E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Opozita është diga e fundit për shqiptarët

Deklarata
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste thotë se nuk futen në Parlament me kushtet e Berishës

Opozita është diga e fundit e shqiptarëve dhe ajo nuk mund të rrëzohet. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, duke theksuar faktin se opozita nuk mund të futej në Parlament me kushtet që i ofronte mazhoranca aktuale. Sipas Majkos, duke u nisur nga situatat e vështira që po krijohen në vend, edhe si rezultat i përmbytjeve, arsyet ishin më të shumta që mazhoranca dhe opozita të ishin në një tryezë edhe për t’i bërë lëshime njëra-tjetrës. “Po të shkojmë tani në Parlament, do të bëjmë atë që do doktor Berisha, për të votuar çfarë ai do. Sot ka më shumë arsye për t’u ulur në tryezë, për të toleruar.
Nuk mund të hyjmë në Parlament me kushtet e mazhorancës parlamentare”, theksoi Majko në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”. Për sa i përket rrezikut të djegies së mandateve deputetëve të PS-së, nëse nuk bëjnë betimin deri në muajin mars, Majko e quajti këtë proces një akt formal, i cili nuk e zgjidhte krizën politike në vend. “Betimi në Parlament, akt formal pa përmbajtje, nuk është çelës për situatën dhe krizën politike”, theksoi deputeti i PS-së. Duke u përqendruar te situata e krijuar në Shkodër, Majko theksoi se ajo çfarë po ndodhte me përmbytjet mund të quhej një krizë humanitare. “Ka ndodhur një katastrofë humanitare.
Kjo është caktuar e tillë edhe nga ndërkombëtarët. Duhet ta njohin këtë histori që ka ndodhur, jo katastrofë ekologjike”, deklaroi ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko. Sipas tij, ka ardhur momenti kur shteti shqiptar duhet të përballet me vërtetësi me situatën dhe i gjithi i bashkuar t’i japë një zgjidhje asaj. Në këtë kundërt, Majko propozoi mbledhjen e një tryeze të përbashkët me të gjithë krerët e lartë të shtetit dhe jo kryerjen e veprimeve individuale nga secila palë. “Përmbytjet janë një çështje e brendshme e shtetit dhe jo e një partie. Po duket sikur ky shtet ka frikë të përballet me veten. Ai është i paaftë për t’u mbledhur në një tavolinë, e cila do të sillte një vendimmarrje si shtet”, sugjeroi Majko. Po kështu, ai e konsideroi si shumë të nevojshme marrjen e masave sa më energjike për kapërcimin e situatës, sepse, sipas tij, gjendja në veri të vendit mund të qëndronte e njëjtë edhe për dy ose tre muaj të tjerë.
Po kështu, Majko thekson se përmbytjet nuk erdhën në Shkodër nga reshjet e shiut, por nga hapja e dyerve të shkarkimit të hidrocentraleve. Por në lidhje me përgjegjësit, Majko theksoi se situata duhej të analizohej mirë përpara se t’i jepej një përgjigje e saktë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›