E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja i premton Cekës postin e kryetarit të Kuvendit



Eljona Ballhysa
Partia Demokratike ka nisur t’i joshë kryetarët e partive të vogla të majta për të bashkëpunuar me të djathtën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime konfidenciale kanë bërë të ditur se eksponentë të lartë të PD-së i kanë premtuar kryetarit të Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, se do t’i japin postin e kryetarit të Kuvendit në rast se ai bashkohet me koalicionin e djathtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas burimeve, qëllimi i PD-së është të krijojë një koalicion të fuqishëm me të cilin të futet në zgjedhje, i cili të ketë një spektër sa më të madh interesash të elektoratit shqiptar. Por, nga ana tjetër, PD-ja, duke marrë mbështetjen e partive të vogla të majta, kërkon ta lërë zbuluar Partinë Socialiste, në mënyrë që kjo e fundit të futet e vetme në zgjedhje.
Aleancat
Burimet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zbulojnë detaje nga politika që do të ndjekë PD-ja për t’u futur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Aktualisht PD-ja është duke negociuar me Cekën, të cilit i kanë premtuar postin e kryetarit të Kuvendit. Kreu i PAD-së vetëm një ditë më parë deklaroi se nuk do të bashkëpunojë me Partinë Socialiste. Ndërsa konfirmoi shkëputjen nga PS-ja, Ceka u shpreh i hapur të bashkëpunojë me Partinë Demokratike, ndërkohë që mbështeti dhe krijimin e polit të tretë. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se dy janë rrugët që do të ndjekë partia më e madhe në pushtet. Negociatorët e PD-së do të përpiqen të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me sa më shumë parti politike për t’u futur në zgjedhje. PD-ja do të synojë zgjerimin e koalicionit dhe me parti të vogla të majta, siç është Partia Demokracia Sociale, përveç Aleancës Demokratike. Pritet që së shpejti t’i propozojë dhe kryetarit të kësaj partie, Paskal Milo, ofertën e radhës. Por rruga tjetër është që PD-ja të mbështesë krijimin e polit të tretë në politikë dhe më pas të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me këtë pol. Burimet shprehen se PD-ja është e hapur për të bashkëpunuar dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Gjithnjë e më shumë janë shtuar zërat brenda PD-së për një bashkëpunim të mundshëm me LSI-në, duke i ofruar kësaj të fundit bashkëqeverisje në mandatin e ardhshëm në rast fitoreje.
Koalicionet
Partia Demokratike ndër vite ka treguar se nuk paragjykon bashkëpunimin me asnjë parti, e majtë apo e djathtë qoftë ajo. Kështu, në zgjedhjet e vitit 2005 Partia Demokratike nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me dy parti, të cilat bashkëqeverisën vendin për tetë vjet në koalicion me Partinë Socialiste. Pas fitores në zgjedhjet e korrikut 2005, kryeministri Berisha firmosi bashkëpunimin me Partinë Agrare Ambientaliste dhe me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, duke iu ofruar këtyre poste në kabinetin qeveritar. Pritet që edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2009 PD-ja të lidhë të tilla kontrata bashkëpunimi.

28 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›