Majko: “Nuk kemi bërë tregti armësh me Gjeorgjinë”
Ish-ministri i Mbrojtjes, socialisti Pandeli Majko, bën të ditur se Shqipëria nuk ka bërë asnjëherë tregti armësh me Gjeorgjinë. Majko gjithashtu pohon se ka pasur një kërkesë nga qeveria e Gjeorgjisë për të blerë armë nga Shqipëria, por qeveria shqiptare nuk e ka pranuar një kërkesë të tillë. “Ka pasur një kërkesë nga qeveria gjeorgjiane, por ne nuk kemi bërë tregti armësh me Gjerogjinë. Ne nuk pranuam për arsye se është larg Shqipërisë”, - është shprehur ish-ministri i Mbrojtjes, Majko. Përsa u përket deklaratave të përfaqësuesve të Rusisë se Shqipëria është në krah të Gjeorgjisë nëse ka bërë tregti armësh, Majko bën një krahasim me çështjen e Kosovës. “Përsa i përket historisë se Shqipëria qenka në pjesën e furnizuesve të Gjeorgjisë, politika ruse duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të qartë dhe të sinqertë: e ka ndihmuar Rusia Serbinë në kurriz të Kosovës? Kjo do të ishte më e mira për të filluar një diskutim të sinqertë”, - është shprehur Majko.
28 Gusht 2008