Shqipëria njeh qeverinë e rebelëve në Libi si përfaqësuese të popullit

Kreu i Keshillit Kombetar libian, Mustafa Abdyl Xhalil
Ministria e Jashtme bëri të ditur sot se ka vendosur të njohë qeverinë e rebelëve anti- Gadafi në Libi si përfaqësuese legjitime të popullit.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje krizën në Libi dhe ka mbështetur përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e saj, në zbatim të Rezolutave 1970, 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Qeveria shqiptare, duke vlerësuar lart aspiratat e popullit libian për demokraci e zhvillim, ka ndjekur me simpati dhe ka mbështetur veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, programin e tij për një Libi demokratike dhe e konsideron këtë Këshill si një përfaqësues legjitim të popullit libian.
Qeveria shqiptare është e gatshme të vendosë marrëdhënie me këtë Këshill dhe të japë ndihmën e saj për rivendosjen e paqes dhe ndërtimin e demokracisë në Libi. Shprehim bindjen se, duke ndërmarrë një hap të tillë, mbështesim kauzën e drejtë të popullit libian, për liri e progres, thuhet në njoftimin e qeverisë. Deri më tani këtë qeveri e kishin njohur 28 vende, përfshi këtu SHBA-në, Britaninë e Francën.