrëdhënien thuajse tregtare me politikën, të cilën ata që jetojnë në fshat ta aplikojnë edhe si justifikim moral. Blerja e votës po bëhet sëmundje kronike në fshat. Në fakt, më shumë se shitje ngjan si braktisje të cilën votuesi i fshatit e kryen edhe si reagim ndaj mënyrës se si ai e sheh personalitetin e politikës shqiptare përballë tij. Por, me fshatin dhe psikologjinë së tij e majta shqiptare ka një fat që në Europë është cilësi e së djathtës. Ajo shikohet si përfaqësuese e një lloj memorieje kolektive që shkon nga tradicioni. Kjo mund të jetë një rrugë efektive, që me një fjalor të kuptueshëm ta kthejë bindshëm të majtën në votën e kësaj shtrese, tha Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›