Thesari bllokon paratë e bashkisë për punët e kryeqytetit
Bashkia e Tiranës akuzon Ministrinë e Financave se po ua faturon krizën kompanive private
Thesari i shtetit ka kthyer mbrapsht pagesat për disa punë dhe shërbime publike në kryeqytet. Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë akuzuar Ministrinë e Financave se po ua faturon krizën ekonomike kompanive private, pasi e ka lënë arkën e shtetit bosh. Drejtuesit vendorë theksojnë se këto janë fonde që duhet të dalin nga arka e bashkisë dhe jo ajo e buxhetit të shtetit, ndaj dhe Ministria e Financave, me këtë urdhër bllokimi është duke shkelur ligjin.
Në një reagim publik, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës sqarojnë se “me një urdhër të jashtëligjshëm nga lart dhe në kundërshtim me vetë afatin e vendosur më 18 dhjetor nga ministri i Financave, Thesari i shtetit ka kthyer mbrapsht pagesat për një sërë punësh e shërbimesh publike të kryera në kryeqytet, që nga rindërtimi i rrugëve deri te pastrimi”.
Drejtuesit vendorë shpjegojnë më tej se këto pagesa që arrijnë në 101 milionë lekë të reja dhe bëhen nga arka e Bashkisë së Tiranës dhe jo nga buxheti i shtetit, u mohohen në mënyrë të paligjshme 24 kompanive. “Arka e shtetit mund të jetë bosh, por qeveria s'ka asnjë të drejtë të fusë duart në arkën e bashkive dhe as t'ua faturojë krizën ekonomike kompanive private. Ky arbitraritet i ri i qeverisë bie mbi punëtorët e këtyre kompanive dhe mbi vetë qytetin tonë, që duhet pastruar përditë, mirëmbajtur përditë, rindërtuar përditë”, thuhet në qëndrimin zyrtar të qeverisë lokale të kryeqytetit.
Më tej ata i kanë bërë thirrje ministrit të Financave të zhbllokojë pagesat që Bashkia e Tiranës u detyrohet sipas kontratave të punëve të kryera kompanive të kontraktuara.
“Tirana nuk pret dot që qeveria të dalë nga gropa e krizës ekonomike e financiare ku po fundoset përditë”, theksohet në këtë qëndrim të bashkisë kryeqytetase.
Bllokimi i këtyre pagesave shënon edhe konfliktin e radhës mes pushtetit qendror dhe atij vendor të kryeqytetit.
#